Nuk ka shpallur Allahu i Lartësuar as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan si surja Fatiha.
Imam Ahmed Ibn Hanbeli, – Allahu e mëshiroftë! – sjell thënien nga Ebu Hurejra:
“Një ditë, Profeti (alejhi selam) doli për vizitë tek Ubej Ibn Ke’abi dhe e gjeti atë duke falur namaz. Ai i thirri: “O Ubej!” Ubeji ktheu kokën, por nuk iu përgjigj Profetit. Profeti (alejhi selam) përsëri i foli dhe i tha: “O Ubej!” Atëherë, Ubeji e fali shpejt namazin dhe shkoi tek Profeti dhe i tha: “Es-selamu alejke, o Profet i Allahut!” Profeti (alejhi selam) tha: “Ue alejkes-selam! Çfarë të pengoi të më përgjigjeshe kur të thirra, o Ubej?” Ai tha: “O Profeti i Allahut, unë isha duke falur namaz.” Profeti tha: “A nuk e di ti atë që më është shpallur mua: “…përgjigjuni Allahut dhe Profetit kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Ubeji tha: “Po, o Profeti i Allahut, dhe nuk kam për ta përsëritur këtë gabim!” Profeti pastaj i tha: “A dëshiron të të tregoj për një sure, që nuk ka të ngjashme as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan?” “Po, o Profeti i Allahut.” Profeti i tha: “Unë shpresoj që, pa dalë nga kjo derë, ta mësosh cila është ajo sure.”. Ubeji thotë: “Profeti më kapi për dore dhe po më fliste, kurse unë ngadalësoja hapin nga frika se do të mbërrinim tek porta pa përfunduar fjalën Profeti. Kur u afruam afër portës, i thashë: “O Profet i Allahut, cila është surja që më premtove të më tregoje?” Ai tha: “Çfarë lexon në namaz?” Unë i lexova Ummul Kur’an (Fatihanë).” Atëherë, Profeti (alejhi selam) tha: “Betohem në Atë në Dorë të së Cilit është shpirti im, se Allahu i Lartësuar nuk ka shpallur as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan si surja Fatiha. Ajo është Shtatëshja që përsëritet.”
Këtë hadith e ka sjellë edhe Tirmidhiu, që shton: “…Ajo është Shtatëshja që përsëritet, është Kur’ani madhështor, që m’u dha.” Tirmidhiu shton se ky është hadith hasen sahih. Imam Ahmed Ibn Hambel, – Allahu e mëshiroftë! – shënon në Musnedin e tij hadithin e Ebu Seid el Mual-lâ (radijAllahu anhu):
“Unë isha duke falur namaz, kur Profeti më foli. Unë nuk iu përgjigja, derisa e mbarova namazin. Kur i shkova, ai më tha: “Çfarë të pengoi të vish tek unë?” – “O i Dërguari i Allahut, unë isha duke falur namaz.” Ai tha: “Po a nuk ka thënë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Pastaj tha: “Kam për të ta mësuar më madhështoren sure që gjendet në Kur’an para se të dalësh nga xhamia.” Atëherë, ai më kapi për dore dhe kur po bëhej të dilte nga xhamia, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, po ti më the që do të të mësoj më madhështoren sure që gjendet në Kur’an?” Ai më tha: “Po, ajo është: El ĥamdu lil-lahi Rab-bil alemin”. Ajo është ‘Shtatëshja që përsëritet’ dhe Kur’ani madhështor.’
Kështu e ka sjellë këtë hadith edhe Imam Buhariu, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe me rrugë të ndryshme transmetimi.