67- El Muhijt – المحیط – Gjithëpërfshirësi i çdo gjëje me dijen e Tij.
“Dhe Allahu mbi çdo gjë është Muhijt.” (Nisa: 108)
68- El Musavir – المصور – Ai që i ka dhënë formën çdo gjëje, Formësuesi i gjithçkaje:
“Ai është Allahu, Gjithëkrijuesi, Shpikësi i Pashembullt i çdo gjëje, El musavir (Formësuesi i gjithçkaje).” (Hashër: 24)
69- El Mubin – المبین – i Qarti.
“Dhe ata do ta kuptojnë se Ai, Allahu, është i Vërteti, El Mubin (i Qarti).” (Nur: 25)
70- El Mexhid – المجید – i Lavdishmi, Madhështori, më i Larti në lavdi.
“Vërtet Ai është Hamidun (Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve), Mexhidun (i Lavdishmi, më Madhështori në lavdi).” (Hud: 73)
71- El Kebir – الكبیر – i Madhi.
“…dhe se vërtet Allahu, Ai është më i Larti, më i Madhi.” (Lukman: 30)
72- El Mutekebbir – المتكبر – i Larti, Suprem, i Pastër nga çdo gjë e keqe dhe e mangët që nuk i përshtatet Madhërisë së Tij, i Vetëm në cilësitë e madhërishme.
Ky emër në gjuhën arabe, rrjeth nga fjala “el kibër”, domethënia e parme e së cilës është mospranimi dhe mosnënshtrimi. Kjo cilësi (el kibër), kur i dedikohet Allahut është lavdërim, kurse kur i dedikohet krijesave është sharje dhe poshtërim, pasi Allahu nuk i nënshtrohet askujt, por të gjitha krijesat i nënshtrohen Atij. Argument për këtë emër të Allahut është ajeti i parafundit i sures Hashër:
“… Ai është El Xhebbar, El Mutekeb-bir …” (Hashër: 23)
73- El Muteali – المتعالي – i Larti.
“I Gjithëdituri për çdo gjë, të padukshme dhe të dukshme, më Madhështori, El Muteali (i Larti).” (Rrad: 9)
Sheukani ka thënë se ky emër do të thotë: “I Lartësuar, larg nga çdo gjë që thonë mushrikët dhe i Lartë mbi të gjitha krijesat me madhështinë dhe fuqinë e Tij.”
74- El Kavij – القوي – i Forti, Fuqiploti.
“Me të vërtetë Allahu është Kavijjun, Azijzun.” (Muxhadele: 21)
75- El Mukijt – المقیت – i Plotfuqishmi, Ruajtësi, Gjithëdëshmuesi. Ai që i jep çdo njeriu ushqimin e tij. (Kuptimi i fundit është përmendur nga El Ferra.)
Argument është fjala e Allahut në suren En-Nisa: “Dhe Allahu është mbi çdo gjë Mukijt (i Plotfuqishëm, Gjithëdëshmues, Ruajtës).”
76- El Muhejmin – المهیمن – Gjithëvëzhguesi i çdo gjëje.
“…El Muminul Muhejminu …” (Hashër: 23)
- Gjithëdëshmuesi i çdo gjëje.
- Ngadhënjyesi, i Larti.
77- El Mennan – المنان – Dhuruesi i madh, i Cili jep pa kërkuar ndonjë shpërblim.
Argument është hadithi i Enes ibn Malik i cili thotë: “Isha ulur me Profetin (alejhi selam) në xhami, ndërkohë që një burrë ishte duke u falur. Ai tha: ‘O Allah, unë të lutem Ty sepse Ty të takon lavdërimi. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, (El Mennan) Dhuruesi i Madh, Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. O Ti që je gjithë madhështi dhe gjithë lavdi. O i Gjalli, i Përjetshmi.’ Atëherë Profeti (alejhi selam) tha: ‘E luti Allahun me emrin e Tij më të madh, kur robi i lutet me të Allahut, Ai i përgjigjet dhe kur i kërkon me të, Ai i jep.’” (Transmeton En-Nesai, Ebu Daudi, etj.. Albani në “Sahih Sunnen Ebu Daud”, thotë që hadithi është i saktë.)
78- El Mu’min – المؤمن
Allahu thotë në Kur’an: “…Es-Selamu, El Muminu…” (Hashr: 23)
- Ai që vërteton besnikërinë e Profetëve të Tij nëpërmjet mrekullive që u jep. Ai që e mban premtimin ndaj robërve të Tij.
- Ai që i siguron nga frika robërit e Tij besimtarë, në Ditën e Gjykimit.
79- El Meula – المولى – Përkrahësi, Mbrojtësi, Ai, të Cilit i mbështetemi.
“Atëherë dijeni se Allahu është Meula (Mbrojtësi, Përkrahësi) për ju. Sa Meula i Shkëlqyer dhe sa Nesijr (Ndihmues) i shkëlqyer është Ai!” (Enfal: 40)
80- En Nesijr – النصیر – Ndihmuesi.
“Atëherë dijeni se Allahu është Meula (Mbrojtësi, Përkrahësi) për ju. Sa Meula i Shkëlqyer dhe sa Nesijr (Ndihmues) i shkëlqyer është Ai!” (Enfal: 40)
81- El Hadi – الهادي – Udhëzuesi, në dorën e të Cilit është udhëzimi.
“…më se i Mjaftueshëm është Zoti yt, si Udhëzues dhe Gjithëndihmues.” (Furkan: 31)
82- El Vahid – الواحد – Një, i Vetëm (i Pashok).
Allahu në Kur’an ka treguar fjalët e Jusufit (alejhi selam) në burg: “O shokët e mi të burgut! A janë më mirë shumë zota të ndryshëm, apo Allahu, El Uahidu (Një, i Vetmi, i Papërballueshmi, më i Larti)?” (Jusuf: 39)
83- El Varith – الوارث – Gjithëtrashëguesi, i Cili trashëgon Tokën dhe çdo gjë që ndodhet në të, pasi t’i shkatërrojë krijesat e Tij, sepse Allahu është i Përhershmi, i Përjetshmi.
“Ne jemi që ngjallim dhe sjellim vdekjen dhe Ne jemi Gjithëtrashëguesit.” (Hixhër: 23)
84- El Vasi’ – الواسع
“Vërtet Allahu është Vasiun, Alijm.” (Bekare: 115)
- I Gjithëmjaftueshmi për të plotësuar nevojat e krijesave të Tij.
- Gjithëpërfshirësi që përfshin çdo gjë me dijen e Tij: “Ai e ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij.”
- Sheukani ka thënë se ky emër tregon për mëshirën gjithëpërfshirëse të Allahut, i Cili nuk i ka ngarkuar robërit me atë të cilën nuk e veprojnë dot, dhe i ka bërë të gjitha ritet e fesë të lehta.
- El Furadu ka thënë: “Ai është Bujari dhe Dhuruesi më i Madh, i Cili ka përfshirë çdo gjë me dhuntinë e Tij.”
85- El Vekijl – الوكیل
“…dhe thanë: ‘Allahu na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve.’” (Ali Imran: 173)
- Ai të Cilit i mbështetemi për të rregulluar të gjitha çështjet tona. Imam Sheukani ka thënë: “El Uekijl është Ai, të Cilit i dorëzojmë punët (çështjet) tona.
- I Gjithëmjaftueshmi, i Cili kujdeset për ne.
86- El Velij – الولي – Ai, i Cili i rregullon çështjet, në mënyrë që t’i bëjnë dobi robit në këtë botë dhe në botën tjetër.
“Dhe Ai është El Uelij, El Hamijd.” (Shuara: 28)
87- El Viter – الوتر – Teku (i Vetmi).
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtet Allahu është Vitër (Tek, i Vetëm) dhe e do tekun.” (Transmeton Buhari)
Ibn Haxher ka thënë: “Kuptimi i këtij emri është se Allahu nuk ka asnjë shok dhe është i Pashembullt. Ai është i Vetëm, i ndarë dhe i shkëputur nga krijesat, nëpërmjet Qenies dhe cilësive të Tij. Pra, Allahu është Një, Tek, ndërsa të gjitha krijesat e Tij janë çift. Ai ka thënë:
‘Dhe nga çdo gjë Ne kemi krijuar dy palë.’ (Dharijat: 49)
Fjala e Profetit (alejhi selam) në hadith ‘e do tekun’, do të thotë që Allahu e do tekun në çdo gjë, edhe sikur gjërat teke të bëhen të shumta. Prandaj, Ai ka urdhëruar që shumë vepra e adhurime të përfundojnë me numër tek, si p. sh. pesë namazet e obliguara, namazi i vitrit, numri i herëve të pastrimit, qefinosja e të vdekurit etj. Në numër tek janë krijuar edhe shumë krijesa, si p.sh. qiejtë dhe Toka etj. (Marrë nga “El feth”)
88- El Vehab – الوهاب – Dhuruesi më i madh.
“Me të vërtetë Ti je Uehab (Dhuruesi më i Madh).” (Ali Imran: 8)
El Euvelu & El Akhiru – الأول & الآخر
89- El Euvelu – i Pari, i Cili nuk ka pasur fillim dhe para të Cilit nuk ka pasur asgjë.
90- El Akhiru – i Fundit, i Cili nuk ka mbarim dhe pas të Cilit nuk ka asgjë.
Këta dy emra tregojnë se Allahu është i Pafillim dhe i Pambarim. I Përhershmi, i Përjetshmi. Ata tregojnë se Allahu e ka përfshirë kohën.
Edh Dhahir & El Batin – الظاهر & الباطن
91- Edh Dhahiru – Më i Larti, mbi të Cilin nuk ka asgjë, Ngadhënjyesi.
92- El Batin – Më i Afërti (nuk ka gjë më të afërt me krijesat sesa Ai, me dijen e Tij, nuk ka asnjë pengesë ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij, Ai e di çdo gjë që ndodh apo fshihet në brendësi).
Këta dy emra tregojnë se Allahu i ka përfshirë krijesat e Tij. Ai është lart krijesave me Qenien e Tij dhe më afër tyre se çdo gjë tjetër, me dijen e Tij: “Ai është më i Pari (s’ka asgjë para Tij, Ai është i Pafillim) dhe më i Fundit (s’ka asgjë pas Tij, Ai është i Pambarim), më i Larti (s’ka asgjë mbi Të) dhe më i Afërti (nuk ka gjë më të afërt me krijesat sesa Ai me dijen e Tij, nuk ka asnjë pengesë ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij). Dhe Ai është i Gjithëdituri për çdo gjë.” (Hadid: 3)
El Kabid & El-Basit – القابض & الباسط
93- El Kabit – është Ai i Cili ia ngushton rrizkun krijesave, kujtdo që të dëshirojë dhe si të dëshirojë.
94- El Basit – është Ai i Cili ia shton rrizkun krijesave, kujdo që të dëshirojë dhe si të dëshirojë.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu është El Khalik, El Kabid, El Basit, Err-Rrazik, El Musijr.” (Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, hadithi është i saktë.)
95 & 96 – El Mukaddim & El Muehir – المقدم & المؤخر
Këta dy emra tregojnë se:
- Allahu afron atë që dëshiron për ta mëshiruar e për ta udhëzuar, si dhe nuk mëshiron e udhëzon atë që dëshiron. Këtë e ka përmendur Imam Neveviu.
- Allahu ngre në gradën e njerëzve të mirë e të parë, atë që dëshiron, si dhe ul nga grada e tij atë që dëshiron.
Argument për këtë është hadithi që transmeton Ebu Musa el Esh’ari, ku Profeti (alejhi selam) bënte lutjen e mëposhtme: “O Allah, më fal mua gjynahun tim, paditurinë time, teprimin tim në punët e mia dhe më fal atë për të cilën je më i Ditur sesa unë. O Allah, më fal mua atë që e kam bërë vullnetarisht dhe atë që e kam bërë në mënyrë të pavullnetshme, atë që e kam bërë gabimisht dhe atë që e kam bërë me dashje, e të gjitha këto gjenden tek unë. O Allah, më fal mua mëkatet e kaluara dhe mëkatet e ardhshme, ato që i kam fshehur, ato që i kam publikuar dhe ato që Ti i di më mirë se unë. Ti je El Mukaddim dhe El Muehhir, Ti je i Fuqishëm mbi çdo gjë.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi, por ky version është i Muslimit.)
97- Es-Sejjid – السید – Zotëruesi.
Abdullah ibn Shehijrr transmeton: “Shkova së bashku me delegacionin e Beni Amirit, për tek i Dërguari i Allahut (alejhi selam) dhe i thamë: ‘Ti je sejjidi (zotëriu) ynë.’ Ai tha: ‘Sejjidi ynë është Allahu i Lartësuar.” (Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Albani e ka saktësuar hadithin në “Sahihul xhami”.)
98- Ed-Dejjan – الدیان – Shpërblyesi që i shpërblen krijesat e Tij për veprat dhe punët e tyre.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Do të tubohen njerëzit në Ditën e Gjykimit pa asgjë, të zhveshur e të pabërë synet, pastaj Allahu u thërret me një zë që e dëgjon edhe ai që është larg, siç e dëgjon ai që është afër: ‘Unë jam El Melik (Sunduesi), Unë jam Ed-Dejjan.’” (Transmeton Ahmedi dhe Albani ka thënë se ky hadith është i saktë.)
99- El Vedud – الودود – Dashamirësi më i madh.
“Dhe Ai është El Gafurr (Falësi i Madh), El Vedud (Dashamirësi i robërve të Tij).” (Buruxh: 14)