Ai ishte imami, shqyrtuesi, verifikuesi, hafizi, fakih-u, studiuesi i gramatikës arabe, intelektuali i palodhur, që me penën e tij shkruante si rrebesh, shkrimtari i shquar dhe autori i shumë librave: Shemsuddin Ebu Abdullah Muhamed Ibn Ebu Bekër Ibn Ejub Ibn Sad Ibn Hariz el Zehri el Dimashki, i njohur ndryshe si Ibn Kajjim el Xheuzije. Këtë emër e mori nga shkolla ‘Xheuzije’ të cilën e themeloi Muhjiddin Ebu Mehasin Jusufi, i biri i Abdurrahmanit Ibn Ali Ibn Xheuzit, i cili vdiq në vitin 656h. Babai i tij qe kujdestar në atë shkollë.
Imam Ibn Kajjimi u lind në një shtëpi dijetarësh dhe fisnikësh, që e donin dijen dhe mirësinë, në 7 Sefer të vitit 691 h (Janar 1292), në fshatin Zer të krahinës Horan, e cila ndodhet 55 milje në juglindje të Damaskut (kryeqyteti i Sirisë). Më pas banoi në Damask, ku edhe mori mësim prej dijetarëve të këtij qyteti. Nga babai, ai mësoi disiplinën e ndarjes së trashëgimisë, duke mos harruar se i ati ishte një prej dijetarëve më të njohur në këtë fushë. Dijetari i njohur Hafidh Ibn Haxheri, në librin e tij “El Durer el Kamineh”, e përshkruan babain e Ibn Kajimit si adhurues të madh të Allahut dhe si njeri që kishte pak pretendime dhe që nuk bënte për t’u dukur. Ka shënuar gjithashtu se i ati i vdiq në vitin 723h.
Ndërsa hadithin, imam Ibn Kajimi e mësoi nga këta dijetarë: Shihab el Nabulsi, gjykatësi Takijuddin Ibn Sulejmani, Ebu Bekër Ibn Abdu Daim, Isa el Mutimi, Ismail Ibn Mektumi, Fatimah Bintu Xheuheri etj. Gjuhën arabe e mësoi nga Ibn Ebu Feth el Bali. Tek ai lexoi dhe mësoi librin “El Mulehas” të autorit Ebu Beka, më pas mësoi “El Xhurxhanijeh”, “El Fijeh” të imam Malikut, pjesën më të madhe të librit “El Kafijeh el Shafijeh” dhe diçka nga “El Tes’hil”. Më pas, te dijetari Mexhdudin Tunisi mësoi një pjesë nga libri “El Mukareb”, i autorit Ibn Usfur.
Jurisprudencën islame dhe bazat e saj i mësoi nga dijetarët Safijuddin el Hindi, Shejhul Islam Ibn Tejmije dhe Ismail Ibn Muhamed el Harani. Me ta ai studioi librin “El Reudah” të autorit Ibn Kudameh el Makdisi dhe librin “El Ihkam” të El Amidit. Ai studioi gjithashtu librat: “El Muhasal”, “El Mahsul”, “El Erbain” të imam Razit, dhe “El Muharar” të gjyshit të Ibn Tejmijes. Qëndroi gjithë kohën me shejhun e Islamit Ibn Tejmije, që nga momenti që ai u kthye nga Egjipti (712 h), e derisa vdiq (728 h).
Në atë kohë, dijetari Ibn Kajjim ishte në lulen e rinisë, në kulmin e fuqisë fizike dhe intelektuale. Ai përfitoi nga dituria e paanë e Ibn Tejmijes, duke dëgjuar mendimet e tij të pjekura e të drejta. Dashuria për të iu shtua aq shumë, saqë përqafoi shumicën e mendimeve dhe tezave të tij dhe i mbrojti ato. Përveç kësaj, ai zgjerohej në shtjellimin e tyre, duke dobësuar argumentet e kundërshtarit. Me këtë punë, ai përmblodhi librat e Ibn Tejmijes dhe përhapi diturinë e tij.
Çështja më e rëndësishme të cilën e përfitoi prej tij ishte thirrja për argumentim me Librin e Allahut të Madhëruar dhe me traditën e Profetit, ashtu siç i kishin kuptuar të parët tanë të devotshëm. Prej tij ai mësoi edhe refuzimin e gjithçkaje që kundërshtonte Librin e Allahut dhe traditën profetike, mësoi për ringritjen e atyre parimeve të fesë që ishin harruar e braktisur nga njerëzit. Duhej punuar me durim për spastrimin e shtesave të pabaza, që kishin trilluar muslimanët e paditur në shekujt e kaluar, shekuj në të cilët spikaste, dekadenca, devijimi nga rruga e drejtë, ngurtësia e mendimit dhe pasimi i verbër.
Ai mësoi prej Ibn Tejmijes që t’u tërhiqte vëmendjen muslimanëve të bënin kujdes nga idetë sufiste, filozofia greke dhe asketizmi indian. Vetë lexuesi mund ta dallojë ndikimin e madh të profesorit tek Ibn Kajjimi, që e gjen të shpërndarë në botimet e tij të shumta, ku theksohet fort domosdoshmëria se Librit të Allahut i duhet dhënë rëndësia që i takon, se duhet treguar seriozitet në studimin e tij dhe në meditimin e thellë mbi ajetet dhe kuptimet e fshehura në to.
Po ashtu, tek autori vërehet konsiderata e tij e lartë për traditën profetike. Ai vazhdimisht nxit për një pasim rigoroz të kësaj tradite dhe pa pushim e lavdëron atë. Është e nevojshme që të nxirren në pah ato mësime të Sunetit që kanë mbetur të fshehura, nëpërmjet të cilave zbërthehet Kurani, ftillohen ajetet e paqarta, përcillen më lehtë kuptimet dhe mesazhet e tij, përforcohen edhe më shumë të vërtetat e tij të padiskutueshme. Me zbulimin e Sunetit të vërtetë, dalin në dritë shenjat e rrugës së drejtë, të vetmes rrugë që të çon drejt dijes së saktë, të kulluar nga çdo papastërti, nga mendimet e thata dhe fanatizmi i verbër.
Ai hyn në gradën e dijetarëve gjurmëlënës, të cilët, me mendimet e tyre të përhapura në botime të ndryshme, ndriçuan mendjet e bashkëkohësve dhe të atyre që erdhën më pas, deri më sot. Me fjalët e tyre, u ndriçuan zemrat, u pastrua ndryshku i dyshimeve dhe i botëkuptimit të ngurtë, u zgjidhën koklavitjet, lajthitjet dhe pasiguritë.
Ai vdiq në kohën e namazit të jacisë, natën e së enjtes, në datën njëzet e tre, të muajit Rexheb, në vitin 751 h. Xhenazja i është falur të nesërmen, në Xhaminë e Madhe të Damaskut. Më pas i është falur përsëri në xhaminë El Xherah, e cila ndodhej afër varrezave, në lagjen Babus Sagir. Varri i tij dihet deri tani. Ai ndodhet në krahun e majtë të hyrjes së re të këtyre varrezave, pas zgjerimit që i është bërë përpara disa vjetëve. Varri i tij u zhvendos rreth dy metra më në lindje të vendndodhjes së parë. Allahu e mëshiroftë, e përfshiftë në mëshirën e Tij të gjerë dhe i dhëntë banim në vendet më të mira të Xhennetit. Amin!