Nga Aishja (radijAllahu anha) transmetohet se ka thënë: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit, Profeti (alejhi selam) shtrëngonte mesin, gjallëronte natën dhe zgjonte familjen e tij.” [1] Nga Aishja (radijAllahu anha) transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut bënte përpjekje në dhjetëditëshin e fundit si asnjëherë tjetër.” [2] Nga Aliu (radijAllahu anhu) transmetohet se i Dërguari i Allahut e zgjonte familjen e tij në 10 netët e fundit të Ramazanit për adhurim. [3]
Në një shprehje të Imam Ahmedit transmetohet se i Dërguari i Allahut, kur hynte dhjetëditëshi i fundit, zgjonte familjen e tij dhe e shtrëngonte mesin e tij. Ebu Bekër Ibn Ajash e kanë pyetur: “Çfarë kuptojmë me shtrëngim të mesit?” Ai është përgjigjur: “Largimi nga marrëdhëniet intime me gratë.” [4]
Dobitë dhe dispozitat
E para: Përpjekjet e mëdha të Profetit në adhurim, edhe pse Allahu ia kishte falur gjynahet e kaluara dhe të mëvonshme. Përpjekjet e tij ishin më të mëdha në 10 netët e fundit të Ramazanit.
E dyta: Udhëzimi profetik në dhjetëshen e fundit të Ramazanit është gjallërimi i natës me namaz e me përmendje të Allahut dhe me largim prej grave.
E treta: Zgjimi i familjes për namaz nate në dhjetëshen e fundit të Ramazanit është vepër e pëlqyer. Nëse e kanë bërë zakon të rrinë zgjuar gjatë muajit Ramazan, siç ndodh në kohën tonë, atëherë le të bëhet kjo me namaz e me përkujtim të Allahut e jo me argëtime e lojra.
E katërta: I lejohet burrit që t’i shtyjë e t’i detyrojë gratë dhe fëmijët në kryerjen e adhurimeve vullnetare, dhe ata në këtë rast e kanë obligim t’i binden atij. [5]
E pesta: Në 10 netëshin e fundit të Ramazanit është e pëlqyeshme që e tërë nata të kalohet me namaz e në përmendje të Allahut, nëse është e mundur, sepse kështu ka vepruar i Dërguari i Allahut, sikurse tregohet qartë në hadithet e transmetuara mbi këtë temë.
Ndërsa transmetimet në lidhje me ndalesën e namazit në tërë natën, mund të themi se ato u drejtohen vazhdimësisë së një vepre të tillë përgjatë tërë vitit, ndërsa netët të cilat kanë vlera më shumë, si 10 netët e fundit të Ramazanit, veçohen nga ky përgjithësim. [6]
E gjashta: Urtësia e përpjekjeve në adhurim përgjatë 10 netëve të fundit të Ramazanit është kërkimi i natës së Kadrit. Kufizimi i natës së Kadrit në këto net është mëshirë prej Allahut, sepse po të ishte përgjate gjithë vitit e pa kufizuar, njerëzit do të mundoheshin shumë në kërkim, e shumica e tyre nuk do t’ia arrinin qëllimit për gjetjen e saj. [7]
[1] Buhariu 1920, Muslimi 1174.
[2] Muslimi 1175.
[3] Tirmidhiu, hasen-sahih 795.
[4] Musned Ahmed 1/132.
[5] Shih Sherh Ibn Battal 4/159 dhe El mufhim 3/249.
[6] Shih shpjegimi i sahih Muslim të Neveviut 8/71, fetaual kubra Ibn Tejmijeh 2/498.
[7] Sherh Ibn Battal 4/159.