Ajeti 1: “Vërtet, Allahu nuk fal që të shoqërohet dikush apo diçka me Të, por gjynahet e tjera më të vogla se shirku ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut në adhurim, ai me të vërtetë ka humbur dhe është larguar shumë prej udhës së drejtë.” (Nisa : 116)
– “Vërtet, Allahu nuk fal që të shoqërohet dikush apo diçka me Të …” – Allahu kurrë nuk e fal shirkun, sepse është shkelje e të drejtës së padiskutueshme të Allahut: teuhidit. Me gjynahet e tjera, si imoraliteti apo vjedhja, ndoshta nefsi njerëzor gjen kënaqësi, për shkak të përmbushjes së epshit, ndërsa shirku është shkelje e të drejtës së Allahut, në të cilën nuk të shtyn ndonjë epsh, por ai është thjeshtë një padrejtësi, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet shirku është padrejtësia më e madhe.” (Lukman : 13).
Lind pyetja: a nënkuptohet më këtë vetëm shirku i madh apo çdo lloj shirku? Disa dijetarë kanë thënë se kjo përfshin çdo lloj shirku, qoftë edhe i vogël, siç është betimi jo në Allah; pra Ai nuk fal çdo lloj shirku. Për sa u përket mëkateve të mëdha, si vjedhja, konsumi i alkoolit etj., ato janë nën dëshirën e Allahut; ndoshta i fal. Shejkhul Islam Ibn Tejmije, i cili e ka shqyrtuar mirë këtë çështje, ka dhënë përfundime kontradiktore: njëherë ka thënë se Allahu nuk e fal shirkun, edhe nëse është i vogël, e njëherë tjetër ka thënë se ai të cilin Allahu nuk e fal është shirku i madh. Sido që të jetë, është detyrë të ruhemi nga shirku në mënyrë maksimale. Përgjithësimi mund të përfshijë edhe shirkun e vogël, sepse shprehja: “… që të shoqërohet me Të …” tregon përgjithësim, sipas rregullave të gjuhës arabe.
– “… gjynahet e tjera më të vogla se shirku …” – Nënkuptohen gjynahet më të vogla se shirku, dhe jo çdo gjë tjetër përveç shirkut.
Ajeti 2: Allahu i Madhëruar përmend në Kuran se Ibrahimi tha: “Më largo mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.” (Ibrahim : 35)
– “… Më largo mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.” – Thuhet se flitet për ata që lindën prej tij, dhe ne nuk dimë që ai të ketë pasur fëmijë të tjerë veç Ismailit dhe Is’hakut. Thuhet gjithashtu se bëhet fjalë për pasardhësit e tij dhe për ata që lindën prej tyre, e kjo është edhe më e sakta, mbështetur edhe tek ajetet që tregojnë për ftesën e tij drejtuar pasardhësve të vet. Ishte pjesë e urtësisë së Allahut që Ai të mos i përgjigjej lutjes së Ibrahimi për disa prej tyre, ashtu sikurse nuk iu përgjigj lutjes së Pejgamberit tonë (alejhi selam) që umeti i tij të mos kishte armiqësi mes veti. Saktësinë e mendimit të parë e pengon edhe fakti se ajeti vjen në numrin shumës (më shumë se dy), ndërkohë që Ibrahimi nuk ka pasur fëmijë të tjerë përveç Ismailit dhe Is’hakut.
– “… më largo mua …” – Pra, më bëj që të qëndroj larg tyre: unë të jem në njërën anë e idhujt në anën tjetër. Shprehja “më largo” është më e fortë sesa: “më ndalo”, sepse largësia nga e keqja është më e sigurt. Ibrahimi frikësohej për veten e tij nga shirku, edhe pse ishte halilullah (mik i Allahut) dhe prijës në fenë e drejtë. Po gjendja jonë si duhet të jetë? Prandaj, mos mendoni se jeni të sigurt nga shirku dhe hipokrizia! Nga hipokrizia është i sigurt vetëm hipokriti, ndërsa besimtari i ruhet gjithmonë asaj.
Ibn Ebu Mulejke ka thënë: “Kam arritur tridhjetë shokë të Profetit (alejhi selam), dhe që të gjithë ata i frikësoheshin hipokrizisë.”
Omeri e ka kapur Hudhejfen, të cilit i Dërguari (alejhi selam) i kishte treguar emrat e munafikëve, dhe i ka thënë: “Të lutem për hir të Allahut, a më ka përmendur mua i Dërguari i Allahut ndër munafikët?” Hudhejfja i tha: “Jo, dhe pas teje nuk do t’i kallëzoj më askujt.” Omeri donte të shtonte sigurinë, edhe pse i Dërguari (alejhi selam) e kishte përgëzuar me Xhennet. Nuk është e drejtë të thuhet se Omeri për vete nuk kishte frikë, por kishte si qëllim nxitjen e të tjerëve për t’iu ruajtur kësaj dukurie, sepse kjo është në kundërshtim me kuptimin e drejtpërdrejtë të shprehjes. Parimisht shprehja merret sipas kuptimit të drejtpërdrejtë të saj.
Mirëpo disa dijetarë në lidhje me atë që i Dërguari (alejhi selam) ia atribuonte vetes së tij disa gjëra thonë se me to synonte të mësonte të tjerët dhe t’i sqaronte ato për ta. Kështu është thënë se i Dërguari (alejhi selam) nuk është lutur: “O Zot më fal!” sepse ai kishte mëkate, por për t’u mësuar njerëzve kërkimin e faljes, por kjo është në kundërshtim me rregullin bazë. Po kështu disa kanë thënë se i Dërguari (alejhi selam) e ka bërë dhikrin me zë pas namazeve, për t’ua mësuar atë njerëzve, dhe jo se dhikri me zë është sunet, etj.
– “… nga adhurimi i idhujve.” – Fjala arabe “sanem” (idhuj) shënon çdo gjë që ka formën e njeriut ose ndonjë formë tjetër dhe që adhurohet përveç Allahut, ndërsa “uethen” quhet çdo gjë që adhurohet veç Allahut, në çfarëdolloj aspekti qoftë. Në një hadith thuhet: “Mos e bëni varrin tim ‘uethen’ që të adhurohet.” Nga kjo del se fjala “uethen” ka kuptim më të gjerë se fjala “sanem”.
Nuk ka dyshim se Ibrahimi kërkoi nga Zoti i tij që ta përforconte në teuhid, sepse po ta largonte nga adhurimi i idhujve do të mbetej detyrimisht në teuhid. Dëshmia që merret nga ky ajet është se Ibrahimi kishte frikë shirkun, ndërkohë që ishte prijësi i të drejtëve në besim dhe më i miri ndër ta, përveç Pejgamberit tonë (alejhi selam).