Allahu deshi ta shfaqte nderimin dhe respektin e engjëve ndaj Ademit si në dukje ashtu edhe në fshehtësi e brendësi, duke u thënë atyre: “Përuluni në sexhde para Ademit” (El Bekare: 34). Përuluni në shenjë respekti dhe nderimi, si dhe në shenjë adhurimi, bindjeje, dashurie dhe nënshrimi ndaj Zotit tuaj.
Të gjithë u përulën në sexhde me nxitim, ndërkohë që Iblisi ishte mes tyre dhe urdhri për t’u përulur ishte për të gjithë, përfshirë edhe atë bashkë me engjëjt, edhe pse nuk ishte prej llojit të tyre (engjëjve), por ishte prej xhindëve, i krijuar nga zjarri pa tym. Ai e mbante fshehur mohimin ndaj Allahut dhe smirën që kishte për këtë njeri, të cilin Allahu e kishte dalluar me këtë nder që po i bëhej.
Mendjemadhësia dhe mohimi e shtynë (Iblisin) që të mos përulej para Ademit, duke shfaqur hapur tani mosbesimin e tij ndaj Allahut në njërën anë dhe duke treguar mendjemadhësi në anën tjetër. Ai nuk u mjaftua me kundërshtimin ndaj urdhrit të Zotit, por shkoi më tej duke e konsideruar të padrejtë urtësinë e Allahut në lidhje me njeriun, e për këtë tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.” (A’raf: 12)
Allahu i tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?” (Sad: 75) Allahu i Lartësuar tha: “Kur u thamë engjëjve: ‘Përuluni në sexhde para Ademit’, ata u përulën, përveç Iblisit. Ai ishte një nga xhindet dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit të vet.” (Kehf: 50) Hafidh Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “D.m.th u zbraps nga bindja dhe zbatimi i urdhrit të Allahut qëllimisht nga inati dhe mendjemadhësia.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse lloji i tij i ndyrë e tradhëtoi në momentet kur kishte më shumë nevojë për të, sepse ai është i krijuar nga zjarri. Siç e kemi sqaruar edhe më parë, ne Sahihun e Muslimit nga Aisha (radijAllahu anha) e cila përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Engjëjt u krijuan nga drita, ndërsa xhindët u krijuan nga zjarri dhe Ademi u krijua nga ajo që u është cilësuar (dheu).” (El Bidaje uen Nihaje 1/72-73)
Ky mohim, kjo mendjemadhësi, ky refuzim dhe kjo armiqësi e madhe e shfaqur prej tij, qenë arsyet që ai (Iblisi) të përjashtohej nga mëshira e Allahut e të konsiderohej i mallkuar. Allahu i Lartësuar i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhennetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve”. (A’raf: 13)
I poshtri, nuk iu nënshtrua Zotit dhe as që u pendua tek Ai, por përkundrazi u kthye me arrogancë dhe u tregua kokëfortë në armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij. Ai u betua- sidomos kur pa se i ishte hequr vijë e kuqe nga ana e Allahut deri në përjetësi- që t’i ftojë drejt vetes pasardhësit e Ademit, me fjalë, me vepra dhe me ushtrinë e tij, derisa të bëhen palë me të, e të meritojnë kështu vendin e përgatitur për ta – zjarrin e Xhehenemit.
Ai (Iblisi) tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!” (Sad: 79). Me qëllim që të ketë kohë për t’u angazhuar maksimalisht në armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij. Meqenëse urtësia e Zotit ishte që njeriu të ketë përbërje dhe natyra të ndryshme, pra morale të mira dhe vese të liga, duhej patjetër të dalloheshin (këto morale) duke u vënë njeriu në provë dhe duke u sprovuar. E siç dihet sprova më e madhe do të ishte përballja me këtë armik (Iblisin), i cili do t’i ftonte njerëzit në çdo të keqe.
Allahu i Lartësuar iu përgjigj duke i thënë: “Zoti tha: ‘Në të vërtetë, ty do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)’”. (Sad: 80-81) Duke e shprehur kundërshtinë ndaj Allahut dhe armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij, Iblisi tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (A’raf: 16-17)
Ai u shpreh në këtë mënyrë, bazuar te parashikimi dhe hamendësimi i tij, sepse e dinte natyrën e krijmit të njeriut: “Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë.” (Sebe 20) Allahu ia mundësoi Iblisit atë që kërkonte tek Ademi dhe pasardhësit e tij.
“(Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Merr pjesë në pasurinë dhe fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra: 63-64)
Që do të thotë: Nëse mundesh, devijoji nga edukimi i dobishëm i fëmijeve drejt edukimit të dëmshëm të tyre. Edhe pasuritë, bëji që t’i fitojnë e t’i shpenzojnë në forma e mënyra të dëmshme. Gjithashtu, merr pjesë edhe ti kur hanë, pinë apo martohen nëse nuk e përmendin emrin e Allahut përgjatë këtyre veprimeve. Gjithashtu, merr pjesë në pasurinë dhe fëmijët e tyre.
“Dhe jepu premtime”, pra urdhëroji që të përgënjeshtrojnë Ringjalljen dhe Gjykimin e të mos përparojnë drejt të mirës. Bëji që t’i frikësohen pasuesve të tu dhe futi frikën atëherë kur duhet të kontribuojnë në gjëra të dobishme, si dhe nxiti për (vepra) të ndyta dhe kopraci. Ky qe vendimi i Allahut, për shkak të shumë urtësive (që do të njihemi me to më pas).