Pasi Umeri (radijAllahu anhu) u sulmua pabesisht nga skllavi persian dhe dergjej i plagosur në shtrat, duke lënë amanetet e fundit, disa nga sahabët kërkuan nga ai që të zgjidhte një njeri të përshtatshëm për të marrë në dorëzim udhëheqjen e muslimanëve. Umeri (radijAllahu anhu) tha: “Unë nuk gjej, askënd më të përshtatshëm veç shokëve, ndaj të cilëve Profeti (salAllahu alejhi we selem) ishte i kënaqur, deri kur ndërroi jetë…” – dhe përmendi Aliun, Uthmanin, Abdurrahman Ibn Aufin, Sad Ibn Ebi Uekasin, Zubejr Ibn Auamin dhe Talha Ibn Ubejdullahin. Umeri (radiallahu anhu) e la porosi që ata të gjashtë të mblidheshin pas vdekjes së tij dhe të zgjidhnin si udhëheqës të muslimanëve njërin prej tyre.
Më pas Umeri tha: “Atë që do të zgjidhni si udhëheqës pas meje, unë e porosis të sillet mirë me muhaxhirët (emigruesit) e parë, t’i vlerësojë dhe ti respektojë! Po ashtu, e porosis të nderojë ensarët, ata që i mikpritën emigruesit! Ndër ta duhet të vlerësojë punëmirët dhe t’ua fali gabimet gabimtarëve! E porosis t’u gjendet pranë muslimanëve që jetojnë në zonat kufitare sepse janë mburoja e Islamit. Janë ata që mbledhin taksën e jomuslimanëve dhe që ndodhen në vijën e parë të sulmit të armiqve, prandaj kujdesuni për ta! Nga pasuria e tyre të marrë vetëm tepricën, madje edhe atë duhet ta marrë me miratimin e tyre! E porosis të sillet mirë me beduinët arabë sepse ata pëfaqësojnë origjinën e arabëve. Të grumbullojë zekatin e pasurisë nga të pasurit dhe t’ua japë të varfërve. E porosis të ruajë besën që i ka dhënë Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe ta ruajë amanetin!” [1]
Pasi Umeri (radiallahu anhu) ndërroi jetë dhe pasi u krye ceremonia e varrimit, të gjashtët që ai kishte caktuar u mblodhën të diskutonin, se cili nga ata do të zgjidhej Prijës i Besimtarëve. Abdurrahman Ibn Aufi tha: “Le t’ia caktojmë këtë çështje njërit nga ju!” Zubejri tha: “Unë për vete tërhiqem dhe propozoj të jetë Aliu!” Talha tha: “Edhe unë tërhiqem dhe propozoj Uthmanin!” Sa’di tha: “Edhe unë tërhiqem dhe propozoj Abdurrahman Ibn Aufin.” Abdurrahmani u drejtua nga Uthmani dhe Aliu dhe tha: “Cili nga ju të dy është i gatshëm të tërhiqet dhe t’ia caktojmë tjetrit këtë përgjegjësi?” Të dy heshtën. Abdurrahmani tha: “A ma lini mua në dorë që me ndihmën e Allahut të zgjedh më të mirin prej jush?” Të dy thanë: “Po!”
Ai e mori secilin veçmas dhe i tha: “Ti ke afërsi me Profetin (salAllahu alejhi we selem) dhe gëzon pozitë të nderuar në Islam, ashtu siç edhe ti vetë e di, të kërkoj në emër të Allahut që nëse të zgjedh ty, duhet të mbash drejtësi, por nëse zgjedh tjetrin ta pranosh zgjedhjen time e të mos e refuzosh atë! Pasi Abdurrahman Ibn Aufi u konsultua me Uthmanin dhe Aliun, dhe pasi mori premtimin e tyre që të binin dakort me zgjedhjen që ai do të bënte, doli për tre ditë me rradhë duke marrë mendimin e banorëve të Medinës në lidhje me të preferuarin e tyre për të qenë udhëheqësi i tyre. Rezultati ishte që të gjithë preferonin Uthmanin. [2]
Abdurrahmani ishte i pari që ia dha besën Uthmanit, pas tij Aliu dhe pastaj të tjerët me rradhë, duke rënë të gjithë dakort se me të vërtetë Uthmani e meritonte të ishte khalifi i tretë i muslimanëve. [3]
[1] Fet-hul Barij 7/78
[2] Transmeton el-Lalekai në Sherhu usulil itikad, nr. 2 553. Abdurrahman Ibn Aufi ka thënë: “Jam konsultuar me të gjithë, në lidhje me zgjedhjen e halifes dhe të gjithë thonin: “Uthmani është më i mirë se Aliu.” Në një transmetim tjetër të tij, nr. 2552, Abdurrahmani ka thënë: “Pasha Allahun! Nuk ia kam dhënë besën Uthmanit, pa u konsultuar më parë edhe me fëmijët që mësonin Kur’anin, të cilët thoshin “Uthmani është më i mirë se Aliu”.
[3] Fet-hul Barij 7/79