Aliu (radijAllahu anhu) ra shehid ditën e 17-të të muajit Ramazan të vitit 40 H. Ai që e vrau ishte Abdurrahman Ibn Mulxhimi, një havarixh, i cili besonte se duke vrarë Aliun (radijAllahu anhu) po bënte një vepër sublime, me të cilën do të fitonte kënaqësinë e Allahut!!!
Pas disfatës së rëndë që pësuan havarixhët, tre prej tyre, Abdurrahman Ibn Mulxhimi, Berk Ibn Abdullahi dhe Amr Ibn Bekri, u mblodhën për të përkujtuar humbjen dhe të vrarët e tyre. Njëri prej tyre tha: “Ah, sikur t’i vrisnim krerët e së keqes e të gjenim paqe!” Abdurrahman Ibn Mulxhimi tha: “Unë zotohem që të vras Aliun!” Berk Ibn Abdullahu tha: “Unë zotohem që të vras Muavijen!” Ndërsa i treti i tyre, Amr Ibn Bekri tha: “Unë zotohem që të vras Amru Ibn el-Asin!”
Ata i dhanë besën njëri-tjetrit që nuk do t’i ndaheshin personit që kishin marrë përsipër vrasjen e tij, derisa ta vrisnin, ose të vriteshin, duke luftuar për këtë qëllim. Pasi bën përgatitjet për planin e tyre, ata ranë dakord që secili duhej të gjendej në vendndodhjen e objektivit të tij, në natën e shtatëmbëdhjetë të muajit Ramazan.
Ibn Mulxhimi u nis për në Kufa, duke e mbajtur të fshehtë qëllimin e tij, madje edhe ndaj shokëve të tij havarixhë që gjendeshin atje. Në kohën kur ai po rrinte me disa njerëz nga fisi Beni Rabab dhe po kujtonin të vrarët e tyre në Nahrauan, afrohet një grua nga fisi i tyre, të cilën e quanin Kutam bintu Shexhne dhe që shquhej për bukurinë e saj. Kësaj gruaje, Aliu (radijAllahu anhu), në ditën e Nahrauanit i kishte vrarë babanë dhe vëllanë. Qysh atëherë, ajo ishte veçuar nga njerëzit dhe jetonte në xhaminë kryesore për të adhuruar Allahun.
Ibn Mulxhimi sapo e pa atë grua, iu prish mendja dhe e harroi misionin, për të cilin gjendej aty. Menjëherë, ai shkoi të kërkojë dorën saj, por gruaja i vuri kusht që t’i jepte tre mijë dirhemë, një shërbëtor, një shërbëtore dhe që të vriste për të Ali Ibn Ebu Talibin. Ai tha: “Do ta vras atë! Pasha Allahun, nuk më ka sjellë në këtë vend, veçse synimi për të vrarë Aliun!”
Ibn Mulxhimi u martua me të dhe ajo nuk reshti së nxituri burrin për përmbushjen e misionit. Gruaja i vuri në shërbim një burrë nga fisi i saj, të cilin e quanin Uirdan. Ibn Mulxhimi mori në shërbim edhe një burrë tjetër që e quanin Shebib Ibn Nexhde el-Eshxhei, të cilin e pyeti: – A dëshiron që të jesh i nderuar në këtë botë dhe në botën tjetër? – E si mund ta arrijë këtë? – i tha – Duke vrarë Aliun. – iu përgjigj.
– Mos të pastë nëna! E si mund ta bëjmë një gjë të tillë? – Të fshihemi në xhaminë e tij dhe kur ai të dalë për të falur namazin e sabahut, atëherë ta sulmojmë dhe ta vrasim. Nëse shpëtojmë pas kësaj, atëherë kemi qetësuar shpirtin tonë dhe kemi marrë hakun, e nëse vritemi, ajo që na pret tek Allahu është më e mirë se kjo dynja!
– Ç’thua? Si mund ta bëjmë një gjë të tillë, kur dihet që Aliu ka hyrë herët në Islam dhe është i afërm i të Dërguarit të Allahut?! Nuk më duket e drejtë vrasja e tij!” – kundërshtoi burri. – Vallë, nuk e di se ai ka vrarë shokët tanë në Nahrauan? – Po, e di. – u përgjigj. – Atëherë ta vrasim si hakmarrje për ta. – përfundoi Ibën Mulxhimi.
Shebib Ibn Nexhde el Eshxhei ra dakord. Kur hyri muaji i Ramazanit, Ibn Mulxhimi la takim me dy bashkëpunëtorët e tij, ditën e Xhuma, të datës shtatëmbëdhjetë. Ai tha: “Kjo është nata për të cilën ju jam zotuar shokëve të mi, se do të marrim hak ndaj Aliut, Muavijes dhe Amr Ibn el-Asit.
Të tre të përbetuarit, Ibn Mulxhimi, Uirdani dhe Shebibi, hynë në xhami me shpatat e fshehura dhe u ulën përballë derës, nga e cila dilte Aliu (radijAllahu anhu). Kur Aliu doli nga shtëpia, nisi të zgjonte njerëzit për namaz, duke thirrur: “Namazi, namazi!” Atëherë, Shebibi i vërsulet dhe tenton ta godasë me shpatë, por doli huq.
Pastaj Ibn Mulxhimi e goditi me shpatë në ballë dhe gjaku i rrodhi në mjekrrën e tij (radijAllahu anhu). Kur e goditi Aliun (radijAllahu anhu), ai tha: “Gjykimi nuk i takon askujt tjetër, veç Allahut dhe nuk të takon ty, o Ali dhe as shokëve të tu!” Më pas filloi të lexonte fjalën e Allahut: “Dhe ka njerëz, të cilët e ofrojnë veten e tyre për të kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe padyshim Allahu është i Mëshirshëm me robërit e Tij.”
Aliu thirri: “Kapeni atë!” Ndërkohë, Uirdani ia mbathi, por atë e zuri një burrë nga Hadrameuti dhe e vrau në vend. Shebibi arriti të arratisej, ndërsa Ibn Mulxhimi u kap i gjallë. Aliu, ashtu i plagosur rëndë caktoi Xheade Ibn Hubejran si imam të njerëzve për namazin e sabahut, ndërsa atë vetë e çuan në shtëpi.
Më vonë, Ibn Mulxhimin ia çuan Aliut (radijAllahu anhu) dhe ndërsa qëndronte i lidhur para tij, ai i tha: – O armik i Allahut! A nuk të kam bërë të mira ty? – Po, – u përgjigj ai. – Atëherë ç’të shtyu që ta bësh këtë? – Unë e futa shpatën në helm për dyzetë ditë dhe iu luta Allahut që të vriste me të krijesën më të keqe të Tij. – tha ai. – Atëherë, me atë shpatë do të vritesh! Unë jam i bindur se ti je krijesa më e keqe Allahut. – iu përgjigj Aliu.
Pastaj iu drejtua të pranishmëve: “Nëse unë vdes, vriteni atë, e nëse jetoj, di unë se ç’do të bëj me të.” Xhundub Ibn Abdullahi i tha: “O prijës i besimtarëve! Nëse ti vdes, a të caktojmë Hasenin si prijës të besimtarëve dhe t’ia japim besën atij?” “Unë as nuk ju urdhëroj, e as nuk ju ndaloj për këtë. Ju e dini më mirë çështjen tuaj!” – u përgjigj Aliu.
Më pas, Aliu (radijAllahu anhu) thirri pranë vetes dy bijtë e tij, Hasanin dhe Husejnin (radijAllahu anhum). Ai i porositi që të kenë frikë Allahun, të falin namazin, të japin Zekatin, të frenojnë zemërimin, të mbajnë lidhjet e gjakut, të sigurohen në çështjet e fesë dhe mosmarrveshjet që mund të hasin, të mbështeten për zgjidhje gjithmonë tek Kur’ani dhe Sunneti.
Pasi përfundoi të gjitha këshillat dhe porositë, nisi të përsëriste fjalën: “La ilahe il-Allah” dhe nuk tha gjë tjetër veç saj derisa dha shpirt”. [1] Allahu qoftë i kënaqur me prijësin e besimtarëve, Ali bin Ebi Talibin dhe na bashkoftë me të në Xhenetet e Tij të begata!
Viti i Bashkimit, 41 H
Pas vrasjes së Aliut (radijAllahu anhu), banorët e Irakut ia dhanë besën Hasanit (radijAllahu anhu), i cili përgatiti një ushtri të madhe për të luftuar Muavijen (radijAllahu anhu). Gjithashtu, edhe Muavija përgatiti një ushtri të ngjashme. Imam Buhariu transmeton në Sahihun e tij se Hasan el-Basriu ka thënë: “Hasani (radijAllahu anhu) u vendos përballë Muavijes me divizione ushtarake të mëdha që përngjanin si male.
Kur i pa këto, Amru Ibn el-Asi tha: “Me të vërtetë unë shoh se këto ushtri, nuk do të kthehen pa e vrarë kundërshtarin e tyre.” Muavija iu përgjigj: “O Amër! Në qoftë se ata do të na vrasin dhe ne do t’i vrasim ata, atëherë çfarë dobie do të kenë muslimanët?! Prandaj, Muavija (radijAllahu anhu) dërgoi dy burra kurejshë, Abdurrahman Ibn Semuran dhe Abdullah Ibn Amrin që t’i kërkonin Hasanit (radijAllahu anhu) paqe dhe ujdi.
Kur të dy të dërguarit shkuan tek Hasani dhe i shpalosën qëllimin e mirë dhe bindjen për të arritur një ujdi që siguronte stabilitetin e shtetit Islam, Hasani, pasi pranoi zotimet dhe garancinë që ofronin, jo vetëm që ra dakort për paqen, por u tregua i gatshëm që të hiqte dorë nga Hilafeti (qeverisja), duke ia dorëzuar pushtetin paqësisht Muavijes (radijAllahu anhu).
Kjo marrëveshje i dha fund, njëherë e përgjithmonë, trazirave dhe mosmarrëveshjeve mes muslimanëve. Me këtë akt të pashembullt që Hasani ndërmori, duke hequr dorë nga pushteti, në këmbim të paqes dhe pajtimit mes muslimanëve, u vërtetua profetësia e Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem), i cili kishte thënë: “Me të vërtetë ky djali im (nipi im, Hasani) është zotëri dhe kam shpresë se Allahu (Xheleshanuhu) do ta bëjë shkak të pajtimit mes dy grupeve të mëdha të muslimanëve.” [2]
[1] Transmeton Taberiu, në et-Tarih 5/40-42.
[2] Transmeton Buhariu, me nr. 2 704.