Në rastin e Ebu Bekrit, ishte Profeti (salAllahu alejhi we selem) ai që i udhëzoi muslimanët ta pranonin për udhëheqës (khalif), ndërsa në rastin e Umerit ishte Ebu Bekri (radijAllahu anhu), ai që e la me porosi (me testament) që Umeri të zgjidhej udhëheqës i muslimanëve. Ebu Bekri kur e ndjeu se po largohej nga kjo botë, urdhëroi që të mblidheshin njerëzit dhe u tha:
“O njerëz! E ndjej se po më vjen caktimi i Allahut (vdekja). Ju, patjetër duhet të zgjidhni një njeri, i cili të marrë përsipër qeverisjen tuaj, t’ju prijë në namaz, t’ju urdhërojë për çështjet e ndryshme dhe të luftojë së bashku me ju, kundër armikut. Prandaj, nëse jeni dakord, unë do t’ju bëj propozimin tim. Betohem në Allahun, nëse unë di se diçka është e mirë për ju, nuk do t’jua fshihja kurrë …” – Pastaj filloi të qante dhe së bashku me të, qanë edhe ata që ishin të pranishëm.
Njerëzit thanë: “O mëkëmbësi i Profetit! Ti je më i dituri dhe më i miri ndër ne, prandaj zgjidh kë të duash!” Atëherë Ebu Bekri tha: “Me lejen e Zotit, unë do të zgjedh për ju atë që është më i miri mes jush.” [1] Ebu Bekri thërriti Uthmanin dhe i tha: “Shkruaj!”
Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim!
Kjo është porosia të cilën Ebu Bekr Ibn Ebi Kuhafe e la në momentet e fundit të jetës së tij në këtë botë. Unë po ju lë si prijësin tuaj pas meje, Umer Ibn Hatabin, prandaj dëgjojeni atë dhe bindjuni! Në qoftë se ai mban drejtësi, atëherë ai ka vërtetuar mendimin e mirë që unë kisha për të. Mirëpo, nëse sillet ndryshe, çdo njeri ka përgjegjësi për gabimet e tij. Unë ju dua të mirën, por unë nuk e di të fshehtën.
Në vazhdim, ai lexoi ajetin kuranor: “Më vonë do ta marrin vesh ata që bëjnë padrejtësi se çfarë përfundimi do të kenë…” (Esh-Shuara: 227). Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju! [2]
Kur Ebu Bekri ndërroi jetë, të gjithë banorët e Medinës i dhanë besën Umerit dhe më 23 të muajit Xhumadi el Akhir, të vitit 13 Hixhri, ai u emërua si udhëheqës i Muslimanëve. Umeri ishte i pari, të cilit iu dha titulli Emirul Muminin – Prijësi i Besimtarëve.
[1] Marrë nga libri El Imameh ues-sijaseh, 1/25
[2] Marrë nga libri Tarihul islam të Dhehebiut fq 116, si dhe el Hulefa er-rashidun fq 46 të Eminul Kudah.