Ebu Bekri (Radiallahu anhu!) ishte i mëshirshëm, me zemër të butë, shumë i turpshëm. Ai i ruhej shumë të ndaluarave (harameve), e përmendte Allahun vazhdimisht me madhërim dhe lutje, ishte bujar dhe fisnik. Ehli Suneti janë të një mendimi se njeriu më i mirë pas Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Ebu Bekri, pas tij Umeri, më pas Uthmani dhe pas tij Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).
Pas Haxhit të lamtumirës, Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu rëndua gjendja shëndetësore dhe atij ju la të zgjedhë; të vazhdonte të jetonte, ose të largohej nga kjo botë për të qenë pranë Mëshiruesit [0]. Profeti zgjodhi të dytën, ndaj dhe më datë 12 të muajit Rabiul Euel ai ndërroi jetë, pikërisht në dhomën e vajzës së Ebu Bekrit, njeriut më të dashur tek Profeti; Aishes, i mbështetur në kraharorin e saj.
Në këtë situatë të vështirë për besimtarët, u krijua një tronditje emocionale aq sa Umeri thërriste me të madhe se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka vdekur dhe se ai do të kthehet përsëri. Aliu shkoi dhe u mbyll në shtëpinë e tij me Fatimen, ndërsa Uthmani nuk gjente fjalë për të thënë.
Enesi, në lidhje me atë ditë të kobshme, ka thënë: “Dita më e bardhë dhe më e lumtur ishte dita kur Profeti dhe Ebu Bekri erdhën në Medine, ndërsa dita më e zezë dhe më e trishtueshme, ishte dita kur ai ndërroi jetë.” [1]
Në këtë moment tepër tragjik, doli në pah urtësia dhe forca e Ebu Bekrit.
Kur i erdhi lajmi për vdekjen e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekri hyri në dhomën e Aishes, në të cilën gjendej trupi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai zbuloi fytyrën e bukur e të shndritshme të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: “Ishe më i bukuri ndër të gjallët dhe je më i bukuri, edhe tani që ke ndërruar jetë”, pastaj e puthi në ballë [2].
Më pas, Ebu Bekri (radiallahu anhu), hyri në xhami, hipi në minber dhe iu drejtua njerëzve me këto fjalë [3]: “O njerëz! Nëse dikush nga ju ka adhuruar Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ka vdekur. Por, nëse adhuroni Allahun, ta dini se Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë!”
Dhe lexoi ajetin kuranor: “Muhamedi nuk është tjetër, por veçse i Dërguar. Ka pasur edhe shumë të dërguar të tjerë para tij. Në qoftë se ai vdes apo vritet, atëherë a do të ktheheshit prapa (në mosbesim)?!” (Ali Imran: 144)
Umeri është shprehur se, megjithëse këtë ajet e kishin të memorizuar, atë ditë iu është dukur sikur po e dëgjonin për herë të parë. Pas dëgjimit të këtyre fjalëve, njerëzit u qetësuan. Kështu ky njeri i urtë dhe i mençur, arriti t’i qetësojë muslimanët.
– Disa ajete dhe hadithe që e dëshmojnë vlerën dhe pozitën e nderuar të Ebu Bekrit.
Allahu i Madhëruar në disa ajete në Kuran aludon për Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ashtu siç vërehet në këto ajete. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata ishin vetë i dytë kur gjendeshin në shpellë” (Teubeh: 40) Pra, ishte Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Ebu Bekrin.
Në një ajet tjetër thotë: “Ai që solli të vërtetën dhe ai që e besoi atë, të tillët janë të devotshmit” (Zumer: 33). Në këtë ajet është për qëllim Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili erdhi me shpalljen nga Allahu dhe Ebu Bekri, i cili e besoi atë.
Po ashtu, thotë: “Ndërsa ai që është i devotshëm do të jetë larg prej tij (zjarrit). Ai i cili jep pasurinë e vet dhe pastrohet (shpirtërisht), jo për ta shpërblyer ndokënd që i ka bërë mirë më parë, por vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit të vet, më të Lartit. Padyshim që ai do ta gëzojë atë kënaqësi.” (Lejl: 17-21) Shumë komentues të Kuranit kanë thënë se këto ajete aludojnë për Ebu Bekrin [4].
Allahu ka thënë:“O ju që besuat! Nëse ndonjëri prej jush braktis besimin e tij, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz të tjerë, të cilët Ai i do dhe ata e duan Atë. Janë të përulur me besimtarët dhe të ashpër me mohuesit….” (Maide: 54) Katadeja ka thënë: “Shpesh bisedonim mes nesh dhe thonim që ky ajet ka zbritur për Ebu Bekrin dhe shokët e tij. [5] Gjithashtu, Hasan el Basriu ka thënë: “Betohem për Allahun! Është për Ebu Bekrin dhe shokët e tij. [6]
[0] Kështu ka ndodhur me të gjithë profetët; Allahu në shenjë nderimi për ta u jepte mundësinë të zgjidhnin ndërmjet vazhdimësisë së jetës në këtë botë apo vdekjes dhe jetës së amshueshme. Kjo tregohet në disa hadithe si psh fjala e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) : “Çdo profeti i cili sëmurej rëndë i jepej mundësia të zgjidhte ndërmjet jetës së kësaj bote dhe botës tjetër”. Transmeton Buhariu me nr 4586 dhe Muslimi me nr 2444.
[1] Transmeton Ahmedi me nr 11825
[2] Transmeton Buhariu me nr 3467
[3] Siç e transmeton Buhariu me nr 3670
[4] Marre nga libri Mearixhul Kabul 3/1 327, Hafidh el Hakemij.
[5] Marre nga libri Mearixhul kabul 3/1 336
[6] Transmeton Ibn Ebi Hatim në tefsirin e tij, me nr. 6 537, Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 613. Ky transmetim është i saktë.