Prej fryteve të Istigfarit janë:
- Falja e gjynaheve dhe fshirja e të këqijave:
I Lartësuari thotë: “Ai që vepron një të keqe apo i bën padrejtësi vetvetes, pastaj i kërkon falje Allahut, do ta gjejë Allahun Falës, të Mëshirshëm.” (En-Nisa’ : 110)
- Siguria prej dënimit:
I Lartësuari thotë: “Allahu nuk do t’i ndëshkojë, përderisa ata kërkojnë falje..” (El-Enfal : 33)
- Zhdukja e brengave, përfitimi i rrizkut dhe dalja nga vështirësitë:
Prej Ibn Abbasit (radijAllahu anhum) përcillet se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Kush bën shpesh istigfar Allahu do t’ia heqë çdo brengë, do e lirojë nga çdo vështirësi dhe e furnizon nga nuk ia pret mendja.” (Shejkh Bin Baz e cilëson të mirë.)
- Eshtë shkak për forcën në tokë, zbritjen e shiut dhe shtimin e ujërave:
I Lartësuari ka thënë për Hudin (alejhi selam) se i ka thënë popullit të tij: “O populli im! Kërkojini falje Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai. Ai iu lëshon shi me bollëk dhe fuqisë suaj i shton fuqi. E mos refuzoni e të bëheni mëkatarë.” (Hud : 52)
- Zbritja e mëshirave hyjnore dhe shpëtimit në dynja (këtë botë) dhe Ahiret (botën tjetër):
Allahu i Lartësuar thotë: “Pendohuni tek Allahu të gjithë ju o besimtarë, ndoshta do të shpëtoni” (En-Nur : 31)
- Zhdukja e vështirësive prej robërve e vendeve, dhe ngritjes së sprovave prej popujve dhe individëve, sidomos nëse buron prej zemrave të sigurta, të sinqerta e besimtare në Allahun:
I Lartësuari thotë: “Allahu nuk do t’i ndëshkonte nëse ata do të kërkonin falje” (Enfal : 33)
- Zbritja e shiut të bollshëm, bereqetit në furnizime e fryte, shtimit të zhvillimit dhe pasardhësve, shtimit të mirësive në fusha e toka:
Sikurse i Lartësuari ka thënë duke rrëfyer për Nuhun (alejhi selam): “Thashë: Kërkojini falje Zotit tuaj, Ai është Falës. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk. Ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj” (Nuh : 10-12)
- Zemërimi i shejtanit:
Në një hadith i Dërguari (alejhi selam) thotë: “Shejtani ka thënë: Pasha Fuqinë Tënde o Zot! Unë vazhdoj t’i humbasë robërit e Tu përderisa shpirtrat i kanë në trupa. Zoti i Lartësuar tha: “Pasha Fuqinë dhe Madhështinë Time! Unë vazhdoj t’i fal ata përderisa më kërkojnë falje Mua.” (saktësoi Albani)
- Zoti i kënaq ata që i kërkojnë falje me një jetë të mirë, i furnizon gjerësisht me mirësi duke përjetuar lumturi:
I Lartësuari thotë: “Kërkojini falje Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai, se Ai do t’ju mundësojë përjetime të mira deri në një afat të caktuar dhe çdo punëmiri i jep shpërblimin e merituar.” (Hud : 3)
- Se ata që bëjnë istigfar janë njerëzit me më pak gjynahe:
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Jeta e mirë dhe e kënaqshme do të jetë për atë që do të gjejë në fletushkën e tij shumë istigfar.” (saktësoi Mundhiriu dhe Albani)
I thanë dikujt prej selefëve: Si je në fe? Iu përgjigj: E gërris me gjynahe dhe e lëmoj me istigfar.
Ibn Kajjimi thotë: “E pyeta Shejkhul Islam ibn Tejmijjen (Allahu i mëshiroftë të dy!) se disa njerëz pyesin: Cila gjë është më e dobishme për robin: tesbihu (thënia: SubhanAllah), apo istigfari (thënia: Estagfirullah)? Tha: “Nëse rroba është e pastër, parfumosja me temjan dhe ujë trëndafili i bëjnë më shumë dobi, e nëse është e pisët, atëherë sapuni dhe uji bëjnë më shumë dobi.” (El Uabilu sajjib)