Përkufizimi i termit “ilhad” është: Devijimi në emrat e Allahut, duke mohuar ose shtrembëruar vërtetësinë dhe domethëniet e tyre, ndryshe nga çfarë është përmendur në Kur’an dhe Sunnet.
“Ilhadi” në emrat e Allahut ndahet në katër lloje:
1- Ta emërtosh Allahun me emra të cilët nuk kanë ardhur as në Kur’an e as në Sunnet.
Ky është devijim sepse ne kemi thënë që emrat e Allahut janë “teukifije”. Shembull i këtij devijimi janë kristianët që e quajtën Allahun “Atë”, ose filozofët që e quajtën “arsyeja vepruese”.
2- Të nxjerrësh nga emrat e Allahut emra për idhujt.
Ky është devijim gjithashtu, sepse këta emra janë të veçantë për Allahun, ashtu siç është ibadeti që i takon vetëm Atij. Prandaj, emërtimi i dikujt tjetër me këta emra, me qëllim që t’i kushtohet atij adhurimi përveç Allahut dhe t’i dedikohen cilësi që nuk i takojnë, është “ilhad”. Shembull për këtë është veprimi i mushrikëve, të cilët nxirrnin nga emri i Allahut El Aziz – العزیز – I Potfuqishmi, emër për idhullin e tyre El Uz-za, nga emri i Allahut El Ilah (I Adhuruari) emrin El-Lat dhe nga emri i Allahut El Menan (Dhuruesi) emrin Menat.
3- Të mohosh emrat ose domethëniet dhe cilësitë që përmbajnë ata, si dhe të mohosh rregullat dhe veprimet që rrjedhin prej tyre.
Edhe ky është devijim, sepse besimi në emrat e Allahut nuk mund të plotësohet pa u besuar të gjitha këto. “Ilhadi” i xhehmijve, është mohimi i emrave dhe cilësive të Allahut, kurse “ilhadi” i mutezilëve, është mohimi i cilësive që përmbajnë emrat e bukur të Allahut. Ata thonë p.sh. se: “Allahu është Mëshiruesi (Err-Rrahman) pa mëshirë.”
4- Të përngjasosh cilësitë që përmbajnë emrat e Allahut me cilësitë e krijesave.
Ky është devijim, sepse përngjasimi i Allahut me krijesat dhe përngjasimi i cilësive të Tij me ato të krijesave, është diçka e pamundur dhe jo e saktë. Allahu ka thënë në Kur’an: “Asgjë nuk i përngjan Atij. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” Nuejm ibn Hamad el Huzai ka thënë: “Ai që e përngjason Allahun me krijesat e Tij dhe ai që i mohon cilësitë me të cilat Allahu ka cilësuar Veten e Tij, bën kufër. Nuk ka dyshim se cilësitë me të cilat Allahu ka përshkruar Veten e Tij, nuk janë të ngjashme me ato të krijesave.”
Këto ishin katër llojet e “ilhadit”, i cili si i tillë është i ndaluar, sepse Allahu i ka kërcënuar me një ndëshkim të rëndë ata që devijojnë në emrat e Tij: “Allahut i takojnë emrat më të bukur, ndaj luteni Atë me ta dhe largojuni shoqërisë së atyre të cilët i përgënjeshtrojnë emrat e Tij. Ata do të shpërblehen për çfarë kanë vepruar.” (El A’raf : 180) E kundërta e Njëshmërisë së Allahut në emrat dhe cilësitë e tij (Teuhidul esma ues’sifat), është “shirku” dhe “ilhadi”.
“Shirku” në cilësitë e Allahut, ndodh atëherë kur i vihet Atij ortak ose rival në cilësitë e Tij. Për të cilësuar një person të veçantë (i cili pretendon se është musliman ose “ehlul kible”, sipas termit të dijetarëve të akides) “kafir”, nuk lejohet të nxitohemi, derisa të plotësohen kushtet e “tekfirit” [1] dhe të eliminohen pengesat e tij, sepse jo kushdo që bën kufër, bëhet kafir. Njeriu mund të thotë një shprehje, ose të bëjë një vepër e cila është kufër, por nuk cilësohet “kafir”, përderisa në të drejtën e tij nuk janë plotësuar kushtet dhe nuk janë eliminuar pengesat e “tekfirit”.
Prej pengesave më të rëndësishme të “tekfirit”, në lidhje me këtë temë, është interpretimi dhe imitimi. Për më gjerë rreth rregullave të “tekfirit” mund të shohim librat e Akides. “Kufri” në emrat dhe cilësitë e Allahut, bëhet duke mohuar ndonjë emër ose cilësi që ka ardhur në argument të saktë, pas informimit rreth këtij argumenti. Gjithashtu bëhet me “ilhad”, duke ndryshuar domethënien për të cilën tregojnë tekstet e Kuranit dhe Sunetit, pa pasur ndonjë dyshim ose arsye, me të cilën personi mund të justifikohet.” (Marrë nga Komisioni i Përhershëm i Fetvave)
Shejh ibn Uthejmin ka thënë: “Mohimi i emrave dhe i cilësive të Allahut ndahet në dy lloje.
1- Mohim me karakter përgënjeshtrimi.
Ky pa dyshim është kufër. Sikur ndonjëri të mohonte një nga emrat ose cilësitë e Allahut që ka ardhur në Kur’an dhe në Sunetin e saktë, si p.sh. të thotë se Allahu Te’Ala nuk ka dorë, ai është “kafir”, pa kundërshtim tek të gjithë muslimanët. Përgënjeshtrimi i lajmit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij është kufër i cili të nxjerr nga feja.
2- Mohim me karakter keqinterpretimi (d.m.th. të mos përgënjeshtrohen por të mohohen).
Në këtë lloj kemi të bëjmë me dy raste:
a. Interpretimi të jetë i lejueshëm nga ana gjuhësore (d.m.th. interpretimi që i bëhet fjalës të jetë një ndër variantet e kuptimit të fjalës në gjuhën arabe [2]. Në këtë rast interpretimi nuk është kufër.
b. Interpretimi të mos jetë i lejueshëm sipas gjuhës arabe (d.m.th. të mos ketë asnjë lidhje gjuhësore ndërmjet fjalës në gjuhën arabe dhe interpretimit që i është bërë). Në këtë rast interpretimi është kufër sepse mohimi është absolut. Ky interpretim në realitet është përgënjeshtrim. Shembulli i këtij rasti është sikur të thuhet për fjalën e Allahut: “Përkundrazi, të dy Duart e Tij janë gjerësisht të shtrira” (El Maide : 64), se dy duart janë qiejt dhe Toka.
Me këtë keqinterpretim personi bëhet “kafir”, sepse ky interpretim nuk është i saktë në gjuhën arabe dhe personi në fjalë është mohues e përgënjështrues. Ndërsa shembulli për rastin e parë është sikur të thuhet se dy duart janë Mirësia dhe Fuqia e Allahut. Me këtë interpretim personi nuk bëhet “kafir”, sepse fjala “dora” në gjuhën arabe, përdoret edhe në kuptimin “en-nieme” (mirësia), por ky kuptim është në kundërshtim me kuptimin e saj të drejtpërdrejtë. (Marrë nga “El Mexhmeuth-Themin”, 2, 62-63)
[1] Tekfir do të thotë cilësimi i një personi “kafir” (mosbesimtar).
[2] Thënë me fjalë të tjera, të ketë një farë lidhjeje gjuhësore, qoftë edhe të largët, ndërmjet fjalës dhe interpretimit që i është bërë asaj.