Shedad Ibn Eusi tregon se Pejgamberi (alejhi selam) shkoi tek një burrë në Bekia, që po bënte hixhame në ditën e tetëmbëdhjetë të Ramazanit. Ndërkaq, duke më kapur për dore, tha: “Agjërimin e prish edhe ai që bën hixhame, edhe ai të cilit i bëhet hixhameja”. [1]
E njëjta gjë përcillet nga Theubani, [2] Rafi Ibn Hadixh [3] dhe një grup sahabësh, aq sa disa dijetarë thonë që është hadith mutevatir. Ndërsa Ibn Abassi (radijAllahu anhu) përcjell se i Dërguari (alejhi selam) bëri hixhame ndërkohë që ishte muhrim (në gjendje iharmi) dhe agjërues”.
Në një variant tjetër, që e shënon Ibn Daudi, qëndron: “Profeti (alejhi selam) bëri hixhame ndërkohë që ishte agjërues”. [4] Shube thotë: “E kam dëgjuar Thabit Bunanin duke e pyetur Enes Ibn Malikun (radijAllahu anhu): “A e urrenit që agjëruesi të bëjë hixhame?” – “Jo” – u përgjigj ai, – veçse për shkak të dobësimit”. (Shënon Buhariu)
Ebu Daudi shënon nga Enesi (radijAllahu anhu): “Shkaku që shikonim se agjëruesi duhet ta lërë hixhamen, ishte se nuk parapëlqenim që ai të mundohet në agjërim për shkak të saj”. [5]
Dobi dhe rregulla
E para: Hadithe të shumta tregojnë se hixhamja ia prish agjërimin atij që bën hixhame dhe atij që i bëhet hixhame. Hadithe të tjera tregojnë se Profeti (alejhi selam) ka bërë hixhame kur ishte agjërues. Për këtë arsye, dijetarët kanë kundërshtime lidhur me hixhamen. Shumica e tyre janë të mendimit se agjëruesit i lejohet të bëjë hixhame, ndërsa hadithet që e ndalojnë janë anuluar me hadithet që e lejojnë. [6]
Mendimi në medhhebin e Imam Ahmedit është që hixhamja e prish agjërimin. Këtë mendim ka përzgjedhur shejhu i Islamit Ibn Tejmije dhe nxënësi i tij Ibn Kajjimi. [7] Këtë mendim mbështet edhe komisioni i përhershëm i fetvave në Arabinë Saudite. [8] Ky është mendimi i përzgjedhur nga shumica e dijetarëve të Arabisë Saudite. [9]
Bazuar mbi sa u citua më lart, për të qenë më i sigurtë, agjëruesi nuk duhet të bëjë hixhame. Në këtë mënyrë, ai çliron veten nga përgjegjësia dhe tejkalon këtë çështje, e cila ka mospajtim. [10]
E dyta: Hadithi i Enesit (radijAllahu anhu) tregon se shkaku i ndalimit të hixhames për agjëruesin është se ajo e dobëson atë. Kjo është një prej mirësive të Sheriatit, i cili shmang dëmin nga ata që kanë detyrime fetare.
E treta: Prej urtësive të prishjes së agjërimit të atij që i bëhet hixhamja është se ai dobësohet prej saj. Ndërsa urtësia e prishjes së agjërimit për atë që u bën hixhame të tjerëve është se ai gjatë thithjes me gojën e tij, mund t’i arrijë gjaku në gurmaz. Këtu bën përjashtim rasti kur hixhameja bëhet me mjete moderne, pa e thithur gjakun me anë të gojës. Domethënë, në këtë rast nuk i prishet agjërimi i tij. [11]
E katërta: Prerja e venës ose çarja e lëkurës për nxjerrjen e gjakut e prishin agjërimin e atij që i nxirret gjaku, ndërsa atij që bën prerje ose çarjen nuk i prishet agjërimi. [12]
E pesta: Nëse e ngacmon hundën me dashje, që t’i rrjedhë gjaku, për të lehtësuar kokën ose për ndonjë qëllim tjetër, në këtë rast prishet agjërimi nëse vërtet i rrjedh gjak. Ndërsa kur i rrjedh gjaku nga hunda pa dashje, nuk e prish agjërimin, edhe nëse rrjedh shumë. [13] Por në rast se trupi dobësohet për shkak të hemoragjisë, lejohet që ta prishësh agjërimin, sepse quhesh i sëmurë.
E gjashta: Analiza e gjakut, që bëhet me pak gjak, nuk ndikon tek agjëruesi, prandaj nuk e prish agjërimin. Megjithatë, më mirë është të bëhet gjatë natës, për të qenë sa më i sigurt, pasi ka mendime që e konsiderojnë agjërimin të prishur edhe në këtë rast. Në rastin kur merret shumë gjak për analiza, agjërimi prishet, prandaj kjo analizë le të bëhet veçse natën. Sidoqoftë, nëse nevojitet të japësh shumë gjak për analiza për shkak të sëmundjes, e prish agjërimin ngase quhesh i sëmurë dhe atë ditë e agjëron më pas. [14]
E shtata: Nëse del shumë gjak pa vullnetin e agjëruesit, për shkak të ndonjë aksidenti ose ndonjë plage, kjo gjë nuk ndikon në agjërim, vetëm nëse duhet ta prishësh agjërimin për shkak të dobësisë trupore. Në këtë rast, merr gjykimin e të sëmurit, kështu që e prish agjërimin dhe agjëron më vonë. [15]
E teta: Nuk prishet agjërimi nëse heq dhëmballën, edhe nëse del shumë gjak, sepse ajo nuk hiqet me qëllim që të rrjedhë gjak. Megjithatë, gjakun nuk duhet ta kapërdish. Nëse e kapërdin me dashje, agjërimi prishet. [16]
E nënta: Larja e veshkave (dializa) me anë të aparturave mjekësore, të cilat pastrojnë gjakun dhe më pas e kthejnë atë në trup, duke i shtuar disa lëndë kimike dhe ushqyese si sheqerna e kripëra etj., e prish agjërimin. [17]
E dhjeta: Dhurimi i gjakut e prish agjërimin, ashtu si hixhamja, ndaj mund të bëhet veçse gjatë natës. Sidoqoftë, nëse lind nevoja për të dhuruar gjak që të shpëtohet jeta e një njeriu, atëherë e prish agjërimin dhe e shlyen më vonë. [18]
E njëmbëdhjeta: Gjilpërat ushqyese (serumet) e prishin agjërimin. [19]
[1] Shënon Ebu Daudi ( 2369), Nesai në Kubra (3126), Ibn Maxhetu (1681), Ahmedi (4\123). E klasifikojnë të saktë Ali Ibn Medini dhe Buhariu, siç shënohet në Telhis el Habir (2\193).
Abdulla Ibn Imam Ahmed përcjell nga babai i tij në Mesail se ky hdith është prej haditheve më të sakëta që trasmentohen nga Profti (alejhi selam) në lidhje me prishjen e agjërimit të atij që bën hixhame dhe atij që i bëhet hixhame (682). Hadithin e klasifikon të saktë Ibn Hibani (3533) dhe Hakimi i cili thotë se Ibn Rahavejhi e klasifikon të saktë (1\593). Edhe Neveviu e klasifikon të saktë në Mexhmu, ku thotë se hadithi përmbush kushtin e Muslimit (6\350).
[2] Shënon Ebu Daudi (2371), Ibn Maxhe (1680), Darimiu (1731), Ahmedi (3\465) dhe Tajalisi (989). E klasifikon të saktë Ibn Hibani (3532) dhe Ibn Huzejme (1962- 1963).
[3] Shënon Tirmidhiu dhe thotë se hadithi ëshë i mirë e i saktë (774). E shënon edhe Ahmedi (3\465). Ndërsa Ibn Hibani e klasifikon si të saktë (3535).
[4] Shënon Buhariu (1836), Muslimi (1202), Ebu Daudi (2372-2374) dhe Tirmidhiu (775-777).
[5] Shënon Buhariu (1838), ndërsa transmetimi i dytë është i Ebu Daudit (2375).
[6] Lejimi i bërjes së hixhames për agjëruesin është përcjellë nga Ebu Seid El Hudri, Ibn Mesudi dhe Ummu Seleme. Të njëjtën gjë ka thënë edhe Urve dhe Seid Ibn Xhubejr . Ky është mendimi i dijetarëve të tre medhhebëve, Ebu Hanifes, Malikut dhe Shafiut.
Shih: Mugni (4\350) dhe Istidhkar. Në këtë të fundit Ibn Abdulberr përmend, se hadithet që ndalojnë hixhamen për agjëruesin janë abroguar nga hadithet që e lejojnë atë (3\324-326). Shih dhe librat Muhala (6\204-205), Fet’hul Bari të Ibn Haxherit (4\174-178), Subulus Selam (2\158-160) dhe Nejlul Eutar (4\275).
[7] Me mendimin që hixhamja e prish agjërimin është: Ata’u, Abdurrahman Ibn Mehdi, Imam Ahmedi, Is’haku, Ibn Mundhiri. Ibn Kudame përcjellë nga një grup i Sahabësh se ata bënin hixhame natën kur agjëronin, nga të cilët janë: Ibn Umeri , Ibn Abassi , Ebu Musa dhe Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Shih: Mugni (4\350), Mexhmu Fetava (25\257), Risaletu Hakikatu es Sijam (81-84), Tehdhib es Sunen (6\354-368), I’lamu el Muki’in (2\52).
Ibn Kajjim në librin Zadul Mead (4\61-62) thotë: Nuk mund të vërtetohet mendimi që i lejohet agjëruesit të bëj hixhame vetëm se me katër gjëra:
- E para: I Dërguari (alejhi selam) ka bërë hixhame ndërkohë që ishte i shëndetshëm dhe jo i sëmurë.
- E dyta: E ka bërë kur ishte vendali dhe jo udhëtar.
- E treta: E ka bërë hixhamen gjatë agjërimit të detyrueshëm dhe jo gjatë agjërimit vullnetar.
- E katra: E ka bër hixhamen mbasi e kishte ndaluar më parë, dhe jo para se ta ndalojë.
Nëse plotësohen këto katër gjëra, atëherë mund të themi që i lejohet të bëj hixhame agjëruesi, përndryshe: jo.
[8] Shih Fetava El Lexhnetu (10\261-262), numri i fetvasë (11917).
[9] Mendimi se hixhameja e prish agjërimin: Ibn Sa’di në përzgjedhjet e tij (62), Muhamed Ibn Ibrahim në fetvatë e tij (6\378-381) dhe në fetvatë e tij me numër (1\521) dhe Ibn Xhibrini në Fetava Sijam (54-56).
[10] Mendimi i shumicës së dijetarëve se hixhamja nuk e prish agjërimin është më i saktë, sepse një hadith tjetër i saktë provon se Pejgamberi (alejhi selam) e ka anuluar një gjë të tillë. Ibn Hazmi, sikurse e citon Ibn Haxheri në Fethul Bari, thotë: “S’ka dyshim që hadithi: “Agjërimin e prish edhe ai që bën hixhame, edhe ai të cilit i bëhet hixhameja” është i vërtetë, porse, nga ana tjetër, ne kemi nxjerrë nga hadithi i Ebu Sa’id Hudriut se Pejgamberi (alejhi selam) e toleroi (i bëri lehtësim) agjëruesit të bëjë hixhame. Senedi i këtij hadithi është i vërtetë. Rrjedhimisht, mbështetja në këtë hadith është detyrë, sepse lejimi vjen pas ndalimit. Kësisoj, hadithi i fundit provon faktin se rregulli i prishjes së agjërimit për shkak të hixhames është anuluar, qoftë për atë që bën hixhamen, qoftë për atë të cilit i bëhet hixhameja.” Hadithin e mësipërm të Ebu Sa’idit e shënojnë Nesaiu, Ibn Huzejme dhe Darakutniu.
[11] Shih: Sherhu el Mumti (6\382).
[12] Kështu ka dhënë fetva komisoni i përhershëm i fetvave (10\262), numri i fetvasë (547). Kështu mendon edhe Shejkhul Islam në Mexhmu fetava (25\268). Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Dijetari i nderuar Muhamed Ibn Ibrahim në fetvatë e tij (4\191). [Ndërsa sipas mendimit tjetër që hixhamja nuk e prish agjërimin dhe që është më i sakti, edhe atij që i nxirret gjaku nëpërmjet prerjes së venës ose çarjes së lëkurës nuk i prishet agjërimi.]
[13] Ky është mendimi që e ka zgjedhur Ibn Tejmije në Ihtijarat el Fikhije (108) Ibn Ibrahim (4\191) dhe Ibn Uthejmini në Mexhmu fetava (19\249). Shih fetvatë e komisionit të përhershëm të fetvave (10\264). Fetvaja me numër (3455). [Sipas mendimit më të saktë që sqaruam më lart në lidhje me hixhamen, rrjedhja e gjakut nga hunda, qoftë pak apo shumë, me angacmim apo jo, nuk e prish agjërimin.]
[14] Shih Fetvatë e Komisionit të përhershëm të fetvave (10\263) fetva nr. (56), Mexhmu Fetava Ibn Baz (3\238-239) dhe Mexhmu Fetava Ibn Uthejmin (19\250-251). [Analizat e gjakut qoftë me pak gjak apo shumë nuk e prishin agjërimin, siç u sqarua me lart.]
[15] Shih: Fetava Ibn Uthejmin (1\514).
[16] Shih: Mexhmu Fetava të Ibn Uthejminit (19\249-253).
[17] Shih: Fetvatë e komisionit të përhershëm (9944).
[18] Shih: Fetvanë e Ibn Uthejminit (1\511).
[Sipas mendimit më të saktë që hixhamja nuk e prish agjërimin, dhurimi i gjakut nuk e prish agjërimin, ndërsa marrja e gjakut e prish agjërimin, por siç u sqaruar më lart kur njeriu ka nevojë të marrë gjak gjatë ditë së agjërimit për shkak të sëmundjes, e prish agjërimin dhe e zëvendëson atë pas ramazanit].
[19] Fetava Lexhne (5176).