Qëndrimi i Profetit (alejhi selam) te fisi Beni Sa’d
Halimja shkonte tek nëna e Muhamedit (alejhi selam) dhe familja e tij në çdo gjashtë muaj. Pastaj kthehej me të te fshati i saj, në Benu Sa’d. Pasi e plotësoi kohën e dhënies gji dhe ia ndërpreu gjirin, erdhi bashkë me Muhamedin (alejhi selam) te nëna e tij, Amine dhe u lut që ta mbante përsëri foshnjën, sepse kishte parë shumë begati e mirësi. Iu lut së ëmës që ta linte edhe ca kohë tek ajo, derisa ta merrte veten mirë, ngaqë ajo kishte frikë se mos e kapnin sëmundjet e Mekkës.
Aminia pranoi. Kështu, Halimja u kthye e gëzuar në shtëpinë e saj bashkë me Muhamedin. Ai qëndroi tek ajo edhe dy vjet të tjerë. Pastaj ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme dhe e habitshme. Halimja dhe i shoqi patën frikë ta mbanin më Muhamedin (alejhi selam), prandaj e kthyen tek e ëma. Ngjarja e habitshme qe çarja e gjoksit të Profetit (alejhi selam).
Çarja e gjoksit (kraharorit)
Enes Ibn Maliku ka kumtuar se kur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) po luante me djemtë e tjerë, i erdhi Xhibrili (alejhi selam), e mori dhe e shtriu për tokë, ia çau gjoksin (kraharorin) dhe ia nxori zemrën jashtë. Pastaj i nxori një copë të vogël mishi dhe i tha: “Kjo ishte pjesa e shejtanit.” Pastaj ia lau zemrën në një tas ari me ujë Zemzemi. Më pas e vuri zemrën në vend, ashtu siç ishte. Djemtë erdhën me nxitim te nëna e tij e qumështit, Halimja dhe i thanë: “Muhamedi u vra.” U kthyen menjëherë e i dolën përpara dhe panë se atij i kishte ndryshuar ngjyra e fytyrës. “Unë e kam parë shenjën e asaj qepjeje në gjoksin e tij”, – përfundon Enesi.
Te nëna e tij zemërdhembshur
Pasi ndodhi kjo ngjarje e jashtëzakonshme, Profeti Muhamed (alejhi selam) u kthye në Mekke dhe qëndroi tek e ëma rreth dy vjet. Pastaj, Aminia u nis bashkë me të për në Medine. Aty ishin varrosur babai i Muhamedit (alejhi selam) dhe dajat e gjyshërit e tij, Benu Adij Ibn En Nexhar. Në këtë udhëtim atë e shoqëronin kujdestari i saj, Abdul Mutalibi dhe shërbyesja e saj, Ummu Ejmeni. Ajo qëndroi në Medine një muaj. Pastaj u nis për në Mekke. Gjatë rrugës Aminia u sëmur. Më tej gjendja u përkeqësua dhe ajo vdiq në Ebua, midis Mekkës dhe Medines, ku edhe u varros.
Te gjyshi i tij i dhembshur
Gjyshi e ktheu në Mekke Muhamedin (alejhi selam), duke ndjerë thellë në zemër dhembjen e madhe që i kishte shkaktuar fatkeqësia e re. Abdul Muttalibi sillej me Muhamedin (alejhi selam) me një butësi të cilën nuk e njihnin as djemtë e tij. E vlerësonte shumë Muhamedin, e nderonte dhe e parapëlqente më shumë se djemtë e tij. E vinte në dyshekun e vet, ku nuk ishte ulur tjetërkush deri atëherë. I fërkonte shpinën dhe gëzohej nga ajo që bënte ai. Abdul Muttalibi besonte se ai djalë do të kishte një të ardhme të madhe. Mirëpo pas dy vjetësh, Abdul Muttalibi vdiq, kur Muhamedi (alejhi selam) ishte tetë vjeç, dy muaj dhe dhjetë ditë.
Te xhaxhai i tij i mëshirshëm
Kujdestarinë për Muhamedin (alejhi selam) e mori përsipër xhaxhai i tij, Ebu Talibi. Ai ishte vëlla (nga nëna dhe nga babai) me babanë e Pejgamberit (alejhi selam). Ebu Talibi tregoi shumë mëshirë dhe dashuri ndaj tij. Ai nuk ishte i pasur, por Allahu ia shtoi atë pasuri të paktë që kishte. Ushqimi i një personi ngopte të gjithë familjen e tij. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) qe shembull: Ai duronte, mjaftohej e kënaqej me atë që i kishte caktuar Allahu i Madhëruar.