Pas vdekjes së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shoqëria muslimane ballafaqohej me një problem serioz: zgjedhjen e udhëheqësit (kalifit). Ensarët u mblodhën në kopshtin e fisit Beni Sad që të zgjidhnin kalifin. Pas tyre shkuan edhe një grup prej Muhaxhirëve ku mes tyre ishin Ebu Bekri, Umeri, Ebu Ubejdeh, etj.
Ebu Bekri pasi tregoi për vlerën dhe mirësitë e ensarëve tha: “Jam i kënaqur që të zgjidhni njërin prej këtyre dy burrave, jepjani besën cilit të doni prej tyre dhe mori dorën e Umerit dhe të Ebu Ubejdes. Umeri (radijAllahu anhu) tha : “O ju ensarë! A mos vallë harruat që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi Ebu Bekrin që t’u printe njerëzve në namaz?! Pra, cili prej jush do të printe në vend të Ebu Bekrit?!” Ensarët thanë: “Allahut i lutemi të na ruajë nga kjo!” [1]
Umeri nuk rreshti së treguari mirësitë e Ebu Bekrit, aq sa në një moment kërkoi prej tij që t’i zgjaste dorën dhe ia dha besën. Menjëherë pas tij ia dhanë besën muhaxhirët dhe ensarët, duke qenë të bindur për përparësinë që kishte Ebu Bekri për t’u bërë halif. Atyre u mjaftoi përkujtimi i Umerit për këtë.
Ditën e dytë Ebu Bekri u ngjit në minber dhe të gjithë njerëzit ia dhanë besën dhe e pranuan për halif. E gjithë kjo ndodhi në përputhje me hadithin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të cilin e transmeton Aishja: “Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjatë kohës që ishte sëmurë tha:
“Më thirr babanë tënd, Ebu Bekrin dhe vëllanë tënd, pasi dua të lë një testament sepse kam frikë që më vonë ndokush ka për të pretenduar: “Më takon mua (udhëheqja e muslimanëve)!” Por, Allahu i Lartëmadhëruar dhe besimtarët nuk pranojnë askënd tjetër, veç Ebu Bekrit!” [2]
Mënyra e qeverisjes.
Ebu Bekri (radijAllahu anhu) nëpërmjet fjalimit të tij të shkurtër, por kuptimplotë, të cilin e mbajti në xhaminë e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e bëri të qartë që në fillim mënyrën e tij të drejtimit të shtetit islam. Ai falënderoi dhe lavdëroi Allahun dhe tha: “O njerëz! Unë u caktova prijësi juaj, por nuk pretendoj të jem më i miri mes jush. Nëse unë udhëheq me drejtësi duke iu përmbajtur të vërtetës, atëherë më ndihmoni! E nëse unë gaboj, më korrigjoni!”.
Sinqeriteti i garanton njeriut sukses dhe shpëtim, ndërsa gënjeshtra shpie në humbje dhe dëshpërim.
Dikë që ju e konsideroni të vobektë, tek unë do të gjejë mbështetjen dhe përkrahjen e nevojshme dhe do t’i jepet e drejta që i takon. Ndërsa, ai të cilin ju e konsideroni të fortë dhe me pozitë, tek unë do të jetë i dobët dhe nuk më pengon asgjë që të marr prej tij atë që është e drejtë të merret. Çdo popull i cili e lë pas dore përpjekjen në rrugë të Allahut është i destinuar të poshtërohet.
Dijeni se kur imoraliteti përhapet në mënyrë masive në një popull, Allahu i përfshin të gjithë me sprova dhe fatkeqësi. M’u bindni mua, për sa kohë i bindem Allahut të Madhëruar dhe Profetit të Tij! Nëse unë e kundërshtoj Allahun dhe të Dërguarin e Tij, atëherë mos m’u bindni! Tani ngrihuni të falim namazin! Allahu ju mëshiroftë!” [3]
Në këtë fjalim Ebu Bekri shpalosi linjat kryesore të qeverisjes së tij, të cilat mund t’i rendisim si më poshtë:
- Ai dhe çdo individ tjetër do të ishin të barabartë përpara ligjit.
- ‘Bashkëpunimin në punë të mira dhe të dobishme’ e bëri parim themelor për forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të shtetit.
- I dha rëndësi sinqeritetit në marrëdhëniet mes njerëzve.
- Premtoi se nuk do t’i linte dorë të lirë asnjë zullumqari dhe se atij që i ishte bërë padrejtësi do të ndihmohej dhe do t’i jepej e drejta që i takonte.
- I kushtoi rëndësi prioritare lartësimit të Fjalës së Allahut.
- Tërhoqi vërejtje, në lidhje me pasojat dhe dëmet e imoralitetit.
- Kërkoi nga njerëzit që t’i bindeshin atij, për sa kohë që vendimet e marra prej tij ishin në përputhje me parimet dhe dispozitat islame.
[1] Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij 2/133
[2] Transmeton Muslimi 4/1 857
[3] Transmeton Abdurrezaku, nr. 9 756, me zinxhir të saktë dhe thelbi i ketij hadithi gjendet tek Buhariu, nr. 7 269.