Zjarrmia zakonisht shoqërohet me mungesë oreksi, e kështu bëhet e mundur që trupi të ruhet nga ushqimet e këqija dhe dëmtuese, nga njëra anë, duke marrë ilaçet dhe ushqimet e dobishme, nga ana tjetër. Në këtë mënyrë, trupi pastrohet nga çdo lloj ushqimi dhe substance e dëmshme, duke nxjerrë jashtë çdo tepricë dëmtuese. Pra, me fjalë të tjera, ajo vepron ndaj trupit njëlloj siç vepron edhe zjarri ndaj hekurit. Ashtu sikurse hekuri pastrohet nga çdo gjë e huaj kur trajtohet me zjarr, edhe trupit i hiqen papastërtitë nëpërmjet zjarrmisë. Kjo është njohur nga të gjithë mjekët e trupit.
E për sa i përket pastrimit të shpirtit dhe largimit të ndotësve prej tij nëpërmjet sëmundjes me temperaturë të lartë, kjo është një çështje që e njohin vetëm mjekët e zemrave (shpirtit), të cilët e vërtetojnë dhe e shohin të realizohet pikërisht ajo që ka treguar Profeti i Allahut. Por nëse sëmundja e shpirtit ka arritur një gradë të pa shpresë për shërim, ky lloj ilaçi nuk i bën dobi. Kështu, zjarrmia është e dobishme si për trupin, edhe për shpirtin, e, si e tillë, ajo kurrsesi nuk duhet të mallkohet. Madje, kjo konsiderohet si padrejtësi dhe mosmirënjohje.
Ebu Hurejra ka thënë: “Nuk ka ndonjë sëmundje më të dashur për mua sesa zjarrmia, sepse ajo prek çdo organ timin, dhe Allahu i jep çdo organi pjesën e tij të shpërblimit.”
Tirmidhiu sjell në librin e tij El Xhamiu hadithin merfu të Rafi ibn Hadixhit, ku thuhet: “Nëse dikush prej jush sëmuret me ethe, – dhe ethet janë një pjesë prej Zjarrit – le t’i shuajë ato me ujë të ftohtë! Le të hyjë në një lumë që rrjedh dhe të zhytet përballë rrymës së tij, pas agimit dhe para lindjes së diellit, e ndërkohë të thotë: ‘Allahume-shfi abdeke ue saddik rasuleke!’ (O Allah! Shëroje robin Tënd dhe vërtetoje fjalën e Profetit tënd!) Pastaj, le të zhytet në të tri herë, për tri ditë rresht. Nëse shërohet, mirë, nëse jo, le të plotësojë pesë ditë; nëse sërish jo, le t’i bëjë shtatë, e nëse përsëri nuk shërohet, le t’i bëjë nëntë. Me lejen e Allahut, ajo (temperatura e lartë) rrallë i kalon nëntë ditët.” [1]
Kjo është mjaft e dobishme të praktikohet në stinën e verës, në vendet e nxehta, me kushtet që i përmendën më sipër (pra, të jetë temperaturë jo e shkaktuar nga infeksionet apo shkaqe të brendshme, por temperaturë kalimtare). Uji në këtë kohë (pak para agimit) është shumë i ftohtë, sepse ende nuk është ngrohur nga dielli, ndërsa trupi është i fortë pas pushimit të gjatë të natës. Gjithashtu, edhe ajri në atë kohë është i freskët. Duke u mbledhur së bashku fuqia trupore dhe “ilaçi” i përshtatshëm, – pra, uji i ftohtë, që mposht zjarrminë kalimtare, e cila nuk është shkaktuar nga infeksioni apo lëndë të këqija në trup – patjetër që nxehtësia e temperaturës do të shuhet, me lejen e Allahut.
[1] Tirmidhiu, me numër 2085, Ahmedi, 5, 281 prej Theubanit dhe jo prej Rafi ibn Hadixhit. Në sened-in e tij ka transmetues të panjohur.