Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) tregon se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Atij që i vjen për të vjellë, nuk e ka detyrë ta përsërisë ditën e agjërimit, e ai që e nxjerr vetë ushqimin, duke provokuar të vjellët, le ta zëvendësojë ditën e agjërimit.” [1]
Mi’dan Ibn Talha (Allahu e mëshiroftë!) rrëfen: “Ebu Derda (radijAllahu anhu) më tregoi që, njëherë, i Dërguari (alejhi selam), pasi volli, e ndërpreu agjërimin. Pastaj, unë takova në xhaminë e Damaskut Theubanin – skllav i liruar nga i Dërguari (alejhi selam) – dhe i thashë: “Ebu Derda më ka treguar se i Dërguari (alejhi selam) volli dhe e ndërpreu agjërimin. Ai më tha: “Të vërtetën ka thënë, sepse unë më pas i hodha ujin për abdes”. [2]
Dobi dhe rregulla
E para: Prej mëshirës së Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij, njeriu nuk merret në llogari për veprat që ndodhin pa vullnetin e tij. I tillë është edhe rasti me të vjellët. Nëse ai ndodh qëllimisht për shkak të provokimit me anë të gishtërinjve, ose me futjen e ndonjë sendi në gurmaz, ose me nuhatjen e ndonjë ere të keqe, ose me shikimin e ndonjë pamje të bezdishme, ose me çfarëdo mjeti qoftë, e prish agjërimin. Ndërsa kur vjellja ndodh pa vullnetin e njeriut, agjërimi nuk prishet. Dijetarët janë unanimë mbi këtë rregull që del nga këto hadithe.
E dyta: Për sa i përket transmetimit që tregon se i Dërguari (alejhi selam) volli, pastaj e prishi agjërimin, thuhet se ai (alejhi selam) u dobësua për shkak të vjelljes, prandaj e prishi agjërimin, jo se ai e prishi për shkak se të vjellët (pa provokim) e prish agjërimin. Kështu i kanë kuptuar dijetarët dy hadithet që janë përcjellë për këtë çështje. Në një variant që e shënon Tahavi, tregohet se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “E prisha agjërimin, ngaqë volla dhe u bëra i pafuqishëm për të agjëruar.” [3]
E treta: Hadithet dëshmojnë se ai që provokon vetë të vjellët e prish agjërimin. I njëjti gjykim jepet në rastin kur e vjella është ushqim, lëng i hidhur, gëlbazë, gjak etj., sepse hadithi i përfshin që të gjitha. [4]
E katërta: Agjëruesit nuk i lejohet të provokojë të vjellat gjatë ditës së Ramazanit. Nëse vjell, i prishet agjërimi, përveç rastit kur është i sëmurë dhe është e nevojshme një gjë e tillë. Në këtë rast, ai është i arsyetuar me sëmundjen. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër, të agjërojë më vonë aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” (El-Bekare: 184) Kështu, ai e prish agjërimin atë ditë dhe e agjëron më vonë. [5]
E pesta: Gjykimi i dhënë nga Sheriati për prishjen e agjërimit të atij që vjell me dashje, dëshmon për drejtësinë e Sheriatit dhe se dispozitat e Allahut janë të gjitha drejtësi dhe mëshirë për njerëzit e ngarkuar me detyra fetare. Dijetari Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Agjëruesit i ndalohet të konsumojë gjëra që i japin forcë fizike dhe vlera ushqyese si: ushqimi dhe pija. Po ashtu, atij i ndalohet të nxjerrë çdo gjë që i shkakton dobësi dhe mungesë të lëndëve me të cilat ushqehet trupi. Përndryshe, kjo do ta dëmtonte dhe atëherë ai do të konsiderohej tejkalues i caqeve dhe jo i drejtë, në lidhje me adhurimin.” [6]
[1] Shënon Ebu Daudi (2380), Ahmedi (2\498), Ibn Xharudi (385). Ibn Huzejme (1960) dhe Ibn Hiban (3518) e vlerësojnë të saktë. Edhe Hakimi ka thënë se hadithi është në kushtin e Buhariut e të Muslimit. Me këtë mendim është edhe Dhehebiu (1\598-590).
[2] Shënon Ebi Daudi (2381), Amedi (6\19), Nesai në Kubra (3210-3129) dhe Ibn Xharudi (8). Ibn Hibani e vlerëson të saktë (1097). Hakimi ka thënë se hadithi përmbush kushtet e Buhariu e të Muslimit, por nuk e kanë shënuar në librat e tyre. Dhehebiu është i të njëjtit mendim me të (1\588-589).
[3] Sherhul meani el Athar (2\97). Shih: Umdetu el Karië(11\ 36).
[4] El Mugni i Ibn Kudame (3\24).
[5] Shih: Salat i Ibn Kajim (134).
[6] Mexhmu Fetava (25\250-251).