Emri i tij i plotë është Abdullah bin Uthman bin Amir bin Amru bin Kab bin Sad bin Tejm bin Murrah. Prejardhja e Ebu Bekrit bashkohet me atë të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tek gjyshi i gjashtë Murrah. Ebu Bekri lindi në Mekke, dy vjet e disa muaj pas lindjes së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha ofiqin “I sinqerti” pas ndodhisë së Israsë dhe Mi’raxhit.
“Kur ndodhi Israja [1], mekasit filluan të flasin rreth saj. Ajo ishte një ngjarje e pazakontë, kështu që disa prej idhujtarëve u munduan ta shfrytëzonin atë ngjarje për të lëkundur njerëzit nga besimi. Ata shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë: “Ç’mendim ke për shokun tënd, i cili pretendon se brenda natës ka shkuar nga Meka në xhaminë Aksa dhe është kthyer përsëri?” Ebu Bekri tha: “Vërtetë e ka thënë ai këtë?” Ata thanë: “Po!”
Ebu Bekri tha: “Nëse ai e ka thënë, atëherë ka thënë vetëm të vërtetën.” I thanë: “Vallë me të vërtetë beson se ai ka udhëtuar natën deri në xhaminë Aksa dhe është kthyer para mëngjesit?” Ai tha: “Po, unë besoj diçka edhe më të madhe se kjo. Unë besoj që atij i vjen shpallja nga qielli.” Qysh nga kjo ngjarje ai u quajt Es-Sidik (i Sinqerti) [2].
Ebu Bekri në periudhën paraislame ka qenë ndër njerëzit e shquar dhe të njohur të parisë mekase. Ai gëzonte nderim dhe respekt. Ishte i dashur për ta, bujar dhe fisnik, madje, gëzonte shumë cilësi të përbashkëta me Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Njësoj si Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ai nuk e kishte pirë kurrë alkoolin, as në kohën e injorancës dhe kurrë nuk i ishte përulur ndonjë idhulli.
Ai i respektonte fqinjët, i ndihmonte të varfërit dhe i ruante lidhjet farefisnore. Kur Ebu Bekri vendosi të largohej nga Meka, për shkak të keqtrajtimeve nga ana e idhujtarëve, njëri nga idhujtarët mekas, Ibën Degine, i ofroi përkrahje dhe e mori në mbrojtje duke i thënë: Nuk i takon një njeriu si ty që të dëbohet dhe as të largohet në këtë mënyrë nga Meka. Ti kujdesesh për nevojtarin, e ndihmon të dobëtin, e respekton fqinjin, e nderon mysafirin dhe i ruan lidhjet farefisnore, ndaj kthehu se unë do të të marr në mbrojtje. Kthehu dhe adhuroje Zotin tënd në vendin tënd!” [3]
Kur Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i erdhi shpallja nga Zoti, ndër njerëzit e parë që ai ftoi në besim ishte Ebu Bekri, i cili gëzonte nderim dhe respekt tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Profeti e takoi Ebu Bekrin dhe i tha: “Unë jam i dërguar nga Allahu. Allahu më ka zgjedhur të përçoj mesazhin e Tij, ndaj unë të ftoj në adhurimin e Allahut. Ai është Zoti i vërtetë. Të ftoj, o Ebu Bekër, të adhurosh Allahun Një të vetëm, e të mos adhurosh askënd dhe asgjë tjetër veç Tij, si dhe të më pasosh mua.” [4]
Ebu Bekri, menjëherë, pa asnjë hezitim e pranoi ftesën e besimit dhe i dha besën Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se do të qëndronte përkrah tij. Ai e mbajti besën dhe për këtë arsye, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu më dërgoi tek ju dhe ju dyshuat, ndërsa Ebu Bekri pa hezituar fare tha: ‘Ke thënë të vërtetën!’ Ai më mbështeti me veten dhe pasurinë e tij, kështu që ma lini të qetë shokun tim!” Këtë fjalë e përsëriti dy herë. [5]
[1] Udhëtimi i Profetit nga Meka për në Xhaminë Aksa brenda një nate.
[2] Transmeton Hakimi ne Mustedrak 3/62 dhe El Albani ne Silsiletu es-sahihah, nr. 306.
[3] Transmeton Buhariu me nr 2297
[4] Transmeton Ibn Is’haku në es-Sijrah 1/140, Ibn Asakiri 9/538 dhe Ibn Kethiri në Bidajeh ue Nihajeh 3/37.
[5] Transmeton Buhariu me nr 3461