Nëse këto kushte nuk plotësohen, besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut nuk është i saktë.
– Kushti i parë. Besimi në emrat e Allahut. Ky kusht përmban dy rregulla:
1- Pohimi i emrave të Allahut në mënyrë konkrete.
Emrat Err-Rrahman – الرحمن dhe Err-Rrahim – الرحیم , ia pohojmë realisht Allahut.
Shejkhul Islam Ibn Tejmijje ka thënë: “Të gjithë ata, të cilët ia pohojnë emrat Allahut të Madhëruar, besojnë se Ai është me të vërtetë El Haj – الحي (i Gjalli, i Përjetshmi) dhe El Alim – العلیم (i Gjithëdijshëm), e kështu me radhë në të gjithë emrat e Tij.”
2- Pjesë e besimit në emrat e Allahut, është besimi që Ai nuk u përngjason krijesave: “Asgjë nuk i ngjason Atij.”
– Kushti i dytë. Besimi në domethënien (kuptimin) e emrave të Allahut dhe në cilësitë që përbajnë ata. Kur dikush beson vetëm në emrat e Allahut dhe nuk beson se këta emra kanë domethënie të kuptueshme për ne, besimi i tij në emrat e Allahut nuk është i saktë. Për këtë tregojnë dy fakte:
a- Mosbesimi në domethëniet që kanë emrat e Allahut është “ilhadi” (devijimi) më i madh nga e vërteta: “Lëri ata të cilët devijojnë në emrat e Allahut, ata do të shpërblehen për atë që kanë vepruar.” (Araf : 180)
b- Kemi thënë në rregullin e parë se emrat e Allahut janë të bukur dhe me domethënie të përkryer. Siç dihet, një emër i bukur dallohet nga një emër tjetër jo i bukur, për shkak të domethënies së tij. Sikur emrat e Allahut të mos përmbanin domethënie dhe cilësi të përkryera, siç thonë grupet e humbura, atëherë nuk do të ishin të përsosur dhe në kulmin e bukurisë.
Çdo emër i Allahut është Alem – علم (emër i përveçëm që tregon për Qenien e Allahut) dhe Uesfun – وصف (atribut që tregon për një cilësi dhe domethënie të caktuar).
Emrat e Allahut janë të përveçëm, duke marrë parasysh faktin që ata tregojnë për Qenien e Allahut, dhe atribute, duke marrë parasysh domethëniet dhe cilësitë për të cilat ata tregojnë. Atëherë të gjithë emrat e Allahut kanë të njëjtën vlerë, për sa i përket faktit që ata tregojnë për një qenie të vetme (Allahun), kurse për sa i përket cilësive dhe domethënieve të tyre, janë të ndryshëm, sepse çdo emër tregon për një cilësi dhe një kuptim të vëçantë, për të cilin nuk tregon asnjë emër tjetër.
Ibn Uthejmin ka thënë: “Për këtë tregon Kur’ani dhe gjuha arabe. Në një ajet të Kur’anit Allahu thotë: ‘Ai është Mëkatfalësi, Mëshirëbërësi.’ (Junus : 107) ‘Zoti yt është Mëkatfalësi (El-Gafurr) që ka mëshirë (rrahme).’ Emrin Err-Rrahim – الرحیم , të përmendur në ajetin e parë, Allahu e ka shpjeguar në ajetin e dytë me fjalën e Tij: ‘që ka mëshirë’ – ذوالرحمة . Kjo tregon se emri i Allahut Err-Rrahim – الرحیم , ka kuptimin: Allahu ka mëshirë. Sikurse Err-Rrahim, po ashtu edhe çdo emër tjetër i Allahut, ka domethënien e tij.”
Të gjithë dijetarët e gjuhës arabe dhe të gjithë njerëzit me logjikë të shëndoshë, e mbështesin këtë që thamë. Mund t’i thuhet El Haj – الحي – i Gjalli, vetëm atij që ka jetë dhe mund t’i thuhet El Alim – العلیم – i Gjithëdituri, vetëm atij që ka dije, e jo atij që nuk ka. Nga kjo që sqaruam, del në pah (bëhet i qartë) devijimi dhe humbja e mutezilëve, të cilët i kanë mohuar domethëniet dhe cilësitë që përmbajnë emrat e Allahut. Ata thonë se po t’i pohonim Allahut shumë cilësi, kjo do të thoshte se qeniet që nuk kanë fillim janë të shumta, kur dihet që i Pafillimtë është vetëm Allahu i Lartësuar. Kjo arsye është e pasaktë dhe e palogjikshme.
Argumentet e Kur’anit dhe të Sunetit, si dhe logjika e shëndoshë e hedhin poshtë këtë:
1- Kur’ani dhe Suneti.
Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Veten e Tij në Kur’an me shumë cilësi e atribute. Nëse këto cilësi do të tregonin se ka shumë qenie që nuk kanë fillim krahas Allahut, atëherë Allahu nuk do të kishte përmendur në Kur’an se Ai është i cilësuar me këto cilësi: “Me të vërtetë goditja e Zotit tënd është e fortë. Me të vërtetë Ai është i Cili e fillon dhe e përsërit krijimin dhe Ai është që i fal mëkatet dhe është i dashur.
Ai është Zot i Arshit madhështor dhe gjithëveprues i asaj që dëshiron e punon.” (Buruxh : 12-15) “Madhëroje emrin e Zotit tënd më të Lartit, i Cili krijoi (gjithçka) dhe pastaj e përpjestoi drejt (këtë krijim).” (El A’la : 1-2) Në këto ajete Allahu na ka bërë të njohur disa cilësi të Qenies së Tij. Sikur të ishte e saktë ajo që thonë mutezilitët, Ai nuk do t’ia kishte atribuar Vetes së Tij këto cilësi.
2- Logjika.
Logjika e shëndoshë tregon se cilësia e një qenieje nuk është e shkëputur nga vetë qenia, por është veti (atribut) thelbësor dhe e përhershme e saj. Prandaj cilësitë janë veti (atribute) të Allahut, i Cili është përshkruar me to. Mendja e njeriut nuk mund të përfytyrojë asgjë që ekziston, të pacilësuar me disa veti të saj. Çdo qenie, detyrimisht ka këto cilësi:
a- Ekzistencën.
b- Kjo ekzistencë është e mundshme ose e domosdoshme (e detyrueshme).
c- Kjo ekzistencë është cilësi e një qenieje ose është qenia vetë.
Pasi sqaruam që emrat e Allahut janë të gjthë të bukur sepse përmbajnë domethënie të përkryera, duhet të bëhet e ditur se “koha” (ed-dehru – الدهر ), nuk është prej emrave të Allahut. Kjo fjalë nuk përmban ndonjë domethënie të bukur dhe të përkryer që të bëjë pjesë në emrat e Allahut. “Ed-dehr” është emër i kohës, koha është e krijuar, ajo është kalimi i ditëve dhe i netëve. Allahu Te’Ala thotë në Kur’an për mohuesit e ringjalljes: “Ata thanë se kjo nuk është gjë tjetër vetëm se jetë e kësaj bote, vdesim e ngjallemi dhe nuk na shkatërron (zhduk) vetëm se ed-dehr (koha).”
Këtu bëhët fjalë se shkatërruese është ed-dehr, e cila është kalimi i ditëve dhe i neteve, prandaj ed-dehr (koha), nuk ka ndonjë domethënie të bukur e të përkryer që të jetë një nga emrat e bukur të Allahut. Për sa i përket hadithit të Profeti (alejhi selam), ku thuhet se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Më bën keq Mua biri i Ademit (më shan, nuk më lartëson, pastron, dlirëson nga të metat), ai e shan kohën kur Unë jam koha. Në dorën Time është komandimi dhe rregullimi i çështjeve. Unë bëj ndryshimin e natës dhe të ditës.”, ai nuk tregon se koha është prej emrave të Allahut.
Ajo që shanin disa nga bijtë e Ademit është koha në të cilën ndodhin ngjarje të ndryshme dhe e cila perceptohet nga kalimin i ditës dhe natës. Të gjitha këto janë të krijuara, prandaj fjala e Allahut “…Unë jam koha…”, është shpjeguar me fjalët “…në dorën Time është komandimi dhe rregullimi i çështjeve, Unë bëj ndryshimin e natës dhe të ditës”. Kjo tregon se Allahu me fjalën “ed-dehr”, ka pasur për qëllim kuptimin: “Unë jam krijuesi i kohës, bëj ndryshimin e ditës dhe të natës.” Në hadith, koha është përshkruar si diçka që ndryshon dhe kalon. Allahu nuk mund të jetë Ai që ndryshon dhe kalon, por Ai që bën të mundur ndryshimin dhe kalimin e kohës.
– Kushti i tretë. Besimi dhe pohimi i veprimeve, ndikimeve dhe pasojave që rrjedhin nga emrat e Allahut.
Emri i Allahut Err-Rrahim – الرحیم – Mëshirëbërësi, tregon se Allahu ka rrahmet – – رحمة mëshirë, dhe si rrjedhojë e Mëshirës së Tij është mirëbërja ndaj krijesave: futja e disave prej tyre në Xhennet, zbritja e shiut e të tjera pasoja, ndikime e veprime që rrjedhin nga kjo mëshirë, e të cilat nuk mund të numërohen. Por jo nga të gjithë emrat e Allahut rrjedhin veprime, ndikime, gjurmë dhe pasoja. Në lidhje me këtë çështje, emrat e Allahut ndahen në dy grupe:
Grupi i parë.
Emra prej të cilëve rrjedhin veprime, pasoja e ndikime, domethënia e të cilëve mund të quhet kalimtare ose veprore, si për shembull emri i Allahut Err-Rrahim – الرحیم Mëshirëbërësi. Në qoftë se domethënia e emrave të Allahut është veprore ose kalimtare duhet të bëjmë tri gjëra.
a- Pohimin që ky është emër i Allahut.
b- Pohimin e cilësisë që përmban ky emër.
c- Pohimin e veprimit, ndikimit dhe pasojës që përmban ai.
Prandaj dijetarët e Islamit kanë thënë: “Nëse kaçakët (banditët) që dalin në rrugë për të frikësuar njerëzit, për t’i grabitur apo për t’i vrarë, pendohen para se t’i kapin organet kompetente, masa penale që e ka obliguar Sheriati në raste të tilla, nuk zbatohet kundër tyre, por ata falen. [1] Allahu thotë në Kur’an: ‘Përveç atyre, të cilët pendohen përpara se t’i kapni (të hyjnë nën pushtetin tuaj), atëherë dijeni se Allahu është Mëkatfalës, Mëshirëbërës.’” Dijetarët, këta dy emra i kanë marrë si argument që tregon se Allahu ua ka falur mëkatet atyre dhe i ka mëshiruar me moszbatimin e dispozitës së Sheriatit mbi ta.
Ibn Kajjim el Xheuzije ka thënë: “Vëreni në veprimet, ndikimet dhe gjurmët e përgjithshme dhe të veçanta të Mëshirës së Allahut. Ai, me Mëshirën e Tij na ka çuar të dërguarit dhe na ka zbritur Librin, na ka mësuar pasi ishim të paditur, na ka bërë të shikojmë pasi ishim të verbër e na ka udhëzuar pasi ishim të humbur. Me Mëshirën e Tij na ka lajmëruar për cilësitë, emrat dhe veprat e Tij, që ta njohim Atë nëpërmjet tyre. Me Mëshirën e Tij na ka mësuar atë që nuk e dinim, dhe me Mëshirën e Tij ka bërë për ne Diellin dhe Hënën, ditën dhe natën.
Grupi i dytë.
Emra prej të cilëve nuk rrjedhin veprime, pasoja dhe ndikime, domethënien e të cilëve mund ta quajmë joveprore ose jokalimtare. Në lidhje me këta emra duhet të pohojmë dy gjëra:
a- Besimin e emrit të Allahut.
b- Besimin e cilësisë që përmban ai.
Për sa i përket p.sh. emrit të Allahut El Haj – الحي – i Gjalli, i Përjetshmi, në lidhje me të duhet pohuar:
1. Emri: El Haj – الحي
2. Cilësia që ai përmban: El Hajat – الحیاة – Jeta.
[1] Më gjerë në lidhje me këtë çështje, le të vërehen librat e Fikhut, sepse edhe në rastin e pendimit dhe të dorëzimit të tyre para se të kapen, në qoftë se kanë shkaktuar ndonjë dëm, duhet ta dëmshpërblejnë atë.