Kështu, ka dy lloje sëmundjesh ngjitëse.
– Njëri prej tyre është si lebra. Për shembull, kur njerëzit rrinë pranë të sëmurit dhe ndiejnë për një kohë të gjatë duhmën e keqe që vjen prej tij, ata mund të bien pre e së njëjtës sëmundje. Kështu ndodh me gruan e të sëmurit me lebër, e cila rri nën një çati me të: ajo preket nga e njëjta sëmundje. Edhe fëmijët e tij mund të sëmuren më vonë, kur të rriten.
E njëjta gjendje paraqitet me të sëmurët me turbekuloz, zjarrmi ose me zgjebe. Doktori urdhëron që të rrimë larg prej atyre që vuajnë nga turbekulozi ose nga lebra, jo ngaqë druan se mos sëmundje të tilla janë ngjitëse, por sepse duhma e rëndë që del prej tyre mund të ndikojë te njerëzit e shëndetshëm, po të jenë në kontakt me të për një kohë të gjatë. Doktorët janë njerëzit më të largët prej besimit në ogure të mira ose të këqija.
I njëjti argument vlen edhe për nukbah-n, e cila është një lloj lebre ose zgjebeje që prek devetë. Kur një deve e infektuar përzihet me deve të tjera të shëndetshme, atëherë infeksioni përhapet nëpërmjet lëngjeve (nga plagët) ose jargëve që lëshojnë devetë. Ky është kuptimi i hadithit të Profetit (alejhi selam): “Asnjë i sëmurë nuk duhet t’i afrohet një të shëndetshmi.” Ai nuk donte që të sëmurët të shoqëroheshin me jo të sëmurët. Në këtë mënyrë, i shëndetshmi nuk kontakton me substancat që prodhon trupi i të sëmurit.
– Lloji i dytë i sëmundjeve ngjitëse është si murtaja, për shembull, e cila shfaqet në një vend. Për këtë arsye, njerëzit përpiqen të largohen prej atij vendi, nga frika se mos i zë ajo sëmundje. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Nëse ajo (murtaja) shfaqet në vendin ku ju jetoni, mos u largoni prej andej! Nëse shfaqet gjetkë, në një vend tjetër, mos shkoni atje!”.
Domethënë, ai (alejhi selam) i urdhëroi njerëzit që të mos largohen prej vendit të pushtuar nga murtaja, pasi ashtu ata mund të mendojnë se po i shmangen caktimit të Allahut. Ai, gjithashtu, i urdhëroi njerëzit të mos hyjnë në një vend ku ka rënë murtaja, pasi qëndrimi në vendet e paprekura u sjell atyre prehje në zemër dhe rehati në jetesë.
Në këtë kategori përfshihet edhe burri që vuan nga një siklet dhe që bën shkaktar për këtë, siç ndodh rëndom, “fatin e zi” që gruaja ose shtëpia e tij sjell. Këtë rast nënkuptonte Pejgamberi (alejhi selam) kur thoshte: “Nuk ka sëmundje ngjitëse dhe as shenja ogurzeza.” [1] Disa të tjerë thonë se Pejgamberi (alejhi selam) vetëm sa këshilloi që të kihet kujdes nga të sëmurët me lebër, por përsëri është e lejuar që të ulesh e të hash me ta, ashtu siç bëri vetë Pejgamberi (alejhi selam).
Të tjerë mendojnë se këto hadithe përmbajnë urdhra që u drejtohen njerëzve të veçantë. Disa njerëz, për shembull, kanë një besim dhe mbështetje aq të fortë tek Allahu, saqë kjo i mbron ata nga sëmundjet ngjitëse, pikërisht ashtu si fuqitë natyrale që ndodhen në trup mposhtin ndonjëherë të ligën e sëmundjes. Por disa njerëz të tjerë nuk kanë besim aq të fortë, kështu që Pejgamberi (alejhi selam) i urdhëroi ata që të jenë të kujdesshëm.
Me fjalë të tjera, Pejgamberi (alejhi selam) dha udhëzimet e tij për të dyja rastet. Besimfortët ndjekin modelin e tij, në varësi të përkushtimit të tyre ndaj Allahut, kurse besimdobëtit duhet të ndjekin urdhrin e Profetit (alejhi selam) për të qenë të kujdesshëm. Të dyja mënyrat janë të drejta, por njëra është e përshtatshme për ata që kanë besim të fortë, ndërsa tjetra për ata që kanë besim të dobët.
[1] Këtu mbaron shpjegimi i Ibn Kutejbes.