Veçori e Mekkës gjithashtu është edhe fakti se kush vendos të kryejë një të keqe në atë vend dënohet prej Allahut, edhe nëse nuk e kryen atë. Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe këdo që bën mend të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat në të, Ne do ta bëjmë të shijojë një dënim të hidhur.” (Haxh : 25) Në këtë ajet Allahu kërcënon këdo që planifikon të kryejë diçka të keqe, se do ta bëjë të shijojë dënim të rëndë. Në këtë kontekst shihet edhe rritja e madhësisë së të këqijave në atë vend dhe jo rritja e numrit të tyre, pasi është e vërtetë që dënimi për çdo të keqe është me një të keqe, porse e keqja e madhe e ka dënimin aq sa përmasa e saj dhe e keqja e vogël e ka dënimin aq sa përmasa e saj. Dënimi për një të keqe të madhe nuk është si dënimi për një të keqe të vogël.
Kështu, një vepër e keqe në Vendin e Shenjtë të Allahut, në qytetin dhe sipërfaqen e tij, është më e rëndë se e njëjta e keqe e kryer në çdo skaj tjetër të tokës, sikurse nuk mund të jetë i njëjtë ai që e kundërshton mbretin kur ndodhet në pallatin apo kuvendin e tij, me atë që e kundërshton atë në një vend të largët. Kështu, zgjidhet mosmarrëveshja lidhur me shumëfishimin e të këqijave në Mekke, dhe Allahu e di më së miri. Sekreti i këtij parapëlqimi vërehet shumë qartë në pasionimin e zemrave pas këtij vendi të sigurtë dhe në mallin e dashurinë që shprehin për të. Tërheqja e zemrave drejt këtij vendi është më e fortë se tërheqja e magnetit për hekurin.
Prandaj, për këtë vend shkon më shumë vargu:
Mirësia e tij është e madhe, vërtet,
Për zemrat e njerëzve ai është magnet.
Allahu e quan atë si ‘vendkthimi’ i njerëzve, d.m.th. njerëzit kthehen te ky vend çdo vit, nga çdo skaj i botës: madje, sa më shumë e vizitojnë atë, aq më shumë u shtohet malli për të.
Sa herë që syri kthehet ta shikojë,
Po aq e më tepër mallë do i shtojë.
Allahu e di sa e sa njerëz janë vrarë, plaçkitur dhe plagosur vetëm për këtë vend të shenjtë! Sa pasuri e shpirtra janë flijuar për dashurinë e tij! Sa e sa njerëz kanë pëlqyer të largohen nga kënaqësitë e zemrës dhe nga familja, nga të dashurit e nga atdheu, për hir të kësaj dashurie, duke marr parasysh çdo lloj frike e kanosje, rrugëtimi e mundimi; të gjitha këto u janë dukur të ëmbla. Nëse dashuria për këtë vend ia pushton zemrën, këto gjëra do t’i duken njeriut më të mira dhe më të kënaqshme sesa begatitë, luksi dhe kënaqësitë e kësaj jete.
Nuk është ‘i dashuruar’ kush thotë se vuan,
kur kënaq ‘të dashurin’, ashtu siç e quan!
Ky është dhe sekreti i kuptimit të thënies së Allahut: “…pastroje Shtëpinë Time…” (Haxh : 26) Kjo përkatësi e veçantë përmban shumë madhërim, nderim dhe dashuri, ashtu sikurse cilësimi “robi Im” dhe “i Dërguari Im” ka domethënien e Tij të veçantë, ashtu si përshkrimi i besimtarëve si “robër të Tij” u jep atyre madhështi, dashuri dhe urtësi. Çdo gjë që Allahu e përshkruan si “të Tijën”, është e veçantë dhe e privilegjuar ndaj të tjerave, çka përbën dhe shkakun e përzgjedhjes.
Nëpërmjet këtij përshkrimi Allahu i jep një privilegj tjetër, një vlerë tjetër dhe i jep më tepër nderim sesa kishte para tij. S’ka pasur fatin ta kapë këtë kuptim ai që nuk bën dallim mes qenieve, veprave, kohëve dhe vendeve, ai që pretendon se asgjë nuk dallon nga të tjerat, ai që thotë se asgjë nuk është e përzgjedhur apo më e privilegjuar se të tjerat, ai që mendon se diferencimi dhe dallimi bëhet krejt i thjeshtë pa asnjë arsye. Një qëndrim i tillë është i dobët dhe i pavlerë për dyzet e ca arsye, të cilat janë përmendur diku tjetër, jo këtu. Do të mjaftonte vetëm përfytyrimi i këtij mendimi për të gjykuar se është i pavlefshëm. Ne mund të mjaftohemi vetëm me pasojat logjike të këtij qëndrimi, të cilat vërtetojnë kalbësinë e tij.
Kështu, sipas tij, profetët, si qenie e në thelbin e tyre, janë të barabartë me armiqtë e tyre. Parapëlqimi sipas tyre bëhet në një mënyrë jo thelbësore, që nuk ka të bëjë aspak me veçantitë e cilësitë karakteristikë të vetë qenieve. Po kështu thonë edhe për vendet dhe krahinat: ato janë të gjitha njësoj; nuk ka një vend më të mirë sesa një tjetër. Por, nëse thuhet diçka e tillë, ajo vjen si rezultat i veprave të mira që ndodhin në to. Sipërfaqja e Qabes dhe Vendit të Shenjtë nuk ka ndonjë veçanti ndaj vendeve të tjera. Po kështu Arafati, Minaja dhe vendet e tjera të riteve të Haxhit. Sipas tyre, ato quhen “më të mira” thjesht për një shkak të jashtëm, dhe jo për shkak të cilësive të tyre të mëvetësishme.
Megjithatë, Allahu i Madhëruar e ka kundërshtuar këtë qëndrim të kotë me thënien e Tij: “Nëse u bie atyre një argument, thonë: “Nuk besojmë, derisa të na jepet ajo që iu dha të dërguarve të Zotit…”. Pastaj thotë: “Allahu është më i ditur se kujt ia jep profetësinë” (En’am : 124) Kjo do të thotë se jo çdokush është i përshtatshëm dhe i denjë për të mbajtur profetësinë, pasi ajo kërkon njerëz të veçantë e të përshtatshëm, që e meritojnë atë. Vetëm këta njerëz janë të denjë për të dhe askush tjetër. Allahu e di se cilët janë këta persona. Nëse të gjitha qeniet njerëzore do të ishin të barabarta, – sikurse thonë këta, – atëherë kjo nuk do të kishte qenë një kundërpërgjigje nga Zoti ndaj idhujtarërve.
Shembull tjetër është edhe ajeti 53 në suren En’am: “Kështu Ne i kemi sprovuar disa prej tyre me disa të tjerë, që të mund të thonë: “Vallë, këta nga mesi ynë Allahu i ndihmon dhe u sjell mirësi?” A mos vallë Allahu nuk i njeh më mirë ata që janë falënderues?” Kjo do të thotë se Allahu e di shumë mirë se kush e falënderon për begatitë e Tij dhe kush jo. Kështu, Ai e veçon atë që falënderon me mirësinë e Tij. Pra, jo çdokush është i denjë dhe i përshtatshëm për të qenë prej atyre që e falënderojnë Allahun, e që për rrjedhojë, begatohen me mirësitë e Tij dhe dallohen me nderimin e bujarinë e Tij.