Allahu i Lartësuar duke i treguar Ademit se si mund t’i gëzojë kënaqësitë e Xhennetit, i thotë: “Këtu nuk do të mbetesh kurrë i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh etje e as vapë.” (Taha: 119) Ata të dy qëndruan në Xhennet aq sa deshi Allahu, ndërsa armiku (iblisi) i përgjonte, u rrinte në pritë dhe priste rastin e volitshëm.
Kur e pa gëzimin e Ademit në Xhennet dhe dëshirën e tij të zjarrtë për të qëndruar aty përgjithmonë, iu afrua në një mënyrë tinzare, në formën e një shoku këshillues dhe i tha: “O Adem! A të të tregoj për një pemë, që nëse ushqehesh prej saj do të jetosh përjetë në këtë Xhennet dhe mbretërimi yt nuk do të ketë fund kurrë?”
Ai (Iblisi) nuk i ndërpreu cytjet e tij, me fjalë të bukura e me premtime boshe; me këshilla të hapura, që në fakt ishin mashtrimi më i madh, derisa ia arriti e ranë pre e mashtrimit të tij dhe filluan të hanin nga frutat e pemës, të cilën Allahu ua kishte ndaluar dhe i kishte privuar prej saj. Kur hëngrën prej saj, filluan t’u zbuloheshin pjesët e turpshme të trupit, edhe pse i kishin mbuluar më parë, pastaj nxituan të mbulojnë trupin e tyre me gjethet e Xhennetit.
Pra i ngjisnin gjethet në trupin e tyre të zhveshur, pasi rrobat u ranë para syve dhe në moment u shfaq dënimi i mosbindjes së tyre. “Zoti i tyre i thirri: ‘A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapur?’” (A’raf: 22) Allahu i Lartësuar, instaloi në zemrat e të dyve (Ademit dhe Havasë) pendimin e plotë dhe kthimin e sinqertë tek Ai: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.” (El Bekare: 37)
“Ata thanë: ‘O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit’”. (A’raf: 23) Allahu ua pranoi pendimin, ua fshiu mëkatin që bënë, por çështja për të cilën i paralajmëroi që të kenë kujdes (pema e ndaluar), e cila do t’i nxirrte prej atij Xhenneti, ishte vendosur dhe kishte marr fund.
Kështu u larguan prej aty drejt tokës, aty ku ishte përzier e mira me të keqen, gëzimi me pikëllimin dhe lodhjen. Allahu u tregoi se ka për t’i sprovuar patjetër ata dhe pasardhësit e tyre. Ai që beson dhe bën vepra të mira, përfundimi (vendi) i tij do jetë më i mirë se ai ku jetuan (ishin) më parë. Ndërsa ai që përgënjështron dhe zbrapset nga besimi, përfundimi i tij do jetë mjerimi i përhershëm dhe dënimi përjetë.
Allahu i Lartësuar ua tërhoqi vërejtjen pasardhësve të Ademit nga ky armik duke u thënë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu siç i nxori prindërit tuaj nga Xhenneti, duke ua zhveshur rrobat për t’iu dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (A’raf: 27)
Rrobën, që shejtani e hoqi nga dy prindërit tanë (në Xhennet) e zëvendësoi me një rrobë tjetër që mbulon lakuriqësinë dhe përmes saj mund të arrihet bukuria e jashtme në këtë botë. Gjithashtu i pajisi me një rrobë tjetër më të vlefshme, atë të devotshmërisë. Ajo është rroba e zemrës dhe e shpirtit, besimit, siqeritetit, pendimit dhe zbukurimit me çdo moral të mirë dhe distancimit nga çdo ves i keq dhe i ulët.
Më pas, nga Ademi dhe bashkëshortja e tij, Allahu krijoi shumë meshkuj e femra, i shpërndau nëpër tokë dhe i la të trashëgojnë njëri-tjetrin për t’i parë se si do të veprojnë.