Ai është shejhu, imami, dijetari i madh, hafizi, Ebu el Fida Ismail, i biri i dijetarit të madh, hatibit Ebu Hafs Shihabuddin Umer Ibn Kethir Ibn Dau, Ibn Kethir, Ibn Zer’a el Kureshi. Ai ishte me origjinë nga Busra, por u rrit, edukua dhe studioi në Damask. Ishte i medhhebit Shafi’ij dhe i menhexhit Selefij. U lind në Mixhdel, një fshat i Busras, në lindje të Damaskut, në vitin 701. Babai i vdiq kur ishte 4 vjeç. Edukimin e tij e mori në dorë vëllai i madh, Abdul Uehabi, dhe u zhvendosën për në Damask në vitin 706, kur Ibn Kethiri ishte vetëm 5 vjeç. Në Damask, ai mori mësime prej Musnidit të Shamit Behauddin el Kasim Ibn Asakir, i cili vdiq në vitin 723 h. Gjithashtu, ai ndoqi leksione të Is’hak Ibn Jahja el Amidij, shejhut të dhahirive (medhheb-shkollë juridike), i cili vdiq në vitin 725 h.
Ibn Kethiri mori leksione edhe nga Shejhu i Islamit Takijuddin Ahmed Ibn Tejmije, i cili jetoi deri në vitin 728 h. Madje, me këtë të fundit ka qenë shumë i lidhur, qëndroi pranë tij dhe e donte shumë. Ai përfitoi shumë nga dituria e Ibn Tejmijes, madje u sprovua shumë nga kjo lidhje që kishte me shejhun e tij. Mund të themi me bindje se Ibn Kethiri ka qenë nga nxënësit më të afërt dhe më të vyer të Ibn Tejmijes. Imam Ibn Kethiri ka kërkuar diturinë e fikhut nga shejh Burhanudin Ibrahim Ibn Abdurrahman el Fezarij, i njohur me emrin Ibn Ferkah, i cili ka vdekur në vitin 729 h. Ai mësoi edhe prej Ahmed Ibn Ebu Talibit, i cili jetoi për më shumë se 100 vjet, i njohur edhe me emrin Ibn Shahne dhe që vdiq në vitin 730 h.
Ibn Kethiri mori mësime, gjithashtu, prej Isa Ibn Mutaim, Muhamed Ibn Zerad dhe ka qëndruar shumë pranë shejh Xhemal Jusuf Ibn Ez-Zekij el Mizij, autori i librit Tedhhibu Kemal, i cili ka vdekur në vitin 742 h. Ai përfitoi shumë prej diturisë së këtij të fundit në Hadith dhe në njohurin e rixhalëve (transmetuesve të hadithit) dhe u martua me vajzën e tij. Ai ka marrë dituri edhe nga Ibn Er-Ridah dhe nga shejh dhe hafiz Shemsudin Edh-Dhehebij Muhamed Ibn Ahmed el Kajmazi, i cili ka vdekur në vitin 748. Në Egjipt i kanë dhënë autorizim (ixhâze) për të përcjellë dituri prej tyre Ebu Fet’h Debusi, Alij Ibn Umer el Eluani, Jusuf el Hateni, Ebu Musa el Karafi, el Husejniju e të tjerë.
Nxënësit e tij janë të shumtë. Prej tyre mund të përmendim edhe Ibn Haxhi, i cili duke folur për shejhun e Tij Ibn Kethirin ka thënë: “Ai ishte hafizi më i përpiktë dhe i saktë për tekstet e haditheve, nga ata që arritëm prej dijetarëve të kohës së tij. Ai ishte ndër njohësit më të mirë të njohurisë së xherhut dhe tea’dilit. Ai ishte një njohës shumë i thellë i defekteve të hadithit dhe saktësisë e dobësisë së tyre. Dijetarët bashkëkohës dhe shujuhët e tij e pranojnë këtë gjykim për Imam Ibn Kethirin, sa herë që jam ulur me të kam përfituar shumë prej tij dhe gjithmonë diçka të re, edhe pse uljet e mia me të kanë qenë jashtëzakonisht të shumta.
Ibn El Imad el Hanbelij në librin e tij “Shedherat dheheb” ka thënë: “El hafidhu Ibn Kethiri Imad Ed-din, e mësoi pëmendësh librin “El tenbih” dhe librin “El muhtesar të Ibn Haxhibit”. Ishte shumë i shkathët në kujtesën e asaj që kishte mësuar përmendësh dhe rrallë harronte. Kishte një forcë dhe shkathtësi në kuptimin dhe analizën e çështjeve dhe njohurive. Madje ka edhe vepra në gjuhën arabe dhe bënte edhe punime në vargje të rangurt mesatar. Ibn Habibi ka thënë për të: “Ai dëgjoi dituri të shumtë, mblodhi atë dhe shkroi vepra të shumta. Ai të kënaqte dëgjimin me fetvatë e mirë hartuara. Fetvatë e tij janë shpërndarë nëpër emsar dhe u bë i njohur për analizën e hollë dhe përpikmërinë në gjykimet e tij.”
Librat e shkruar prej tij
- “Tefsir El-Kur’ani El-Adhim” “Tefsiri i Kur’anit të madhërishëm”. Ky është nga tefsirët më të dobishëm me hadithe dhe lajme nga sahabët dhe tabi’inët. Në të kemi një tefsir të Kur’anit po me ajete Kur’anore, pastaj shpjegohet permes haditheve të njohura dhe të shpërndara në librat reference të hadithit të sjella me esanidet zinxhirin e transmetuesve përkatëse, duke folur hollësisht për çdo zinxhir dhe transmetues, rreth besueshmërisë apo jo të tyre dhe çdo gjë që lidhet me këtë lëmi të njohurisë së hadithit. Pastaj përmend transmetimet dhe fjalët e sahabëve dhe tabi’inëve rreth ajetit. Sujuti ka thënë: “Nuk është hartuar ndonjë libër i ngjashëm me këtë, në formilimin dhe hartimin e tij të bukur.”
- Libri i Historisë i titulluar “El bidaje ue El nihaje” “Fillimi dhe Fundi”.
- Libri “El tekmil fi mearifeti El thikat ued-duafâi uel mexhâhil” “Plotësues në njohjen e transmetuesve të besueshëm, atyre të dobët dhe atyre të panjohur.” Ky është një libër shumë i dobishëm ku autori bashkoi mes dy librave të mëdhenj të mësyesve të tij Imam El Mizzi dhe Imam El-Dhehebij, pra të librit “Tehdhib el kemâl fi esmair-rixhâl” dhe librit “Mizan El i’tidâl fi nakdir-rixhâl”. Këto janë libra që përfshijnë informacionet për të gjithë transmetuesit e haditheve dhe gjykimin rreth tyre dhe transmetimeve të sjella prej tyre. Imam Ibn Kethiri i bashkoi këto dy libra dhe solli edhe informacione e dobi të shumta të kësaj lëmie të njohurive të hadithit.
- Libri “El hedju ue Es-sunen fi ehadithi Mesanidi ue sunen.” Ose siç njihet ndryshe “Xhamiu El mesanid” “Përmbledhësi i musnedeve” ku ai ka përmbledhur mes Musnedit të Imam Ahmedit, Bezarit, Ebu Ja’la, Ibn Ebi Shejbe dhe gjashtë libërshit (pra Sahihun e Buhariute Muslimit dhe katër sunenet, duke i renditur hadithet sipas kapitujve dhe tematikës.
- “Tabakat el shafiije” në një vëllim mesatar. Së bashku me të është edhe punimi “Menakib El shafiij”. Këto janë libra rreth dijetarëve të medhhebit shafi’ij dhe biografisë e vlerave të tyre, si dhe biografia dhe vlerat e Imam Shafiut.
- “Tahrixh ehâdith El tenbih” Përnxjerrja e referencave burimore të haditheve të përmendura në librin El tenbih” në fikhun e medhhebit Shafiij.
- “Tahrixh ehâdith Muhtesar Ibn Haxhib” “Përnxjerrja e referencave burimore të haditheve të përmendura në librin “Muhtesar Ibn Haxhib”
- “Komentar i Sahihut të Buhariut” të cilin nuk e përfundoi.
- Libri “El Ahkam” në fikh, të cilin gjithashtu nuk e përfundoi dhe arriti deri në kapitullin e Haxhit.
- Libri “Ihtisar Ulum El hadith” Ky është një shkurtim i librit të Ibn Salahut në njohurinë e themeleve të njohurisë së hadithit i cili më vonë u njoh me emrin “El baithul hathith sherh ihtisar ulum el hadith”.
- Libri “Musned el shejhejn” “Musnedi i dy Mësuesve” pra Ebu Bekrit dhe Umer Ibn Hattabit. Në këtë liber ka mbledhur të gjitha hadithet e transmetuara nga këta dy sahabë të nderuar.
- Libra “Es-sira Nebeuije” “Historia e Profetit”, etj.
Autori i librit “El munhil” ka thënë se Imam Ibn Kethiri ndërroi jetë ditën e enjte, më 26 Sha’ban të vitit 774 hixhri, në moshën 74 vjet. Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij!