Medhhebi i Imam Muslimit
Imamë të shumtë e kanë lavdëruar Imam Muslimin dhe secili prej tyre pretendonte se ai ishte pasues i medhhebit të tyre. Disa pretenduan se Imam Muslimi është pasues i medhhebit Shafi’ij. Megjithëse as ai as Buhariu nuk kanë trensmetuar në sahihun e tyre qoftë edhe një hadith të vetëm nga Imam Shafiu. Imam Shafiu nuk është përmendur as edhe një herë të vetme në dy sahihët. Këta bazohen në shpërndarjen e kapitujve dhe të temave në sahihun e tij. Kush sheh me vëmendje mënyrën e shpërndarjes së temave dhe të kapitujve në sahihun e muslimit krijon bindjen se ai është pasues i medhhebit shafi’ij. Por në të vërtetë këto kapituj dhe tema janë vendosur nga Imam Neveviu.
Imam Muslimi e ka shkruar sahihun e tij thjesht duke përmendur kapitujt dhe poshtë tyre të gjitha hadithet që lidhen me atë kapitull. Psh “Kapitulli i taharës” dhe poshtë tij ka sjellë me rradhë të gjitha hadithet e taharës pa i klasifikuar ato në tema. Disa të tjerë thanë ai është pasues i medhhebit të Imam Ahmedit. Madje kështu është shprehur për të Imam Ibn Kajjimi në librin e tij “I’lam el muakki’in”. Ai është treguar shumë i përpiktë dhe i saktë kur i ka përshkruar Imam Muslimin dhe Imam Ebu Daudin si shokë dhe pasues të Imam Ahmedit. Ata me të vërtetë janë shokë dhe pasues të Imam Ahmedit (por jo imitues të medhhebit të tij). Secili prej tyre ka bërë një punim ku shtjellon pyetjet që i patën drejtuar Imam Ahmedit. Punimi i Ebu Daudit rreth pyetjeve të drejtuara Imam Ahmedit, janë të botuara, ndërsa punimi i imam Muslimit është i humbur.
Ibn ebi Jea’la e ka përcaktuar Imam Muslimin si një prej dijetarëve të medhhebit të Imam Ahmedit në librin e tij “Tabakat el hanabile”. Ndërsa pasues të medhhebit malikij kanë përmendur Imam Muslimin si pasues të medhhebit Malikij, për shkak se ai ka transmetuar hadithe muselsele deri tek Imam Maliku. Por ajo që mund të themi është se Imam Muslimi është Imam prej Imamëve të fikhut i cili ka mendimet dhe opinionet e veta në çështjet e fikhut. Edhe nëse mund të ndodhë që disa përzgjedhje të tij në fikh të përkojnë me përzgjedhjet e imamëve të tjerë, kjo është bërë me ixhtihadin e tij dhe jo në formë taklidi (konformizmi) ndaj një medhhebi të caktuar. Çdo kush që pretendon se ai ka qënë pasues i ndonjë medhhebi të caktuar ai është i gabuar.
Akideja e Imam Muslimit
Akidja e Imam Muslimit është akide selefije e pastër. Kjo shfaqet qartë në hadithet që ka vendosur në kapitullin e Imanit. Më pas në shpjegimin e kapitujve do të kuptojmë qartë se çdo hadith është vendosur në këtë libër me argument dhe me qëllim të caktuar. Ebu Uthman el Sabuni në librin e tij “Akideja e dijetarëve të hadithit” ka përmendur prej Kutejbetu Ibn Seid që ka thënë: “Kush i do dijetarët e sunnetit dhe hadithit ai është prej ehli sunnetit dhe hadithit”. Ndërsa ebu Uthman el Sabuni shtoi dhe tha: “Madje unë shtoj dhe them se kush e do filanin, filanin dhe përmendi mes tyre Imam Muslimin, ai është prej ehli sunnetit dhe hadithit. Dashuria për Imam Muslimin konsiderohet si shenjë prej shenjave të ehli sunnetit, sepse akidja e tij është konform akides së ehli sunnetit.
Shejh el Xhilanij, në shpjegim të akides së ehli sunnetit në lidhje me çështjen e El istiva (qëndrimit të Allahut mbi arsh) dhe cilësive të Allahut të lartësuar, ka përmendur në librin e tij “El bunjeh” tekste të shumta nga Imam Muslimi i cili i pranon ato dhe i beson konform mënyrës së ehli sunnetit dhe xhematit. Kështu pra Imam Muslimi ka akide selefije të pastër dhe është muxhtehid në çështjet e fikhut dhe nuk i përket asnjë medhhebi të caktuar. Sepse thjesht me faktin se ai ka marrë dhe ka transmetuar prej ndonjë imami nuk tregon se ai është pasues i medhhhebit të atij imami. Edhe Imam Shafiu ka marë prej imam Malikut por askush nuk thotë se Shafiu është pasues i medhhebit të Imam Malikut.