– Ajeti 4: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë. Silluni mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve të afërt dhe të largët, ndaj atij që keni pranë, udhëtarit (që ka mbetur ngushtë) dhe atyre që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit që mbahen me të madh e mburravecë.” (Nisa : 36)
– “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (shej’en).” – Fjala arabe “shej’en” është gjithëpërfshirëse. Pra, nuk duhet t’i shoqërojmë Allahut të Madhëruar as Profet, as engjëll (melek), as shenjtor e as ndonjë gjë tjetër të dynjasë. Gjithashtu, nuk duhet ta bësh dynjanë ortak me Allahun, sepse kur njeriun e shqetëson veç dynjaja dhe kur e ka atë qëllim të vetin kryesor, mund të kthehet në një rob të saj, siç ka thënë Profeti (alejhi selam): “Ka dështuar robi i dinarit (arit, parasë), robi i argjendit, robi i veshjes së bukur (të shtrenjtë), robi i shtrojës së pelushit…” [1]
– “…Silluni mirë ndaj prindërve…” – Për këtë shprehje gjykohet njëlloj si në ajetin e tretë.
– “…të afërmve, jetimëve, të varfërve … udhëtarit” – Të afërmit janë ata me të cilët ke lidhje gjaku që nga katragjyshi (3 brezat përpara). ‘Jetim’ quhet personi të cilit i ka vdekur babai dhe që ende nuk e ka arritur moshën e pubertetit. Të varfër janë ata që nuk kanë pasuri të mjaftueshme, ndërsa “udhëtari” këtu nënkupton atë kategori që ka mbetur në rrugë për shkak se i kanë mbaruar paratë.
– “…fqinjit të afërt dhe fqinjit të largët…” – Fqinj i afërt është ai që banon ngjitur me shtëpinë tënde ose rreth saj.
– “…ndaj shokut pranë vetes…” – Thuhet se bëhet fjalë për bashkëshorten, por thuhet gjithashtu se bëhet fjalë për shokun e udhëtimit, sepse edhe ai qëndron pranë teje. Ndaj të dyve ke detyrime, kështu që ajeti i përfshin të dyja kategoritë.
– “…dhe ndaj atyre që i keni nën pushtetin tuaj.” – Kjo përfshin bamirësinë ndaj robërve dhe kafshëve, pasi të gjitha këto janë nën sundimin tënd.
– “…Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit që mbahen me të madh e mburravecë.” – Ata që mbahen me të madh në paraqitje dhe ata që mburren me fjalë; Allahu nuk do as njërin dhe as tjetrin.
[1] Buhariu.