Fronti i lindjes në drejtim të Persisë
Halid bin Uelijdi u caktua nga Ebu Bekri në krye të ushtrisë për të luftuar persët, të cilët e refuzuan mesazhin Islam, u treguan arrogantë dhe i konsideruan muslimanët armiq. Në betejën e parë që u zhvillua mes dy ushtrive në Kadhimeh, persët u mundën, komandanti i tyre u vra dhe muslimanët arritën fitore të madhe dhe fituan shumë plaçkë lufte.
Në të njëjtën mënyrë vijuan edhe fitoret e njëpasnjëshme të muslimanëve në një sërë betejash të tjera. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, nën sundimin e muslimanëve, u përfshinë shumica e viseve në perëndim të lumit Eufrat dhe si qendër e tyre u caktua qyteti Al Hirah (Qytet në Irak). Në muajin Sefer të vitit 13 H, Ebu Bekri urdhëroi Halid bin Uelidin që të drejtohej me një pjesë të ushtrisë së tij drejt Shamit, për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë muslimane atje, e cila po përballej me Bizantin.
Fronti i veriut në drejtim të Bizantit.
Ebu Bekri dërgoi një ushtri për në rrethinat e Shamit, ku në krye të saj vendosi Halid bin Said bin Asin, i cili kur hasi në rezistencën bizantine i dërgoi një letër Ebu Bekrit, në të cilën i kërkonte ndihmë dhe mbështetje. Ebu Bekri (Radiallahu anhu!) menjëherë përgatiti katër ushtri për t’i ardhur në ndihmë.
Në krye të ushtrisë së parë caktoi Amru bin el Asin, të cilin e nisi drejt Palestinës; në krye të ushtrisë së dytë caktoi Sherahbil bin Haseneh për në Jordani; në krye të ushtrisë së tretë caktoi Jezid bin Ebi Sufjanin për në Belka dhe në krye të ushtrisë së katërt caktoi Ebu Ubejde bin Xherrah, të cilin e nisi për në Hims (qytet në Siri). Ushtritë muslimane arritën në rrethinat e Shamit dhe në Palestinë, në fillim të vitit 13 H. Si fillim u përballën me disa përleshje sporadike mes muslimanëve dhe bizantinëve, të cilat u pasuan me beteja të mëdha. Ndër këto beteja, veçojmë:
1. Beteja e Axhnadinit në vitin 13 H
Perandori bizantin Herakliu kishte përgatitur një ushtri të madhe për të luftuar muslimanët. Ushtria muslimane kërkoi ndihmë prej Ebu Bekrit (Radiallahu anhu!), i cili urdhëroi Halid bin Uelidin që të drejtohej nga Iraku për në Sham. Halid bin Uelidi e përshkoi distancën që e ndante nga Shami, në një periudhë të shkurtër dhe arriti t’i vijë në ndihmë ushtrisë muslimane.
Me të mbërritur në Sham, ai mori komandën e ushtrisë dhe e organizoi atë në mënyrë të përsosur. Halidi iu bashkua Amru bin el Asit, i cili ndërkohë, po përballej me ushtrinë e madhe bizantine, në vendin e quajtur Axhnadin, në Palestinë. Mes dy ushtrive u zhvillua një betejë e ashpër, e cila u mbyll me humbjen e bizantinëve dhe fitoren e bujshme të muslimanëve.
2. Beteja e Meraxhus-Sufr në vitin 13 H
Kjo betejë u zhvillua në jug të Damaskut, në vendin e quajtur Meraxhus-Sufr. Ushtria bizantine përbëhej nga dhjetë mijë trupa dhe ishte nisur nga qyteti i Himsit. Kjo ushtri e dërguar nga Herakliu kishte në kontigjentin e saj ushtarët më të zgjedhur bizantinë. Ata ishin dërguar për t’i ardhur në ndihmë sundimtarit të Damaskut, qytet ky që mbahej i rrethuar nga muslimanët.
Halid bin Uelidi dhe Ebu Ubejdeh, të cilët ishin në krye të ushtrisë muslimane, e panë të domosdoshme t’i dilnin përpara kësaj ushtrie dhe të përballeshin me të, përpara se ajo të mbërrinte në Damask. Kur Halid bin Uelidi vërejti numrin e madh të bizantinëve sistemoi me kujdes rradhët e ushtrisë dhe përgatiti taktikat e nevojshme për luftimin e tyre. Edhe kjo betejë, ashtu si ajo e para, përfundoi me fitoren e muslimanëve, ndërsa ushtria bizantine pësoi humbje të mëdha në njerëz.
Sëmundja e Ebu Bekrit dhe vdekja e tij
Ndërkohë që ushtritë muslimane korrnin fitore të njëpasnjëshme, udhëheqësi i muslimanëve Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u sëmur dhe zuri shtratin. Ai ishte larë në një ditë të ftohtë dhe ishte ftohur rëndë. Shëndeti i tij kishte nisur të përkeqësohej dita-ditës aq sa nuk ishte më në gjendje të dilte për të falur namazin në xhami. Ai urdhëroi Umer bin el Hatabin që t’u printe njerëzve në namaz.
Sahabët e vizitonin vazhdimisht në shtëpinë e tij, ndërsa Uthmani (Radiallahu anhu!) i qëndroi tek koka. Sëmundja iu rëndua edhe më shumë, aq sa natën e martë, të datës 21 Xhumadel Ahirah, të vitit 13 H, Ebu Bekri ndërroi jetë në moshën 63 vjeç. Qeverisja e tij zgjati 2 vjet, 3 muaj e 10 ditë.
Namazin e xhenazes ia fali Umeri (Radiallahu anhu!). Ebu Bekri u varros në krah të shokut të tij, Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kokën ia vendosën paralel me supin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke qenë shoku i pandarë i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si në jetë, ashtu edhe pas vdekjes. Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij!