Abdullah Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) thotë: Pyeta të Dërguarin e Allahut (alejhi selam), cila është puna më e dashur te Allahu? [1] Ai tha: “Namazi në kohën e tij”. [2] Thashë: po pas kësaj cila është? Tha: “Mirëbërja ndaj prindërve”. [3] Thashë: po pas kësaj cila është? Tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut”. [4] Shënon: Buhariu dhe Muslimi.
[1] Disa herë është pyetur i Dërgauri i Allahut (alejhi selam) për krahasimin mes puneve dhe ai përgjigjen e jepte në përshtatje me rastin që bëhej fjalë për të, kontekstin e pyetjes, rrethanat e kohës dhe të vendit, si dhe gjendjen e pyetësit. Prandaj ndonjëherë thonte: namazi në kohën e tij, ndonjëherë: xhihadi në rrugë të Allahut dhe ndonjëherë; sadakaja, pra kjo sipas rastit, rrethanave të kohës dhe të vendit si dhe asaj që i përshtatej gjendjes së pyetësit.
Kështu, krahasimi që Muhamedi (alejhi selam) ka bërë mes punëve është i mbështetur mbi këtë themel. Edhe ne duhet ti marrim parasyshë këto gjëra në krahasimin mes punëve. Ka njerëz që u përshtaten, ose kanë prirje për punë të caktuara dhe në to mund të jenë të suksesshëm, andaj duhet ti orientojmë dhe të ngjallim interesin e tyre për to. Po ashtu edhe rethanat e kohërave ndryshojnë, kështu nganjëherë sadakaja është më e mirë se punët e tjera si në periudhat e zisë, urisë dhe të nevojës, nganjëherë xhihadi është më i vlefshëm si psh; kur armiku sulmon vendin, nganjëherë kërkimi i dijes është më i dobishëm për shkak të nevojës për të dhe indiferencës së njerëzve ndaj tij, etj.
[2] Disa dijetarë thonë që këtu bëhet fjalë për namazin në fillimin e kohës së tij, sepse nëse do të ishte qëllimi, falja e namazit në kohën e tij, qoftë në fëllim apo në fund dhe jo jashtë kohës së tij, atëherë shkalla krahasore ‘më e dashur’ nuk do të kishte kuptim, meqë ajo nënkupton se të dyja gjërat që bëhet krahasimi mes tyre janë të pëlqyeshme, por njëra është më e dashur dhe më e palqyeshme se tjetra.
Nuk ka dyshim që nxjerrja e namazit nga koha e tij është e ndaluar, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të thuhet se krahasimi bëhet mes namazit në fillim të kohës dhe namazit më vonë, por brenda kohës. Nga kjo konkludon se namazi në fillimin e kohës është më i mirë se namazi më vonë, por brenda kohës. Mendimi tjetër i dijetarëve në shpjegimin e këtij hadithi është se bëhet fjalë për faljen e namazit brenda kohës së tij dhe për mosnxjerrjen e tij nga koha e përcaktuar për të, përveç rasteve kur njeriu ka arsye.
Ibn Dekik el Id ka thënë: “Kjo shprehje nuk përcakton as fillimin dhe as fundin e kohës, kështu që me sa kuptohet qëllimi është për të mos e nxjerrë namazin nga koha e tij”. Ndërsa për krahasimin në hadithë, ata kanë thënë se ai nuk është mes namazit në kohën e vet dhe namazit kaza, jashtë kohe, por mes namazit dhe punëve të tjera. Në Mustedrekun e Hakimit e të tjerë, është një rivajet ku citohet: “namazi në fillimin e kohës së tij”, por ai nuk është i saktë, siç kanë sqaruar dijetarët e hadithit.
[3] Përmendja e të drejtës së prindërve menjëherë pas së drejtës së Allahut të Lartësuar tregon për rëndësinë që ka rrespektimi i prindërve në Islam. Në shumë ajete në Kur’an pas së drejtës së Allahut, e cila është adhurimi i Tij një i vetëm, përmendet e drejta e prindërve, e cila është mirëbërja dhe mirësjellja ndaj tyre, psh; “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni asgjë tjetër veç Tij dhe që të silleni mirë me prindërit” (El Isra : 23). “Ne kemi kërkuar nga njeriu që të jetë i përkushtuar e i dëgjueshëm ndaj prindërve të tij, sepse nëna e tij e mbarti atë me mundime pas mundimesh dhe vështirësi pas vështirësish dhe pas dy vitesh ia ndau gjinë. (E porositëm) të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, ngaqë kthimi juaj është vetëm tek Unë.” (Llukman : 14)
Kështu, sipsa asaj që kanë sqarauar dijetarët tanë ky hadith përputhet me fjalën e Allahut : “(E porositëm) të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu”. Sufjan Ibn Ujejne ka thënë: “Falenderimi i Allahut është falja e pesë namazeve, ndërsa falenderimi i prindërve është lutja për ta në to, ose pas tyre.
[4] Nga hadithi përfitohet se e drejta më e madhe e Allahut pas dy dëshmive është namazi, ndër të drejtat e njerëzve më e madhe është e drejta e prindërve, lloji më i mirë i sakrifikimit është xhihadi, ngaqë nëpërmjet tij mbrohet e drejta e Allahut dhe e drejta e njerëzve. Krahasimi në këtë hadith është bërë mes punëve të trupit dhe jo mes të gjitha punëve përfshi edhe punët e zemrës. Gjithashtu nga hadithi përfitohet se vlera e punëve të mira nuk është e njëjtë por ajo është e diferencuar sipas ndikimit të punës për afrimin e njeriut te Allahu dhe sipas dobisë së saj.