34- Es-Subbuh – السبوح
Profeti (alejhi selam) thoshte në ruku dhe në sexhde: “Sub-buhun, Kud-dusun, Rab-bul melaiketi ue Rr-rruh (Subuuhun, Kuduusun, Zoti i engjëjve dhe i Xhibrilit).” (Transmeton Muslimi.)
Imam En-Neueui, në shpjegimin e këtyre dy emrave ka thënë se kuptimi i tyre është Musebbah – مسبح dhe Mukaddes – مقدس – i Lartësuari, i Pastri, i Dliri, i Shenjti, larg të gjitha mangësive dhe të metave. I Përsosur, pa të meta, pa mangësi, pa shok dhe pa rival.
35- Es-Sittir – الستیر – Ai që i mbulon dhe i fsheh të metat dhe gabimet e robërve.
Argument është fjala e Profetit (alejhi selam): “Vërtet Allahu është Hajjijun (i Turpshëm), Sit-tirun (Mbulues i të metave dhe gabimeve të robërve) dhe e do turpërimin dhe mbulimin. Prandaj, çdonjëri prej jush kur të lahet, le të mbulohet (në mënyrë që të mos ia shikojnë të tjerët pjesët e turpshme).” (Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu e të tjerë dhe hadithi është i saktë.)
36- Es-Selamu – السلام
Argument është fjala e Allahut: “Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, El-Melikul Kud-dus-Selamu (Gjithësunduesi, i Shenjti, i Gjithëpërsosuri pa asnjë të metë)…” (Hashër: 23)
Kuptimet i këtij emri janë:
- I Pastri dhe i Dliri nga të metat e mangësitë (i Gjithëpërsosuri pa asnjë të metë).
- Ai që i përshëndet me selam robërit e Tij në Xhennet: “(Do t’u thuhet): ‘Selam (Paqja qoftë mbi ju).’ Fjalë nga Zoti (Allahu), Mëshirëbërësi.” (Ja Sin : 58)
- Ai që i ka shpëtuar robërit nga padrejtësia e Tij, sepse ia ka ndaluar padrejtësinë Vetes së Tij.
- Shpëtuesi i robërve të Tij.
37- Esh-Shafi – الشافي – Gjithëshëruesi.
Aishja (radijAllahu anha) transmeton se kur ndonjëri ankohej nga sëmundja, i thërrisnin të Dërguarit (alejhi selam). Ai e fshinte (e prekte me të djathtën e tij) dhe pastaj thoshte: “O Allah, Zoti i njerëzve, zhduke këtë sëmundje dhe shëroje. Ti je Esh- Shafi (Gjithëshëruesi), nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd. Shëroje me një shërim që nuk lë aspak sëmundje.” (Buhariu dhe Muslimi)
38- Esh-Shakir – الشاكر – Vlerësuesi i veprave të mira që punojnë robërit e Tij.
Ai që shpërblen robërit e Tij për punët që veprojnë, qofshin pak apo shumë: “Kushdo që bën mirë me vullnetin e tij, atëherë padyshim që Allahu është Shakirun (Vlerësues për gjithçka), i Gjithëditur.” (Bekare: 158)
39- Esh-Shekur – الشكور – Ai që i vlerson dhe i çmon punët e robërve, Ai që e shpërblen atë që i bindet, duke ia shumëfishuar shpërblimin.
“Allahu është Shekurun, i Duruari.” (Tegabun: 17)
40- Esh-Shehid – الشهید – Gjithëdëshmuesi, i Dituri për çdo gjë.
“Padyshim që Ti je Gjithëdëshmuesi, i Dituri për çdo gjë (Shehid).” (Maide: 116)
41- Es-Samed – الصمد
Kuptimi i këtij emri është:
- Ai të Cilit i drejtohen krijesat për çdo nevojë, meqenëse është i Fuqishëm dhe ka mundësi ta bëjë atë që i kërkohet.
- I Përkryeri që i ka të gjitha cilësitë të përsosura në shkallën më të lartë. Ai i Cili nuk ka asnjë të metë.
- I Përhershmi. Ai nuk ka pasur fillim dhe nuk ka mbarim.
- Ai që nuk ka nevojë për asgjë, por të gjitha krijesat kanë nevojë për Të.
- Ai që nuk ka brendësi. Shumë nga selefët (të parët) kanë thënë se Es-Samed është Ai që nuk ka brendësi.
Ikrima ka transmetuar se Ibn Abassi ka thënë: “Es-Samed është Ai, të Cilit i drejtohen krijesat për nevojat e tyre. Domethënë për realizimin dhe arritjen e nevojave të tyre.”
Ibn Abassi ka thënë: “Es-samed është Zotëruesi që është i përkryer në zotërimin e Tij, Ai është i Shenjti, i përkryer në shenjtërinë e Tij, është Madhështori, i përkryer në madhështinë e Tij. Ai është i Buti që është i përkryer në butësinë e Tij, është i Urti, i përkryer në urtësinë e Tij dhe është i Dituri që është i përkryer në diturinë e Tij.”
42- El Gaf-far الغفار – Ai që u fal mëkatet robërve të Tij dhe ua mbulon të metat:
“Zotit të qiejve dhe të tokës dhe i gjithë çfarë gjendet ndërmjet tyre. I Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falësi i Madh (El Azizul, Gaffar).” (Sad: 66)
43- El Gafurr – الغفور – Mëkatfalësi:
“Me të vërtetë Zoti im është Gafurr (Mëkatfalës), Rrahim.” (Jusuf: 53)
44- El Aziz – العزیز – i Gjithëfuqishmi, Ngadhnjimtari, Dominuesi mbi çdo gjë.
“Me të vërtetë Zoti im është Gafurr (Mëkatfalës), Rrahim.” (Jusuf: 53)
45- El Alim – العالم – i Gjithëdituri:
“Për çdo gjë Ne jemi të Gjithëditur.” (Enbija: 81)
46- El Alijm العلیم – i Gjithëdituri:
“…Me të vërtetë Ai është (Hakim, Alijm) i Urti, i Gjithëdituri.” (Dharijat: 30)
47- El Adhim – العظیم – Madhështori:
“…Dhe Ai është (El Alim, El Adhim) më i Larti, më Madhështori.” (Bekare: 255)
48- El Alijj – العلي – i Larti.
“…Dhe Ai është (El Alim, El Adhim) më i Larti, më Madhështori.” (Bekare: 255)
49- El Kadir – القادر – i Gjithëfuqishmi, i Plotfuqishmi:
“Thuaj: ‘Ai është El Kadiru, i Fuqishëm të dërgojë ndëshkim mbi ju nga lart ose nën këmbët tuaja…” (En’am: 65)
50- El Kahir – القاهر – Ngadhnjimtari, i Papërballueshmi:
“Dhe Ai është El Kahiru (i Papërballueshmi), më i Larti përmbi robërit e Tij dhe Ai është më i Urti Gjithëgjykues, i Mirënjohuri me çdo gjë.” (Enam: 18)
51- El Kahhar – القهار – i Papërballueshmi, Ngadhnjimtari.
“O shokët e mi të burgut! A janë më mirë shumë zota të ndryshëm, apo Allahu Një, i Vetëm, El Kah-har (i Papërballueshmi), më i Larti?” (Jusuf: 39)
52- El Kadir – القدیر – i Gjithëfuqishmi, i Plotfuqishmi.
“…dhe Ai është El Kadir (i Plotfuqishëm për të bërë çdo gjë).” (Mulk: 1)
53- El Afuu – العفو – Ai që i fshin mëkatet e robërve të Tij.
“…Me të vërtetë Allahu është Afu-un, Gafurr (Ai që i fshin dhe i fal mëkatet).” (Haxh: 60)
54- El Ganij – الغني – Ai që nuk ka nevojë për krijesat, por të gjitha krijesat kanë nevojë për të:
“Dhe Allahu është Ganijun (Ai që nuk ka nevojë për asgjë), Halim (i Butë, Durimtar).” (Bekare: 263)
55- El Fettah – الفتاح – Gjithëgjykuesi i drejtë.
“Dhe Ai është El Fettah, El Alim.” (Sebe: 26)
56- El Kuddus – القدوس – i Shenjti, i Pastri nga të gjitha të metat e mangësitë:
“Allahu është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar. Mbizotëruesi, El Kud-dus (i Shenjti), i Gjithëpërsosuri pa asnjë të metë.” (Hashër: 23)
57- Et-Taj-jib – الطیب – i Miri.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu është Tajjib (i Mirë) dhe pranon vetëm të mirën.” (Muslimi)
58- El Karib – القریب – i Afërti ndaj atyre që dëshiron t’u afrohet prej krijesave të Tij:
“Dhe kur robërit e Mi, të pyesin ty (o Muhamed) për Mua, atëherë (përgjigjju atyre):
“Vërtet Unë (Allahu) jam Karib, Unë u përgjigjem duave (lutjeve) të lutësit kur ai më drejtohet Mua me lutje.” (Bekare: 186)
Të qenët e Allahut i Lartësuar mbi krijesat dhe afërsia e Tij ndaj atyre që dëshiron t’u afrohet, janë dy cilësi të cilat nuk bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ai është i Larti në afërsinë e Tij dhe i Afërti në lartësinë e Tij (për më gjatë, shiko në kapitullin e cilësive, cilësinë e afërsisë dhe të afruarit të Allahut ndaj krijesave që dëshiron t’u afrohet).
59- El Muxhijb – المجیب – Ai që i përgjigjet lutjeve të robërve të Tij:
“Me të vërtetë që Zoti im është Karijb (i Afërti), Përgjigjësi (që i përgjigjet thirrjes ndaj tij).” (Hud : 61)
60- El Muhsin – المحسن – Mirëbërësi.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu është Muhsin (Bamirës) dhe e do bamirësinë (mirëbërjen).” (Transmeton Taberani dhe e ka bërë të saktë shejh Albani në “Sahihul xhami” dhe në “El ir’ua”.)
61- El Muktedir – المقتدر – i Gjithëfuqishmi.
“Në kuvendin e së vërtetës (në Xhennet) pranë Melijk (Sunduesit), Muktedir (të Gjithëfuqishmit).” (Kamer: 55)
62- El Melijk – الملیك – Mbisunduesi, Gjithësunduesi.
“Në kuvendin e së vërtetës (në Xhennet) pranë Melijk (Sunduesit), Muktedir (të Gjithëfuqishmit).” (Kamer: 55)
63- El Melik – الملك – Mbisunduesi.
“Allahu është Ai, veç të Cilit nuk ka të adhuruar të merituar, El Melik (Mbisunduesi)…” (Hashër: 23)
64- El Metijn – المتین – Shumë i Fuqishëm, shumë i Fortë.
“Vërtet që Allahu është Gjithëfurnizues, Zotëruesi i fuqisë, El Metijn (shumë i Fuqishëm).” (Dharijat: 58)
65- El Kaj-jum – القیوم – I Vetëqëndrueshmi, Mbajtësi që i mban të gjitha krijesat dhe i bën të qëndrojnë. Ai që rregullon çështjet e krijesave dhe i mbron ato, i ruan e kujdeset për to:
“Allahu është Ai, i Cili nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, El Hajjul, El Kajjum…” (El Bekare : 255)
66- El-Latif – اللطیف – i Buti, Dashamirësi, Gjithënjohësi që e njeh çdo gjë, qoftë e vogël apo e madhe:
“Dhe Ai është El-Latifu, El Habiru.” (Enam: 103)