Nga sqarimi që bën Ibn Kajjim mbi shirkun dhe realitetin e tij del se edhe rabta-ja që praktikojnë sektet e sufizmit, si sulejmanxhijtë, është shirk. Sulejmanxhijtë, për rabta-n me shejhun, kanë po ato përfytyrime që kanë pasur mushrikët që, sipas tyre, lidheshin e u kushtoheshin shpirtrave të epërm, duke kërkuar dritën dhe të mirat që këtyre të fundit u vinte nga Allahu i Lartësuar.
Këtë lloj rabta-je e përmend edhe Osman Nuri Tobash në librin ‘Vargu i profetëve’, një libër ky i përkthyer në shqip fq. 88-98 (lidhja me shehun-murshidin e tarikatit).
Kjo lloj rabta-je (lidhjeje) përmban disa gjëra që bëjnë të quhet shirk:
- Kërkimi i të mirave dhe dritës, sipas tyre, nga shpirti i shejhut nëpërmjet lidhjes me të, duke pretenduar se me anë të kësaj lidhjeje arrihet që të zbrazen të mirat e drita nga shpirti i i shehut të vdekur dhe të kalojnë tek shpirti i ithtarit që bën lidhjen me shehun.
- Kushtimi ndaj shehut të vdekur me zemrën plot vëmendje e përulshmëri.
- Shpresa për arritjen e të mirave dhe dritës nga shpirti i shehut të vdekur dhe frika se mos shehu nuk t’i jep ato.
- Pretendimi se shpirti i atij që bën rabta-n përmirësohet me të mirat dhe dritën që i vijnë nga shpirti i shehut, ndërkohë që dihet se dritën dhe të mirat shpirtit të njeriut ia jep vetëm se Allahu i Lartësuar.
- Pretendimi se shehu i vdekur ose shpirti i tij i vështron zemrat e atyre që bëjnë rabta dhe e di gjendjen e shpirtrave të tyre kudo që të ndodhen, ndërkohë që zemrat i vështron vetëm Allahu dhe vetëm ai e di gjendjen e zemrave të njerëzve. Dijetarët e medh’hebit hanefi pohojnë se kush thotë që shpirtrat janë të pranishëm dhe dinë se ç’bëhet, ai është kafir. Në “Fetaval Bezzazije”, një libër i medh’hebit hanefi, thuhet: “Dijetarët tonë kanë thënë: “Kush thotë: “Shpirtrat e shehlerëve janë të pranishëm dhe dinë se ç’bëhet, ai bëhet kafir” (El Bahru rraiku sherhu kenzi dekaiki: 5/134).
- Konsiderimi i shehut si ndërmjetësues mes atij që bën rabta-n dhe Allahut të Lartësuar, me besimin se të mirat dhe drita vijnë nga Allahu i Lartësuar tek shpirti i shehut dhe nga shpirti i shehut përçohen tek shpirtrat e atyre që bëjnë rabta-n me shehun e vdekur! Sulejmanxhijtë nuk ngurrojnë ta krahasojnë këtë proçes të gënjeshtërt ndërmjetësimi me stacionet dhe gabinat që bëjnë transmetimin dhe shpërndarjen e rrymës elektrike, gjë që e kanë pohuar shumë nxënës të tyre!
- Krahasimi i Allahut të Lartësuar me mbretërit; ashtu sikurse arrin të mira ai që ka lidhje me një mik të ngushtë të mbretit, po kështu arrin të mira edhe ai që lidhet me shehun. Kështu, i bie të krahasohet Allahu i Lartësuar i Cili s’ka nevojë për asgjë dhe ka cilësi të përkryera, si: dituri të plotë, pushtet të plotë, fuqi të plotë, pra i bie të krahasohet Allahu i Lartësuar me krijesat që kanë mangësi dhe nevojë për njëra-tjetrën.
Sun’ullah el Halebijj, një dijetar i medh’hebit hanefi, në librin “Sejfullah ala men kedhebe ala evlijail-lahi- Shpata e Allahut kundër atyre që gënjejnë ndaj evlijave të Allahut” e quan shirk besimin se evlijatë (njerëzit e mirë) kryejnë veprime të fshehta gjatë jetës dhe pas vdekjes, kërkimin e ndihmës prej tyre, thirrjen që u bëhet atyre për plotësimin e nevojave, kurbanet dhe zotimet për ta. Ky dijetar i konsideron ateistë e të devijuar ata që thonë se shpirtrat janë të lirë dhe kryejnë veprime në gjithësi. Sun’ullah el Halebijj është një dijetar hanefi, me origjinë nga Halebi dhe banor i Mekkës, ka vdekur në vitin 1120 h.
Dy ajete të Kur’anit që hedhin poshtë ndërmjetësimin (shefatin) që është shirk:
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata adhurojnë në vend të Allahut disa që as nuk u bëjnë dëm, as nuk u sjellin dobi, duke thënë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu”! Thuaju: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?! I Dëlirë dhe i Lartësuar është Ai nga gjithçka që ia shoqërojnë Atij në adhurim!” (Junus: 18) Në këtë ajet Allahu e quan shirk marrjen e ndërmjetësuesve ashtu siç besonin e vepronin idhujtarët.
Po ashtu, Ai thotë: “Ata që adhurojnë evlija-të (ose idhujt) në vend të Allahut (thonë): “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë tek Allahu. Sigurisht, Allahu do të ndajë gjyqin ndërmjet tyre (dhe muslimanëve që e kanë njësuar adhurimin për Allahun) për kundërshtinë që kanë pasur (në lidhje me njësimin e adhurimit për Allahun dhe adhurimin e idhujve). Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e kafir (femohues)” (Ez-Zumer: 3) Në këtë ajet Allahu i Lartësuar e përgënjeshtron marrjen e idhujve si ndërmjetësues tek Ai dhe i quan kafira ata që kanë një pretendim të tillë.
Vërejtje: Edhe pse rabta-ja që bëjnë sulejmanxhijtë është shirk, nuk lejohet të nxitohemi për të bërë kafira (të shpallim jobesimtarë) pjesëtarët e këtij sekti pa verifikuar mirë plotësimin e kushteve të tekfirit, si informimi mbi argumentin fetar, dhe mungesën e pengesave të tekfirit të muslimanit si: padituria, intepretimi dhe imitimi.