Allahu i Lartësuar, ka përmendur në librin e Tij shumë ngjarje dhe ndodhi nga jeta e Ibrahimit (alejhi selam). Tek këto ndodhi, ne gjejmë shembullin që duhet të ndjekim nga pejgamberët në përgjithësi dhe nga Ibrahimi (alejhi selam) në veçanti. Allahu i Lartësuar e urdhëroi profetin tonë (Muhamedin) dhe na urdhëroi neve që të ndjekim fenë e pastër të Ibrahimit, besimin, moralet dhe vepra të tjera që kishin të bënin me të, apo që u sjellin dobi të tjerëve.
Zoti i dha pjekurinë, i mësoi urtësinë që në moshë të vogël dhe i mundësoi të shihte mbretërinë e qiejve dhe të tokës. Për këtë arsye, ai ishte njeriu me sigurinë më të madhe (në besim), me dijen më të plotë, më i qëndrueshmi në fenë e Zotit dhe më i mëshirshmi ndaj krijesave. Allahu e dërgoi atë (Ibrahimin) tek një popull idhujtar që adhuronin Diellin, Hënën dhe yjet. Ata ishin filozofët Sabi’in që konsiderohen prej sekteve më të djallëzuara dhe më të dëmshme ndaj njerëzve.
Ibrahimi i ftoi ata në forma dhe mënyra të ndryshme: I ftoi me një mënyrë, që për një njeri të logjikshëm do të ishte e pamundur të mos i përgjigjej asaj thirrjeje. Ata adhuronin shtatë planetet lëvizëse, mes tyre Diellin dhe Hënën. Madje për këtë ata kishin ndërtuar faltore të posaçme, të quajtura Hejkel.
Në formë bashkëbisedimi logjik, ai u tha: O populli im! Ejani të shohim se a meritojnë të adhurohen këto planete në Univers! “Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” (En’am: 76)
Debati, ndryshon nga format e tjera të bashkëbisedimit, në shumë gjëra:
Debatuesi, mund të thotë diçka që realisht nuk e beson. Mbi atë, ai ndërton argumentin e vet dhe ngre faktet përballë kundërshtarit të tij. Në momentin kur Ibrahimi theu idhujt dhe populli idhujtar i tha: “A ti e bëre këtë me zotat tanë, o Ibrahim?!” (Enbija: 62)
Ai (Ibrahimi), bëri me shenjë drejt idhullit që s’e kishte thyer dhe u tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyetini ata, nëse flasin!” (Enbija: 63) Dihet se qëllimi i tij ishte t’i sfidonte përballë argumenteve dhe realisht ashtu ndodhi. Nga këtu e kuptojmë më shumë fjalën e tij (Ibrahimit) kur thotë: “Ky është Zoti im!” (En’am: 76)
D.m.th, nëse ai meriton që të adhurohet, pasi e patë gjendjen dhe cilësitë e tij, atëherë ai është zoti im, ndërkohë ai e dinte shumë mirë se, ky yll nuk meritonte dhe nuk kishte pjesë në zotërim apo adhurim, as edhe sa grimca. Por ai deshi t’i zinte mat me argument: “Dhe, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. (En’am: 76)
Çdo send që orvatet mes ekzistencës dhe inekzistencës, prezencës apo mungesës, çdo njeri i logjikshëm e kupton se nuk është i plotë, prandaj nuk mund të jetë Zot. Pas kësaj, ai kaloi tek hëna dhe kur e pa atë duke lindur tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”. (En’am: 77) Me këtë, Ibrahimi (alejhi selam) po mundohej t’i mësonte.