– Ajeti 2: “Çdo populli Ne i kemi çuar një të Dërguar (që u thoshte): Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni nga taguti (idhujt)!” (Nahl : 36) Në arabisht, umet (popull) tregon një grup të papërcaktuar njerëzish. Pra, në çdo popull është dërguar një Profet, që nga koha e Nuhut e deri në kohën e Pejgamberit tonë Muhamed (alejhi selam).
Urtësitë e dërgimit të Profetëve janë:
- Paraqitja e argumentit. Allahu i Madhëruar thotë: “…Profetë, përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut pas ardhjes së të Dërguarve.” (Nisa : 165)
- Tregimi i mëshirës. Argument për këtë është thënia e Allahut të Madhëruar: “Dhe Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) si mëshirë për botët…” (Enbija : 107)
- Qartësimi i udhës që të çon tek Allahu. Njeriu nuk mund t’i mësojë me hollësi detyrimet që ka ndaj Allahut, pa njohur rrugën e Profetëve.
– “…Adhuroni vetëm Allahun…” – do të thotë: nënshtrojuni Atij me adhurim.
– “… dhe shmanguni nga taguti (idhujt)” – domethënë: largohuni nga taguti (idhujt) në mënyrë që të mos keni asnjë lidhje me ta. Fjala “tagut” vjen nga “tug’jan” që do të thotë “tejkalim i kufirit”, ashtu siç thuhet në ajetin: “Vërtet kur uji u ngrit tej kufijve të tij…” (Hakah : 12)
Përkufizimi më i thukët është ai që ka përmendur Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!): “Tagut quhet çdo gjë ndaj të cilës njeriu e tejkalon kufirin duke e pasuar, adhuruar ose duke iu bindur”. Këtu nënkuptohet çdo gjë që e pëlqen të adhurohet, ose në të kundërt thuhet se është tagut përkundrejt atij që e adhuron, pason ose i bindet, sepse ai e tejkalon kufirin, duke e ngritur mbi gradën që i ka caktuar Allahu. Kështu, adhurimi i tagutit, pasimi i tij dhe bindja ndaj tij, për atë që i kryen këto gjëra është tejkalim kufiri.
Shembuj tagut-ësh që adhurohen janë idhujt, ata që pasohen janë falltorët, magjistarët dhe dijetarët e prishur, ndërsa tagut-ë në aspektin e bindjes ndaj tyre janë, për shembull, prijësit që kundërshtojnë Allahun. Nëse njeriu i konsideron këta si perëndi, atëherë ai e lejon atë që Allahu e ndalon, për shkak se janë “zotat” e tij që e lejojnë, dhe ndalon atë që Allahu e lejon, ngase janë ata që e ndalojnë.
Këta janë tagut-ët, ndërsa ndjekësit e tyre janë pasues të tagut-ëve. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i sheh ata të cilëve u qe dhënë pjesë nga Libri? Ata besojnë në Xhibt (idhujt) dhe tagut (hyjnitë e rreme)…”, (Nisa : 51) por nuk ka thënë se edhe vetë ata janë tagut-ë. Lidhja e këtij shpjegimi të ajetit me teuhidin qëndron në faktin se idhujt janë tagut-ë që adhurohen përveç Allahut.
Teuhidi plotësohet me dy shtylla: pohimin dhe mohimin. Nëse diçka vetëm do të mohohej, mohimi do të ishte gjithëpërfshirës, e nëse kjo diçka vetëm do të pohohej, pohimi nuk do të përjashtonte diçka tjetër shoqëruese. Nëse themi, për shembull: “Zejdi u ngrit”, ne pohojmë që ai është ngritur, por kjo nuk do të thotë aspak se ishte vetëm ai që u ngrit. Nga ana tjetër, nëse thuhet vetëm “nuk u ngrit”, ky është mohim i përgjithshëm (që përfshin edhe Zejdin). Por nëse themi se askush nuk u ngrit, përveç Zejdit, kjo do të thotë se vetëm ai është ngritur, pasi në thënie është përfshirë edhe pohimi, edhe mohimi. Ajeti kuranor i mësipërm ndodhet në “Librin e Teuhidit”, sepse ai tregon që të gjithë Profetët kanë qenë të bashkuar në thirrjen për në teuhid; të gjithë ata u dërguan të përçonin teuhidin e Allahut: “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni nga idhujt!”