Beteja e devesë, 36 H
Aishja (radijAllahu anha), së bashku me Talhan, Zubejrin dhe shumë të tjerë u nisën për në Basra, me qëllim për të ulur gjakrat, për të afruar zemrat, e për të pajtuar muslimanët. Ata u nisën në këtë udhëtim të motivuar nga fjala e Allahut:
لَّا خَيْرَ فِي كَثِيرٍ مِّن نَّجْوَاهُمْ إِلَّا مَنْ أَمَرَ بِصَدَقَةٍ أَوْ مَعْرُوفٍ أَوْ إِصْلَاحٍ بَيْنَ النَّاسِ
“Nuk ka dobi në shumë biseda të fshehta që bëhen mes njerëzve, përveç atyre bisedave, të cilat janë nxitje për të dhënë lëmoshë, për të bërë vepra të mira, apo për të pajtuar njerëzit” (Nisa: 114)
Aliu (radijAllahu anhu), kur dëgjoi këtë lajm, mblodhi ushtrinë e tij dhe u nis të takohej me ta me qëllim që të arrinte një marrëveshje pajtimi. Qëllim i tij u vërejt qysh në dialogun që zhvilloi me disa nga përkrahësit e tij. Kur ata e pyetën: “Për ku je nisur, o Prijës i besimtarëve?” Aliu u përgjigj: “Ne jemi nisur për pajtim, nëse edhe ata janë të gatshëm për të bërë pajtim.”
Ata thanë: “Po nëse ata nuk përgjigjen ashtu siç dëshiron ti?” Ai tha: “Ne do t’i lëmë të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe do të vazhdojmë në rrugën tonë.” – Po nëse nuk kënaqen as me këtë? – vazhduan ta pyesnin. – Do t`i lëmë të qetë, për aq kohë sa do na lënë të qetë. – u përgjigj sërish. – Po nëse nuk na lënë të qetë? – këmbëngulën ata. – Atëherë do të mbrohemi. – tha Aliu.
Kur të dy palët u takuan, Aliu (radijAllahu anhu) bisedoi me Aishen (radijAllahu anha) dhe mes tyre u arrit mirëkuptimi. Kështu, ushtritë kaluan një natë të qetë. Mirëpo, nxitësit e trazirave, Abdullah Ibn Se’be me përkrahësit e tij, ia kishin frikën kësaj marrëveshjeje dhe këtij mirëkuptimi sepse do të zbulohej çështja e tyre dhe mbi ta do të binte ndëshkimi.
Afër mëngjesit, këta hipokritë u ndanë në dy grupe, ku njëri grup sulmoi njërën palë, ndërsa grupi tjetër sulmoi palën tjetër, duke krijuar idenë se u shkel marrëveshja dhe ushtritë po sulmonin njëra-tjetrën. Kjo rrëmujë bëri që njerëzit të rrëmbenin armët dhe të fillonte lufta.
Lufta u ndërpre vetëm pasi u vra deveja e Aishes (radijAllahu anha), fakt që shënoi dhe fundin e betejës. Aliu (radijAllahu anhu) u përkujdes që Aisheja së bashku me vëllanë e saj, Muhamed Ibn Ebu Bekrin të ktheheshin shëndoshë e mirë në Medinë.
Beteja e Sifinit, 37 H
Edhe kjo betejë, sikurse e para ishte rezultat i nxitjes së hipokritëve, të cilët shfrytëzuan mosmarrëveshjen që ekzistonte mes Aliut dhe Muavijes. Pala e Aliut kishte nënshkruar një marrëveshje me palën e Muavijes, në të cilën përcaktohej një periudhë gjashtë mujore për zgjidhjen e konfliktit.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje tregoi se të dyja palët e urrenin luftën dhe kërkonin zgjidhje me mirëkuptim. Megjithëse dëshira ishte që të shmangej një tjetër përplasje e armatosur mes tyre, kjo pothuajse dukej e pamundur për arsye se, sapo të zgjidhej një mosmarrveshje, do të lindte një tjetër, derisa situata precipitoi në një betejë të përgjakshme mes të dyja palëve.
Muslimanët e mirë dhe të sinqertë ishin të brengosur nga kjo gjakderdhje që po ndodhte mes tyre. Ata përpiqeshin vazhdimisht të gjenin rrugët për t’i dhënë fund këtij konflikti vëllavrasës. Një prej tyre ishte edhe sahabi i nderuar Amru Ibn el-Asi, i cili propozoi çështjen e gjykimit dhe pajtimit mes palëve.
Ky propozim i pëlqeu Muavijes prandaj urdhëroi ushtrinë e tij që t’i ngrinin lart mus’hafët (Kur’anët) si shenjë për ndalimin e luftës. Kur ushtarët e Aliut (radijAllahu anhu) e panë këtë, u ndalën dhe e ndërprenë luftimin. Çështja e gjykimit kishte si parim të zgjidhej një përfaqësues nga ana e Aliut dhe një përfaqësues nga ana e Muavijes. Këta të dy do të negocionin me njëri-tjetrin për të arritur një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët.
Aliu (radijAllahu anhu) zgjodhi si përfaqësues të tij Ebu Musa el-Esharij, ndërsa Muavija (radijAllahu anhu) zgjodhi Amru Ibn el-Asin. Dy përfaqësuesit e palëve ranë dakort që të mblidheshin vitin e ardhshëm dhe të gjykonin këtë çështje, pas një shqyrtimi të hollësishëm.
Përfaqësuesit e të dyja palëve u takuan dhe u përpoqën që të arrinin ndonjë marrëveshje, mirëpo takimi i parë nuk rezultoi i suksesshëm. Pas një farë kohe, ata vendosën t’ju riktheheshin përsëri bisedimeve dhe, si përfundim, ranë dakort që Aliu të sundonte Irakun, ndërsa Muavija të sundonte Shamin.
Ngjarja e Nehrauanit
Pas arritjes të marrëveshjes, ushtritë u kthyen në vendet e tyre. Kur Aliu (radijAllahu anhu) iu afrua Kufes, një pjesë e ushtrisë së tij, rreth 12 mijë vetë, u shkëput duke pretenduar se Aliu (radijAllahu anhu) kishte bërë disa gabime të pafalshme. Këta njerëz më vonë do të njiheshin si havarixhët (kryengritësit, rebelët).
Aliu (radijAllahu anhu) dërgoi Abdullah Ibn Abassin që të diskutonte me ta dhe t’ua sqaronte keqkuptimet fetare që ata kishin dhe t’i bindte të hiqnin dorë nga rebelimi. Pas këtij diskutimi, shumica e tyre, rreth 8 mijë vetë, u rikthyen të penduar në ushtrinë e Aliut, ndërsa pjesa tjetër qëndroi në lajthitjen e tyre.
Ata nisën të bënin trazira, të derdhin gjakun e të pafajshmëve, të plaçkisnin udhëtarët e të cënonin jetën dhe pasurinë e muslimanëve. Krimet e havarixhëve kaluan çdo cak, aq sa vranë edhe sahabin e nderuar Abdullah Ibn Hababin, bashkëshorten e tij shtatzënë, si dhe tre gra të tjera.
Këto ngjarje e tronditën Aliun (radijAllahu anhu), i cili nisi dikë, për të vërtetuar lajmet e ardhura, mirëpo, ata e vranë të dërguarin e Aliut (radijAllahu anhu). Atëherë Aliu (radijAllahu anhu) u nis me ushtrinë e tij drejt havarixhëve. Në fillim kërkoi prej tyre që të dorëzonin vrasësit e Abdullah Ibn Hababit dhe vrasësit e të dërguarit të tij, mirëpo ata refuzuan duke thënë: “Të gjithë ne jemi vrasësit e tyre.”
Duke u gjendur në këtë situatë, Aliu dha urdhër që të sulmoheshin havarixhët dhe t’i jepej fund trazirave të tyre. Kjo betejë u zhvillua në Nehrauan, e cila është një zonë në juglindje të Bagdadit. Havarixhët u shpartalluan, por një pjesë e vogël e tyre arritën t’ia mbathnin e të fshiheshin në vende të ndryshme. Kjo disfatë që pësuan havarixhët u bë shkak që pjesa e mbetur e tyre të thurnin plane për vrasjen e Aliut (radijAllahu anhu).
[1] Transmeton Buhariu me nr 7352 dhe Muslimi me nr 1716.
[2] Ixhtihadi është hulumtimi që gjykatësi apo dijetari bën mbi një çështje të caktuar, duke synuar të arrijë gjykimin e drejtë. Cilido qoftë gjykimi i përftuar nga ky hulumtim, ai shpërblehet për përpjekjen e tij. Nëse ia ka arritur të gjykojë drejtë, shpërblehet dyfish, por edhe nëse ka gabuar, përsëri shpërblehet për qëllimin dhe mundin e tij.