Adhurimi që bënin besimtarët dhe edukata e tyre
Shpallja (Kur’ani) vazhdoi t’i zbriste Profetit (alejhi selam) pa ndërprerje, që pas zbritjes së ajeteve të para të sures “Mudethir”. Thuhet se surja e parë që ka zbritur pas këtyre ka qenë “El Fatiha”. Kjo sure përfshin falënderimin për Allahun dhe lutjen që i drejtohet Allahut. Ajo përfshin, gjithashtu të gjitha qëllimet e rëndësishme të Kur’anit dhe të Islamit. Adhurimi i parë, me të cilin u urdhërua Profeti (alejhi selam), ishte namazi: dy rekatë në mëngjes dhe dy rekatë në mbrëmje.
Për këtë ka zbritur meleku Xhibril dhe i ka mësuar Profetit (alejhi selam) abdesin. Pastrimi i plotë ishte shenja dalluese e besimtarëve. Abdesi – kusht i namazit. Fatihaja ishte themeli i namazit. Ndërsa falënderimi dhe madhërimi i Allahut ishin një nga pjesët e namazit. Pra, namazi ishte adhurimi i besimtarëve. Ata e kryenin atë në vende larg syve të njerëzve. Ndoshta e kryenin nëpër lugina e qafa mali.
Në ditët e para të Islamit nuk njihet për besimtarët ndonjë adhurim, urdhër a ndalim tjetër, përveç namazit. Shpallja u tregonte atyre aspekte të ndryshme të Teuhidit [1], si ta pastronin veten moralisht dhe fizikisht, i nxiste për morale të mira, u përshkruante Xhennetin dhe Xhehenemin dhe i këshillonte ata në mënyrën më të përsosur. Kështu që ajo ua hapte zemrat dhe ua kënaqte shpirtin.
Profeti (alejhi selam) i pastronte besimtarët (nga besimet e kota dhe nga moralet e këqija) dhe u mësonte Kur’anin dhe Urtësinë (Sunnetin). Ai i nxiste për t’u ngritur në gradat e zemrave të dëlira, të moraleve të pastra dhe të shpirtrave të virtytshëm. Ai bënte që ata të ishin të çiltër në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Me një fjalë, i nxirrte ata nga errësira në dritë dhe i udhëzonte në Rrugën e Drejtë. Ai i edukonte ata që t’i përmbaheshin Fesë së Allahut, Islamit, të kapeshin për litarin e Allahut dhe të qëndronin të palëkundur në zbatimin e urdhrit të Allahut.
Kaluan tre vjet dhe Thirrja për në Islam ende përqendrohej vetëm tek individët. Profeti (alejhi selam) nuk e kishte shpallur haptazi nëpër tubime e kuvende. Megjithatë, Thirrja u bë e njohur te Kurejshët e disa prej tyre ndonjëherë silleshin në mënyrë mohuese dhe i sulmonin disa besimtarë. Por, në përgjithësi, ata nuk i kushtuan shumë rëndësi, sepse Muhamedi (alejhi selam) ende nuk u ishte paraqitur si i Dërguar dhe nuk u kishte folur për zotat e tyre.
Thirrja haptazi
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) kaloi tre vjet duke bërë thirrje me secilin më vete. Dhe gjeti njerëz që e dëgjonin – njerëz të mirë brenda fisit Kurejsh dhe jashtë tij. Kështu u zgjerua rruga e Thirrjes për në Islam dhe u përgatit mjedisi për ta bërë atë haptazi. Atëherë, Allahu i Madhëruar i zbriti të Dërguarit të Vet (alejhi selam): “Paralajmërojefisin tënd më të afërm dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty. E, nëse ata të kundërshtojnë, ti thuaju: “Unë nuk jampërgjegjës për ato që bëni ju.” (Esh-Shu’ara : 214-216)
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) mblodhi farefisin e vet më të afërt, Benu Hashimët dhe bashkë me ta edhe një pjesë të fisit Benu Muttalib. Falënderoi Allahun dhe dëshmoi se nuk ka zot tjetër (që e meriton të adhurohet), përveç Allahut dhe tha: “Vërtet, nismëtari nuk i gënjen njerëzit e vet. Për Allahun, sikur ta gënjeja gjithë njerëzimin, ju nuk do t’ju gënjeja. Sikur ta mashtroja gjithë njerëzimin, ju nuk do t’ju mashtroja. Për Allahun, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, unë jam i Dërguari i Allahut te ju, në veçanti dhe te njerëzit mbarë. Për Allahun, ju do të vdisni ashtu siç flini dhe do të ringjalleni ashtu siç zgjoheni nga gjumi, do të jepni llogari për atë që bëni: Për veprën e mirë do të shpërbleheni me të mira; për të keqen, me të këqija. Me të vërtetë, Xhenneti është i përhershëm dhe Xhehenemi është i përhershëm.”
Njerëzit filluan të flisnin fjalë të buta, përveç xhaxhait të tij, Ebu Lehebit, i cili tha: “Kapeni atë përpara se të ngrihen arabët kundër tij, sepse po ta dorëzoni tek ata, do të poshtëroheni; e po ta mbroni, ata do t’ju vrasin.” U ngrit Ebu Talibi e ia ktheu: “Për Allahun, do ta mbrojmë atë (Muhamedin) sa të jemi gjallë.” Pastaj shtoi: “(O, Muhamed!) Vazhdo me atë që të ka urdhëruar Allahu, sepse unë betohem në Allahun që sa të jem gjallë do të të mbroj ty, vetëm se nuk më pëlqen të ndahem nga feja e babait tim, Abdul Muttalibit.”
[1] Teuhid do të thotë të besosh Allahun Një e të Vetëm dhe ta adhurosh Atë të vetëm, pa i bërë shok.