Umeri ishte khalifi i dytë i muslimanëve dhe njeriu më i mirë i këtij umeti pas Ebu Bekrit. Umeri (Radiallahu anhu!) ishte i njohur edhe para Islamit për oratorinë dhe trimërinë e tij. Pasi u bë musliman, ai shquhej edhe më tepër për autoritet, zuhd (asketizëm), [1] drejtësi, mëshirë, dituri e mendjemprehtësi. Umeri ishte i përpiktë në zbatimin e dispozitave të Allahut, i ashpër me armiqtë, por i drejtë. [2]
Për sa i përket adhurimit, Umeri ishte shembull për të gjithë. Sahabiu i nderuar Abdullah bin Shedadi transmeton: “Një ditë, ndërsa ishim duke u falur me Umerin, ai po lexonte suren “Jusuf”. Kur mbërriti tek ajeti:
قَالَ إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّهِ
“Tha (Jakubi) : Brengën dhe pikëllimin tim ia parashtroj vetëm Allahut”, qau aq shumë saqë unë e dëgjoja ngashërimën e tij megjithëse ndodhesha në rreshtin e fundit të xhamisë. [3]
Një rast tjetër, tek po falej si imam në namazin e sabahut, ai lexoi ajetin:
وَقِفُوهُمْ إِنَّهُمْ مَسْئُولُونَ
“Ndalini ata, sepse do të merren në llogari” (Es-Safat: 24)
Nisi të qante me ngashërim nga frika prej Zotit, aq sa i ra të fikët dhe u sëmur për një muaj rresht. [4]
Po ashtu, një ditë tjetër ishte duke lexuar suren “El Mudethir” dhe kur arriti tek ajetet:
فَإِذَا نُقِرَ فِي النَّاقُورِ فَذَٰلِكَ يَوْمَئِذٍ يَوْمٌ عَسِيرٌ عَلَى الْكَافِرِينَ غَيْرُ يَسِيرٍ
“Përkujto Ditën kur do të fryhet në Sur (bririn lajmërues). Ajo do të jetë një ditë e vështirë. Për mohuesit nuk do të jetë aspak e lehtë”
Nisi të qante dhe nuk mundi ta vazhdonte më tej leximin.
Përveç faktit që ishte njeri i devotshëm dhe i përkushtuar në adhurim, Umeri shquhej për mençurinë dhe mendjemprehtësinë e tij të pashoqe, cilësi të cilën e tregon edhe fakti që mendimi i sugjeruar prej tij, në tre raste ishte në përputhje me dispozitat që do të shpalleshin më pas në Kur’an.
Imam Buhariu dhe imam Muslimi transmetojnë [5] nga sahabiu i nderuar Enes bin Maliku se Umeri ka thënë: Mendimi i sugjeruar prej meje është përputhur me fjalët e Allahut në tri raste:
- E para, kur sugjerova: “O i Dërguari i Allahut! A nuk do të ishte mirë që të falemi pas vendqëndrimit të Ibrahimit?” Më pas, Allahu zbriti fjalën e Tij: “Faluni pas vendqëndrimit të Ibrahimit” (El Bekare: 125).
- Në rastin e dytë, thashë: “O i Dërguari i Allahut! Tek ti vijnë njerëz të çfarëdoshëm, të mirë dhe jo të tillë, ndaj do të ishte mirë sikur t’i urdhëroje gratë e tua që të mbuloheshin.” Allahu zbriti ajetin e hixhabit.
- Rasti i tretë ndodhi kur mësova lajmin për qortimin e Profetit ndaj disa grave të tij, shkova tek ato dhe i qortova: “Ose i jepni fund sjelljeve tuaja, ose Allahu do t’ju zëvendësojë me gra më të mira…” Njëra prej tyre m’u përgjigj: “Vallë, nuk mjafton Profeti për të këshilluar gratë e tij që të vish ti e t’i këshillosh?!” Atëherë, Allahu zbriti fjalën e Tij: “Në qoftë se ai ju ndan, Zoti i tij mund t’ju zëvendësojë me gra më të mira se ju.” (Tahrim: 5) [6]
Gjatë qeverisjes së Umerit u arritën suksese të mëdha. U themeluan dhe u konsoliduan institucionet e shtetit islam. Nën udhëheqjen e tij, muslimanët arritën të mposhtnin dy perandoritë më të mëdha të kohës, Perandorinë Perse dhe Perandorinë Bizantine.
[1] Tregohet se Umeri (radijAllahu anhu) kishte vetëm dy rroba, një për dimër dhe një për verë. Aishja (radijAllahu anha) ka thënë: “Zoti e mëshiroftë, ai kur godiste shkaktonte dhimbje, kur fliste i bënte të tjerët të dëgjonin, ndërsa kur ecte shpejtonte.
Një ditë, Umeri (radijAllahu anhu) takoi Abdurrahman Ibn Aufin, i cili kishte blerë pak mish dhe e pyeti: “Çfarë është ajo?” Abdurrahmani iu përgjigj: “Bleva diçka.” Umeri tha: “Vallë, nëse do të dëshironit diçka, gjithmonë do ta blenit?!
[2] Marrë nga libri Mearixhul Kabul, 3/1 340, të Hafidh el Hakemij
[3] Transmeton Buhariu me nr 684
[4] Ibn Ebi Dunja në Musned el Faruk 2/607
[5] Transmeton Buhariu nr 402 dhe Muslimi nr 2399
[6] Marrë nga libri Asrul hilafeti er-rashideh, fq. 67 të Ekrem Dija el Umerij