Aishja përcjell se Hamza Ibn Amr Eslemij i tha të Dërguarit (alejhi selam): “A të agjëroj në udhëtim?”, pasi ai agjëronte shumë. Profeti (alejhi selam) i tha: “Agjëro ose jo, si të dëshirosh”. (Buhariu dhe Muslimi) [1]
Ibn Abassi (radijAllahu anhu) tregon se: I Dërguari i Allahut (alejhi selam) udhëtoi njëherë në muajin e Ramazanit. Ai agjëroi gjersa arriti vendin e quajtur Usfan, pastaj kërkoi t’i jepej ena e ujit. Ai piu prej saj gjatë ditës, që ta shihnin njerëzit. Nuk agjëroi pastaj, derisa arriti në Mekke. Ibn Abassi thoshte: “I Dërguari i Allahut (alejhi selam) edhe agjëronte në udhëtim, edhe nuk agjëronte, prandaj kush të dojë, le të agjërojë e kush të dojë, le të mos agjërojë.” [2]
Enes Ibn Maliku (radijAllahu anhu) thotë: “Kur udhëtonim me të Dërguarin (alejhi selam), ata që agjëronin nuk i qortonin ata që nuk agjëronin, ashtu si ata që nuk agjëronin nuk i qortonin ata që agjëronin.” [3]
Ebu Seid Hudrij (radijAllahu anhu) thotë: “Gjatë Ramazanit, kemi vajtur në betejë me të Dërguarin e Allahut (alejhi selam). Kishte prej nesh që agjëronin, por kishte edhe që nuk agjëronin. Ai që agjëronte nuk zemërohej me atë që nuk agjëronte, por as ai që nuk agjëronte me atë që agjëronte. Ata besonin se ai që e shihte veten të fuqishëm, agjëronte, dhe kjo quhej gjë e mirë, ndërsa kush ndihej i dobët dhe hante në ditët e agjërimit edhe kjo vlerësohej si gjë e mirë.” [4]
Ai përcjell përsëri e thotë: “Udhëtuam me të Dërguarin (alejhi selam) për në Mekke. Kur qëndruam në një vend, i Dërguari (alejhi selam) tha: “Ju po i afroheni armikut, kështu që prishja e agjërimit ju bën më të fortë për t’u përballur me të.” Kësaj here, Pejgamberi (alejhi selam) thjesht bëri një lëshim, prandaj disa e mbajtën agjërimin dhe disa e prishën, por më pas, kur zbriti në një vend tjetër, ku ishim më pranë armikut, u tha: “Në të gdhirë ju do të ndesheni me armikun dhe prishja e agjërimit ju bën më të fortë.” Ndaj dhe ne e prishëm të gjithë agjërimin.” “Kësaj here – thotë transmetuesi – Pejgamberi (alejhi selam) ua bëri detyrë prishjen e agjërimit”. Pas kësaj here, ne agjëronim me të Dërguarin kur ishim në udhëtim.” [5]
Dobi dhe rregulla
Së pari: Toleranca në Islam, lehtësia e dispozitave, marrja në konsideratë e gjendjes së atyre që kanë përgjegjësi, dhe për të gjitha këto, falënderimi i takon Allahut!
E dyta: Udhëtari mund të zgjedhë ndërmjet agjërimit ose mosagjërimit. Sunneti është që të bëjë atë që e ka më të lehtë, sepse hadithet tregojnë se ai është i lirë të zgjedhë.
E treta: Udhëtari që e ka të vështirë agjërimin është më mirë të mos agjërojë, kurse ai që e ka më të vështirë shlyerjen më vonë, sesa agjërimin në udhëtim, është më mirë të agjërojë në udhëtim, për arsye se kështu largon nga vetja vështirësinë e mëvonshme dhe shlyen detyrimin sa më parë.
E katërta: Ata që janë gjithmonë në udhëtim ose kanë udhëtime të shumta për shkak të punës, siç janë shoferët, për shembull, është më mirë që ta agjërojnë Ramazanin në udhëtim, nëse agjërimi nuk i dëmton dhe nuk kanë vështirësi, me qëllim që të përmbushin këtë detyrim. Madje, agjërimi mund të jetë detyrim mbi ta gjatë udhëtimit, nëse nuk kanë kohë tjetër për të agjëruar.
E pesta: Njeriu që ka përgjegjësi duhet ta çlirojë veten me sa të jetë e mundur nga detyrimet fetare.
E gjashta: Hadithet që flasin për udhëtimet e të Dërguarit (alejhi selam), na bëjnë të kuptojmë se agjërimi dhe mosagjërimi ishin në varësi të arritjes së dobisë më të madhe dhe shmangies së dëmit dhe vështirësisë. Për këtë arsye, muslimani duhet t’i përmbahet në këtë pikë udhëzimit të Pejgamberit (alejhi selam).
E shtata: Hadithi i Hamza Eslemiut është fakt që njeriu duhet të pyesë për çdo gjë që i paraqitet, a është e lejuar apo është më e vlefshme, se kështu vepronin sahabët (radijAllahu anhu).
E teta: Prijësit i lejohet të urdhërojë njerëzit që të veprojnë më të lehtën, dhe në këtë rast ajo bëhet e detyrueshme, sepse ata e kanë detyrë t’i binden prijësit. Bindja ndaj prijësit, në këtë rast, nuk është mëkat.
E nënta: Prijësi duhet të sillet butë me ata që janë nën kujdesin e tij. Ai duhet të marrë në konsideratë gjendjen e të dobtëve. Pejgamberi (alejhi selam) i urdhëroi të gjithë shokët e tij që të prishnin agjërimin, për të qenë më të fortë në përballjen me armikun. Megjithëse në mesin e tyre kishte të fortë, që nuk ndikoheshin nga agjërimi, ngaqë ishin mësuar me të, kishte edhe të tjerë që agjërimi i dobësonte. Kështu, Profeti (alejhi selam) i urdhëroi të gjithë që të mos agjëronin, duke marrë parasysh kategorinë e atyre që i dobësonte agjërimi.
E dhjeta: Në të tilla regulla, ku muslimani ka mundësi zgjedhjeje, ka lirshmëri, kështu që nuk duhet të qortojmë tjetrin për atë që zgjedh. Kjo vlen edhe për çështjet e diskutueshme, për të cilat nuk ka argumente të prera, pra edhe në këto çështje ka lirshmëri, në dashtë Allahu.
E njëmbëdhjeta: Mendimet e ndryshme të muslimanëve lidhur me trajtimin e disa lehtësimeve fetare apo mbi kuptimin e teksteve të Sheriatit nuk duhet të bëhen shkak për përçarje e armiqësi mes tyre.
E dymbëdhjeta: Këto hadithe tregojnë se sa të vëllazëruar e të dashur ishin dhe sa mirë i kuptonin çështjet e fesë sahabët (radijAllahu anhu) Ai që zgjidhte lehtësimin fetar të mosagjërimit nuk e shante atë që agjëronte dhe ai që agjëronte nuk e shante atë që zgjidhte lehtësimin.
E trembëdhjeta: Lejohet udhëtimi gjatë Ramazanit. Vetë Profeti (alejhi selam) udhëtoi gjatë Ramazanit vitin kur u çlirua Mekka. [6]
E katërmbëdhjeta: Kush ka ndër mend të udhëtojë të nesërmen, gjatë Ramazanit, nuk i lejohet ta bëjë nijet që në darkë se nuk do të agjërojë të nesërmen, sepse nuk mund të konsiderohesh udhëtar për qëllimin që ke, por konsiderohesh udhëtar vetëm atëherë kur nis udhëtimin. [7]
E pesëmbëdhjeta: Kush ka ndër mend të udhëtojë, nuk i lejohet të prishë agjërimin kur është në vendin e tij, derisa të dalë në udhëtim ose të ketë hipur në mjetin e udhëtimit. [8]
[1] Shënon Buhariu (1841) Muslimi (1121).
[2] Shënon Buhariu (4029) Muslimi (1113).
[3] Shënon Buhariu (1845) dhe Muslimi (1118).
[4] Shënon Muslimi (1116), Tirmidhi (713) dhe Ahmedi (3/12).
[5] Shënon Muslimi (1120), Ebu Daud (2406) dhe Amedi (3/35 ).
[6] Temhid (22/48).
[7] Temhid (22/49).
[8] Temhid ( 22/49).