Ebu Bekri (radijAllahu anhu) realizoi vepra të rëndësishme, arriti fitore madhështore dhe megjithëse qeverisja e tij nuk zgjati më shumë se dy vjet e tre muaj, ajo ishte e mbushur plot me mirësi.
Ndër punët më të rëndësishme që Ebu Bekri realizoi veçojmë; dërgimin e ushtrisë së përgatitur nën udhëheqjen e Usameh bin Zejd-it në betejën që kishte caktuar Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pak para vdekjes së tij, luftimin e dezertorëve, grumbullimin e Kuranit në një mus’haf (libër) të vetëm, çlirimet e tokave të reja, etj.
Ushtria e udhëhequr nga Usameh bin Zejdi
Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kishte përgatitur një ushtri pak para vdekjes së tij. Komandant të saj kishte caktuar një djalosh të ri, Usameh bin Zejdin. Kjo ushtri, e cila në përbërje të saj kishte njerëzit më të mëdhenj dhe më të zgjedhur të sahabëve, do të marshonte drejt rrethinave të Shamit, për t’u përballur me ushtrinë bizantine.
Kjo ushtri nuk arriti të nisej në këtë mision, për shkak të sëmundjes së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ushtria qëndroi në gatishmëri, derisa ndërroi jetë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe udhëheqja e muslimanëve i kaloi Ebu Bekrit.
Ndërkohë, pas vdekjes së Profetit, disa fise arabe dezertuan nga Islami. Përballë kësaj situate, komandanti i ushtrisë Usama bin Zejdi dhe shumë sahabë të tjerë ishin të mendimit që kjo ushtri të mos nisej, derisa të stabilizohej gjendja. Mirëpo, Ebu Bekri ishte i vendosur që ta niste ushtrinë. Ai tha: “Nuk më lejohet mua që të marr vendim tjetër, veç atij që ka vendosur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”
Usama u nis me ushtrinë e tij drejt tokave të Shamit. Pasi e kishte kryer me sukses këtë mision, Usama, bashkë me ushtrinë e tij u kthyen shëndoshë e mirë në Medine brenda dyzetë ditëve.
Dezertorët
Dezertorët mund t’i ndajmë në tre grupe:
Grupi i parë: Dezertorë që iu rikthyen adhurimit të idhujve.
Grupi i dytë: Dezertorë që ndoqën profetët e rremë.
Grupi i tretë: Ata që refuzuan ta njihnin si obligim dhënien e zekatit, me pretendimin se zekati ishte obligim vetëm gjatë jetës së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ky grup dërgoi një delegacion në Medine për të dialoguar me sahabët.
Shumë prej sahabëve polemizuan me Ebu Bekrin, lidhur me vendimin e tij për ta luftuar këtë kategori të fundit. Ndër sahabët që polemizuan rreth kësaj çështjeje ishte Umeri, Ebu Ubejde, Salimi, etj. Megjithatë, Ebu Bekri (Radiallahu anhu!) këmbënguli në vendimin e tij. Ai tha: “Betohem në Allahun! Sikur ata të refuzojnë të japin qoftë edhe një deve, të cilën ia jepnin Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), unë do t’i luftoja për këtë!”
Umeri iu përgjigj: “Si do t’i luftosh ata, kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush thotë La ilahe il lallah, e ka të siguruar veten dhe pasurinë e tij, veçse me të drejtën e Islamit, ndërsa llogaria e tij është tek Allahu!”
Ebu Bekri tha: “Betohem për Allahun! Do ta luftoj çdokënd që bën dallim mes namazit dhe zekatit sepse ashtu siç namazi është obligim, edhe zekati është obligimi i pasurisë.” [1]
Mendimi i sahabëve të tjerë ishte që në këtë rast të silleshin me butësi me atë kategori. Umeri tha: “O mëkëmbësi i Profetit! Sillu butë me njerëzit!”
Ebu Bekri (radiallahu anhu!) iu përgjigj duke i thënë: “Shpresoja në ndihmën tënde, kurse ti më vjen i përulur dhe i nënshtruar?! Ti ishe i fortë e i ashpër para Islamit, a po tregohesh frikacak tani që je musliman?! Shpallja është ndërprerë dhe feja është plotësuar! A mos mendon se unë mund të lejoj cënimin e dispozitave të fesë?! A nuk ka thënë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Veçse me të drejtën e Islamit” dhe prej të drejtës së Islamit është falja e namazit dhe dhënia e zekatit?! Betohem në Allahun! Sikur të gjithë njerëzit të më braktisin, unë do t’i luftoj ata i vetëm!” [2]
Ebu Bekri demostroi se Islami është një i tërë dhe nuk mund të copëtohet, nuk mund të pranosh një pjesë të tij dhe të refuzosh një pjesë tjetër! Zekati është dispozita më e rëndësishme në sistemin ekonomik islam. Dhënia e zekatit konsiderohet adhurim madhor, madje zekati është njëra nga pesë shtyllat e Islamit.
Enes bin Maliku ka thënë: “Sahabët nuk donin t’i luftonin ata që refuzuan dhënien e zekatit sepse i konsideronin muslimanë. Mirëpo, Ebu Bekri mori shpatën dhe u bë gati që të nisej i vetëm. Kur panë vendosmërinë e tij, sahabëve nuk u mbeti zgjidhje tjetër, veçse t’i shkonin pas.”
Ibn Mesudi ka thënë: “Fillimisht, ne nuk e pelqyem diçka të tillë, por më pas, ne e lavdëronim Ebu Bekrin për iniciativën e tij.”
Ebu Bekr bin Ajashi ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Husajnin të ketë thënë: “Pas profetëve, nuk ka lindur njeri më i mirë se Ebu Bekri, i cili u tregua i qëndrueshëm kundër dezertorëve, sikur të ishte prej profetëve të Allahut.” [3]
Ebu Bekri (Radiallahu anhu!), përpara se t’i luftonte dezertorët, u dërgonte një mesazh në të cilin u bënte thirrje që të ktheheshin tek e vërteta, duke u dhënë dhe një mundësi të fundit për të shmangur luftën.[4] Ushtria muslimane e udhëhequr nga Ebu Bekri arriti që brenda një viti t’i japë fund trazirave të shkaktuara nga dezertorët.
Përmbledhja e Kuranit në një mus’haf (libër) të vetëm
Imam Buhariu transmeton në Sahihun e tij se Zejd bin Thabiti ka treguar: “Ebu Bekri (radijAllahu anhu) pas luftës së Jemames dërgoi dikë për të më thirrur. Unë shkova dhe gjeta aty Umerin. Ebu Bekri më tha: “Umeri erdhi tek unë dhe shprehu shqetësimin se në luftën e Jemames u vranë shumë prej hafizëve dhe lexuesve të Kur’anit.
Ai hodhi mendimin se nëse do të humbisnim hafizë të tjerë nëpër beteja, ne do të rrezikonim humbjen e ndonjë pjese prej Kuranit. Umeri më sugjeroi përmbledhjen e Kuranit në një mus’haf (libër) dhe këmbënguli aq shumë, sa Allahu më bëri të kuptoj se shqetësimi i tij është i drejtë.”
Ebu Bekri, pas kësaj bisede, urdhëroi Zejd bin Thabitin që të bënte përmbledhjen e Kur’anit. Ai kërkoi të sillej gjithçka, në të cilën të ishte shkruar ndonjë pjesë nga Kur’ani, të tilla si: lëkurë bagëtish, degë hurme, lëvore pemësh, pllakë guri, etj. Çdo objekt i shkruar verifikohej, duke e krahasuar me memorizimin e Kuranit nga sahabët.
Zgjerimi i territoreve islame
Pushteti i Ebu Bekrit u fuqizua dhe trazirat e dezertorëve morën fund. Tashmë kishte ardhur koha që Ebu Bekri të përhapte dëshminë La ilahe il-lallah, Muhamedun Resulullah në vise të reja. Ishte koha më e përshtatshme për përhapjen e thirrjes Islame edhe në vise të reja, jashtë gadishullit Arabik.
Zgjerimi i tokave islame shtrihej në dy drejtime kryesore; në drejtim të Persisë dhe në drejtim të Bizantit.
[1] Transmeton Buhariu, nr. 7 284 dhe Muslimi, nr. 20
[2] Marrë nga libri Tarihul islamij, fq. 68, Mahmud Shakir
[3] Këto tre transmetime janë marrë nga libri Mearixhul Kabul 3/1 333, i Hafidh el Hakemij
[4] Teksti i ketij mesazhi gjendet ne librin El Bidajeh uen-nihajeh, fq. 320-321, Ibn Kethiri