Transmetohet nga Hemami të ketë thënë: “E kam dëgjuar Amarin që ka thënë: “E kam parë Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fillim të misionit profetik. Asokohe, Islamin e kishin pranuar vetëm Ebu Bekri, pesë skllevër dhe dy gra.” [1]
Ebu Bekri e shoqëroi Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjatë gjithë jetës së tij. Ai e përkrahu në misionin e tij dhe ishte shoqëruesi i tij kur emigroi nga Meka për në Medine.
Gjatë largimit nga Meka, për t’ju shpëtuar ndjekjes së Kurejshve, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), bashkë me Ebu Bekrin hynë në një shpellë. Kurejshët i kërkuan ata ngado, derisa u ndalën në hyrjen e shpellës, por nuk mundën t’i shihnin.
Allahu i Madhëruar përkujdesej për Profetin e Tij. Kur idhujtarët u larguan, Ebu Bekri tha: “Nëse ata do të hidhnin shikimin poshtë nga këmbët, do të na kishin parë! Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “O Ebu Bekër, çfarë mendon ti për dy persona, kur i treti me ta është Allahu?!” [2]
Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin Kuranor: “Nëse ju nuk e ndihmoni Muhamedin, Allahu do e ndihmojë atë, ashtu siç e ndihmoi ditën kur e dëbuan mohuesit, kur ai ishte vetë i dyti në shpellë dhe i thoshte shokut të tij: Mos u dëshpëro, vërtet Allahu është me ne …” (Teubeh: 40)
Ebu Bekri ishte tregëtar i zoti. Pasuria e tij në kohën kur pranoi Islamin ishte rreth dyzet mijë dirhem, të cilat i shpenzoi në shërbim të thirrjes islame, për sadaka për të varfërit, për lirimin e skllevërve, etj. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në lidhje me kontributin e Ebu Bekrit me pasurinë e tij ka thënë: “Asnjë pasuri nuk më ka bërë aq shumë dobi sa pasuria e Ebu Bekrit.” [3]
Për pozitën e nderuar të Ebu Bekrit, dëshmon edhe fakti që atij ju lejua të kishte hyrjen e veçantë, e cila të çonte në xhami. [4] Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte përgëzuar disa herë Ebu Bekrin me xhennet. Para se të ndërronte jetë, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) zgjodhi Ebu Bekrin që t’u printe njerëzve në namaz. Ai ndërroi jetë duke qenë i kënaqur me të.
[1] Transmeton Buhariu me nr 3460
[2] Transmeton Buhariu nr. 3 653 dhe Muslimi 4/1854.
[3] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh 1/65, Ibn Maxheh, etj.
[4] Disa nga sahabët, shtëpitë e të cilëve ishin ngjitur me xhaminë, kishin hyrje direkte për në xhami. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur u sëmur, urdhëroi që të mbylleshin të gjitha rrugëkalimet, përveç asaj të Ebu Bekrit.