- Nga Enes Ibn Maliku transmetohet se Profeti (salAllahu alejhi we selem) u ngjit në malin e Uhudit, së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin, kur papritmas mali nisi të dridhet. Profeti (salAllahu alejhi we selem) tha: “Ndalu, o Uhud, sepse ke mbi vete një Profet, një të sinqertë dhe dy dëshmorë.” [1]
- Nga AbduRrahman Ibn Aufi transmetohet se Profeti (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Ebu Bekri do të jetë në Xhenet, Umeri do të jetë në Xhenet, Uthmani do të jetë në Xhennet…” [2]
- Nga Enes Ibn Maliku transmetohet se Profeti (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Njeriu më i turpshëm i umetit tim është Uthmani…” [3]
- Nga Aishja (radiallahu anha) transmetohet se ka thënë: “Ndërsa Profeti (salAllahu alejhi we selem) po rrinte shtrirë në shtëpinë time dhe rroba i ishte ngritur pakëz sipër gjurit, Ebu Bekri kërkoi leje për të hyrë. Profeti (salAllahu alejhi we selem) i dha leje dhe nuk lëvizi nga pozicioni që ishte. Filluan bisedën dhe pas pak erdhi Umeri, i cili, po ashtu, kërkoi leje për të hyrë dhe pasi ai i dha leje, sërish nuk lëvizi. Ndërsa vazhdonin të bisedonin erdhi edhe Uthmani, i cili kërkoi leje për të hyrë. Në këtë moment, Profeti (salAllahu alejhi we selem) u ngrit, rregulloi rrobat e tij dhe pastaj i dha leje për të hyrë. Pasi mbaruan bisedën dhe dolën, Aishja e pyeti Profetin (salAllahu alejhi we selem): “Erdhi Ebu Bekri dhe ti nuk lëvize nga vendi dhe as nuk u përpoqe të ndryshoje mënyrën e të qëndruarit, po ashtu, edhe kur erdhi Umeri, ti nuk lëvize, ndërsa kur erdhi Uthmani, ti u ngrite dhe i rregullove rrobat e tua!” Profeti (salAllahu alejhi we selem) tha: “E si të mos kem turp nga ai njeri, prej të cilit turpërohen edhe engjëjt?!” [4]
- Nga Kab Ibn Uxhrah transmetohet se ka thënë: “Profeti (salAllahu alejhi we selem) na tregoi për një fitne (trazirë), e cila do ndodhte së shpejti. Aty pranë nesh kaloi një burrë me kokën të mbuluar, Profeti (salAllahu alejhi we selem) tha: “Ky njeri, në atë kohë do të jetë në të drejtë!” Nxitova drejt tij dhe ia zbulova kokën. Ai ishte Uthmani. U drejtova nga Profeti (salAllahu alejhi we selem) dhe thashë: “Ky, o i Dërguari i Allahut?” “Po, ai.” – tha Profeti (salAllahu alejhi we selem).” [5]
- Nga Aishja (radijAllahu anha) transmetohet se Profeti (salAllahu alejhi we selem) i ka thënë Uthmanit: “O Uthman! Në qoftë se Allahu ta ngarkon ty këtë çështje (qeverisjen) dhe munafikët (hipokritët) do të duan që të ta heqin atë “veshje” të cilën Allahu (Xheleshanuhu) ta ka veshur, ti mos prano ta heqësh, derisa të takohesh me mua!” [6] (E përsëriti tre herë.)
- Nga Ibn Umeri transmetohet të ketë thënë: “Profeti (salAllahu alejhi we selem) përmendi një fitne (trazirë) dhe tha: “Në atë trazirë, ky njeri do të vritet padrejtësisht.” Dhe e kishte fjalën për Uthmanin.” [7]
- Nga Aishja (radijAllahu anha) transmetohet se Profeti (salAllahu alejhi we selem) ndërsa ishte sëmurë, tha: “Do të doja të kisha pranë ndonjë prej shokëve të mi!” Ne e pyetëm: “O i Dërguari i Allahut! A ta thërrasim Ebu Bekrin?” Profeti (salAllahu alejhi we selem) heshti. E pyetëm prapë: “A ta thërrasim Umerin?” Ai përsëri heshti. Më pas i thamë: “A ta thërrasim Uthmanin?” Ai u përgjigj: “Po!” Kur erdhi Uthmani, Profeti (salAllahu alejhi we selem) kërkoi të bisedonte veçmas me të. Gjatë bisedës, në një moment, Uthmani u vrenjt në fytyrë. Shërbëtori i Uthmanit tregon se ditën në të cilën u vra, ai kishte thënë: “Profeti (salAllahu alejhi we selem) ka marrë prej meje një zotim dhe unë do t’i përmbahem atij zotimi, do të duroj.” [8]
- Uthmani (radiallahu anhu) ishte prej shembujve më të rrallë, për sa i përket sakrificës dhe dhënies sadaka në rrugë të Allahut. Imam Tirmidhiu transmeton fjalët e AbduRrahman Ibn Semurah, i cili ka thënë: “Uthmani shkoi tek Profeti (salAllahu alejhi we selem) me njëmijë dinarë, të cilat i vuri në prehërin e tij që të përgatiste ushtrinë në betejën e Tebukut.” AbduRrahmani thotë: “E pashë Profetin (salAllahu alejhi we selem), duke i rrotulluar ato dinarë në prehërin e tij dhe duke thënë: “Le të bëjë çfarë të dojë Uthmani pas kësaj dite!” – e përsëriti dy herë.” [9]
- Në një vit mbizotëroi thatësira dhe të gjithë puset e Medinës u thanë përveç një pusi, i cili ishte në pronësi të një hebreu. Uthmani e bleu atë pus me një çmim shumë të shtrenjtë dhe e la sadaka për muslimanët, pasi dëgjoi fjalën e Profetit (salAllahu alejhi we selem): “Kush e blen pusin e Rumes atij i takon Xhenneti.” [10]
[1] Transmeton Buhariu, nr. 3699.
[2] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 842 dhe Ibn Maxheh, nr. 133, dhe e saktësoi Albani.
[3] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 803 dhe Ibn Maxheh, nr. 154, dhe e saktësoi Albani.
[4] Transmeton Muslimi, nr. 2401 dhe Fet-hul Barij 7/70.
[5] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3704 dhe e saktësoi atë. Të njëjtin gjykim ka edhe Albani.
[6] Transmeton Ahmedi 6/75, Tirmidhiu, nr. 3705, i cili e konsideron hasen, ndërsa Albani e konsideron të saktë.
[7] Transmeton Ahmedi 2/115, Tirmidhiu, nr. 3 708 dhe e ka konsideruar hasen. Të njëjtin gjykim ka edhe Albani.
[8] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 804 dhe Ibn Maxheh, nr. 113 dhe e ka saktësuar Albani.
[9] Transmeton Ahmedi 5/63 me zinxhir të saktë dhe Tirmidhiu, nr. 3701, të cilin e konsideroi hadith hasen. Të njëjtin gjykim ka edhe Albani mbi këtë hadith.
[10] E transmeton Buhariu.