Në një hadith përcillet: “Gjëja që frikësohem më shumë për ju, është shirku i vogël.” Kur u pyet se cili është ai, tha: “Shtirja.” [1]
Hadith quhet çka i atribuohet të Dërguarit (alejhi selam), qoftë kjo thënie, punë, pohim apo përshkrim. Ether është çka i atribuohet dikujt tjetër, veç Pejgamberit, si sahabëve dhe të tjerëve pas tyre. Nëse thuhet se ka ardhur në ether nga i Dërguari (alejhi selam), atëherë kjo i përket atij tek i cili kufizohet.
– “… Gjëja që frikësohem më shumë për ju …” – Këtu iu është drejtuar muslimanëve e jo të gjithë njerëzve, sepse vetëm për muslimanin ekziston frika e rënies në shirkun e vogël.
– “Shtirja.” – Shtirja është kur adhuron Allahun me qëllim që të të shohin njerëzit e të të lavdërojnë se je adhurues. Një person i tillë nuk e bën adhurimin për njerëzit, se po të kishte këtë për qëllim, do të bënte shirk të madh. Ajo që kuptohet nga konteksti është vetëm si shembull, sepse mund të jetë për t’u dukur, por mund të jetë edhe për tu dëgjuar, që do të thotë se ka për qëllim me adhurimin e tij që të dëgjojnë njerëzit e ta lavdërojnë për këtë. Kjo përfshihet në shtirje. Të shprehurit me shtirje është në aspektin e të shprehurit me atë që ndodh në më të shumtën e rasteve. Megjithatë, nëse me adhurimin synohet dhënia shembull për të tjerët, kjo nuk është shtirje, përkundrazi, është ftesë për tek Allahu. I Dërguari (alejhi selam) ka thënë njëherë: “E veprova këtë, që të më pasoni mua dhe të mësoni namazin tim.” [2]
Shtirja që e prish adhurimin ndahet në dy lloje:
- Kur gjendet në fillesë të adhurimit, domethënë kur adhurimi nis për syefaqësi. Në këtë rast, adhurimi është i papranueshëm. Sipas hadithit të Ebu Hurerejres, Allahu ka thënë: “Unë nuk kam nevojë për pjesën (e veprës) që ma kushtojnë në ortakëri me të tjerë. [3] Kush kryen një vepër dhe shoqëron në të me Mua dikë tjetër, Unë e lë atë dhe shirkun e tij.” [4]
- Kur puna nis për hir të Allahut, por në mes futet syefaqësia. Edhe kjo ka dy shfaqje:
- Kur kjo ndjenjë mposhtet. Në këtë rast, kjo nuk e dëmton adhurimin. Për shembull, dikush fillon dhe fal një rekat. Pastaj, në rekatin e dytë, vijnë disa njerëz dhe bashkohen me të. Ai ndjen diçka në zemër që e shtyn të zgjasë rukunë ose sexhden apo të bëjë sikur qan. Nëse e mposht këtë ndjenjë, ajo nuk i bën dëm, sepse ai u përpoq.
- Kur vazhdohet me shtirjen, për shembull, të zgjatësh qëndrimin në këmbë në namaz, në ruku dhe sexhde, ose kur të bësh sikur qan. Kjo vepër zhvlerësohet plotësisht, sepse çdo punë që buron nga shtirja fshihet.
Lind pyetja: adhurimi nuk pranohet i tëri apo vetëm pjesërisht? Në këtë pikë duhet të qartësohen dy raste:
- Nëse fundi i adhurimit është i lidhur me fillimin e tij, atëherë fillimi i mirë nuk vlen kur fundi është i prishur. Kështu, e gjithë puna konsiderohet e pavlefshme, si në rastin e namazit, te i cili nuk mund të prishet fundi e të mos prishet fillimi. Pra kur gjatë kryerjes së namazit lind syefaqësia dhe personi nuk e shmang, atëherë i tëri bëhet i pavlefshëm.
- Nëse fillimi i adhurimit është i ndarë nga përfundimi i tij. Në këtë rast, pjesa e fillimit vlen, ndërsa fundi është i prishur. Kjo mund të ndodhë në rastin kur, për shembull, dikush ka 10.000 lekë dhe jep gjysmat e tyre si sadaka për hir të Allahut, kurse gjysmën tjetër e jep për t’u dukur. Të parat i pranohen si sadaka, ndërsa të dytat jo.
Po sikur të ketë shtirje gjatë marrjes së avdesit, a mund të gjykojmë si në rastin e namazit, domethënë ta konsiderojmë të gjithë avdesin të pavlefshëm, apo duhet gjykuar si në rastin e sadakasë e ta quajmë të pavlefshëm vetëm atë pjesë në të cilën ka ndodhur syefaqësia? Themi se mund të jetë si njëra (domethënë të gjykohet si në rastin e namazit) ashtu edhe tjetra (të gjykohet si në rastin e sadakasë). Gjykohet si për namazin, sepse abdesi është një rit i pandashëm, ku njëra pjesë është e lidhur ngushtë me tjetrën, dhe nuk mund të konceptohet pastrimi i çdo gjymtyre si rit më vete.
Gjithashtu, mund të gjykohet njëlloj si për sadakanë, sepse avdesi nuk është si namazi në të gjitha aspektet dhe as si sadakaja në të gjitha aspektet. Nëse themi se është e pasaktë pjesa në të cilën futet syefaqësia dhe personi e përsërit pastrimin e asaj pjese të trupit, nuk ka ndonjë dëm, sepse përsëritja e larjes së një pjese, nuk e prish avdesin, edhe sikur të jetë qëllim në vetvete.
Për sa i përket namazit, nëse personi e përsërit një pjesë të tij, si rukunë apo sexhden, pa ndonjë shkak të ligjshëm, ajo është e pavlefshme. Nëse personi, pasi ka larë krahët, kthehet dhe lan fytyrën, nuk i prishet avdesi, por nëse pas sexhdes, kthehet të bëjë rukunë, namazi i tij prishet. Renditja ekziston te të dy adhurimet, por shtesa në namaz e prish atë, ndërsa shtesa në abdes jo. E rëndësishme është të dihet se ka ndryshim ndërmjet avdesit dhe namazit e, rrjedhimisht, kuptohet se kjo është një çështje që ka nevojë për studim.
[1] Transmeton Ahmedi. Sipas Albanit hadithi është i saktë.
[2] Buhariu.
[3] Kjo nuk do të thotë se Allahu ka nevojë për atë punë që i kushtohet vetëm Atij pa i shoqëruar askënd tjetër, por do të thotë se Ai nuk e shpërblen dhe nuk e pranon punën në të cilën shoqërohet dikush tjetër me Të.
[4] Muslimi.