Mjalti është shumë i dobishëm. Ai përdoret si pastrues dhe kurues i mirë. Ai përmban veti pastruese dhe forcuese, sepse pastron arteriet dhe zorrët nga papastërtitë. Mjalti shmang bllokimin e mëlçisë, të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Ai është, gjithashtu, konservues i përgjithshëm. Mjalti than lagështinë e tepërt, është i shëndetshëm si pije dhe si pomadë, është mjaft i vyer për të moshuarit dhe për ata që vuajnë nga këlbaza dhe nga pasojat e të ftohtit. Mjalti është tepër ushqyes, zbut rrugët e jashtëqitjes dhe është konservues mjaft i mirë. Ai lehtëson pirjen e barnave të hidhura, pastron mëlçinë dhe brendësinë e kraharorit, nxit urinimin dhe shkrin këlbazën që shoqëron kollën.
Kur pihet i tretur në ujë të nxehtë dhe me vaj trëndafili, ai kuron kafshimet e kafshëve dhe efektet e opiumit. I tretur në ujë, ai vepron si kundërhelm ndaj ngrënies së helmarinës, [1] kërpudhave helmuese dhe kundër plagëve të shkaktuara nga kafshimi i qenit të tërbuar.
Si konservues, mjalti mund të përdoret për ta ruajtur mishin deri në tre muaj. Ai është përdorur për ruajtjen në gjendje të freskët të kastravecëve, kungujve, patëllxhanëve dhe të frutave të ndryshme deri në gjashtë muaj. Mjalti është përdorur gjithashtu si përbërës kryesor në balsamimin e të vdekurve.
Kalimi i lehtë i dorës së lyer me mjaltë nëpër flokë, si krem, zhduk morrat dhe parazitët e tjerë. Ai mund të përdoret si zbutës dhe freskues i flokëve, madje përshpejton rritjen e tyre. Përdorimi i mjaltit si pomadë për syrin forcon të parët dhe largon errësimin e shikimit, ndërsa fërkimi i dhëmbëve me mjaltë i zbardh ata. Kur përdoret për shpëlarjen e gojës, forcon mishin e dhëmbëve dhe mënjanon sëmundjen e tyre.
Vetitë natyrore e bëjnë mjaltin mjet plotësues dhe tretës të shkëlqyer. Ai hap poret e enëve të gjakut, lehtëson rrjedhjen e gjakut menstrual, liron sekrecionet, ndihmon kundra problemeve të mëlçisë, të veshkave dhe të fshikëzës së urinës. Gjithashtu, mjalti nuk ka efekte anësore dhe nuk ka asnjë pasojë negative, përveç tek ata njerëz që vuajnë nga vreri, të cilët duhet ta konsumojnë atë të shoqëruar me uthull, për të neutralizuar ndonjë dëmtim që mund t’i sjellë.
Mjalti vërtet ka vlera të mëdha ushqyese: ai është ushqim, pije, ëmbëlsirë, ilaç dhe freskues. Nuk ka ushqim tjetër që Allahu e ka krijuar për ne e që mund të barazohet me vlerat e mjaltit. Ja përse njerëzit e kanë përdorur mjaltin që në kohët më të lashta, ndërsa sheqerin nuk e kanë përmendur në librat e tyre, pasi ai është zbuluar kohët e fundit. Pejgamberi (alejhi selam) e pinte shpesh mjaltin të tretur në ujë dhe esëll. Këtu mund të zbulojmë një të fshehtë shumë të veçantë dhe të rëndësishme, që mund ta kuptojë çdo i ditur dhe i zgjuar.
Në Sunen-in e Ibn Maxhes është një hadith merfu, të cilin e ka treguar Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), sipas të cilit, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Kush ha mjaltë së paku tri herë në muaj, nuk do të vuajë nga sëmundje të rënda.” [2]
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Përdorni dy shëruesit: mjaltin dhe Kuranin.” [3] Në këtë fjalë të tij, ai (alejhi selam) e ka lidhur ngushtë mjekësinë njerëzore me mjekësinë hyjnore, ilaçet për shërimin e trupit me ilaçet për shërimin e shpirtit. Ai ka lidhur mjekësinë trupore me atë shpirtërore, mjekësinë tokësore me atë qiellore.
[1] Buhariu, vëll. 10, 119; Muslimi, nr. 2217.
[2] Ibn Maxhe, nr. 3450. Në sened-in e tij merr pjesë Zubejr ibn Seidi, i cili konsiderohet si “i pakujdesshëm në transmetimin e hadithit”. Aty merr pjesë edhe Abdulhamid ibn Salimi, i cili konsiderohet si “i panjohur”.
[3] Ibn Maxhe, nr. 3452, dhe El Hakimi, vëll. 4, 200, prej Ebu Is’hakut, që përcjell prej Ebu Ahuesi dhe ky nga Abdullah ibn Mesudi. El Hakimi këtë hadith e ka gjykuar si të saktë, i miratuar edhe nga Dhehebiu. Megjithatë, nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe faktin që disa tranmetues të besueshëm e kanë konsideruar këtë hadith si meukuf.