Ibrahimi e vuri veten në rolin e atij që bie dakort me ta, por jo praktikisht duke i ndjekur në bindje e adhurim. Ai, me paraqitjen e argumenteve, në sytë e popullit, nënkuptonte sikur deshte të nxirrte në pah hyjnizimin e yjeve dhe hënës. Në momentin kur ata perëndonin, dhe kjo faktohej me argumente logjike dhe shqisore se hyjnizimi i tyre ishte i pavlerë, atëherë, ai ua bëri të qartë se këto (yjet dhe hëna) nuk janë zota madhështorë që meritojnë të adhurohen.
“Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” (En’am: 78) D.m.th më i madh nga yjet e tjerë, si hëna në rastin konkret. E nëse diellit i ndodh ajo që u ndodhi edhe yjeve të tjerë (perëndon), atëherë automatikisht merr të njejtin gjykim si ata. Ndërkohë, ishte bërë mjaft e qartë tek të gjithë, se adhurimi i diçkaje që perëndon, konsiderohet gjëja më e pavlerë.
Në ato momente, ai i mbërtheu (para fakteve), i detyroi të pranonin, duke iu kundërvënë me argumente dhe duke u thënë: “O populli im! Unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! (En’am: 79)
Ky ishte një argument i qartë logjik se Ai (Allahu) është Krijuesi i Botës së dukshme dhe të padukshme, dhe që njerëzit duhet ta njësojnë me adhurim dhe sinqeritet (Allahun), dhe se këto galaktika yjesh janë krijesa nën mbyikëqyrjen e Tij dhe nuk kanë cilësi bindëse për të merituar adhurim.
Por ata filluan ta frikësonin Ibrahimin me idhujt e tyre, duke i thënë se ata (idhujt) do i sillnin fatkeqësi. Ky është argument se idhujtarët janë të zhytur në trillime të kota dhe mendime të ulta, sepse besojnë se zotat e tyre kishin fuqi për t’u sjellë dobi atyre që i adhuronin dhe për t’i dëmtuar ata që i braktisnin dhe i cënonin.
Ai (Ibrahimi) u tha atyre qartë se nuk kishte frikë aspak dhe se frika e vërtetë qëndronte pikërisht për gjendjen e tyre. Ai u tha: “E si të frikësohem nga zotat tuaj të rremë, ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i shoqëroni Allahut idhuj, për të cilët Ai nuk ju ka zbritur kurrfarë argumenti?! Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën!” (En’am: 81)
Allahu i dha përgjigje kësaj pyetjeje, e cila do të përfshinte rastin e kësaj ndodhie si dhe rasteve të tjera që ndodhin në çdo kohë, duke thënë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (En’am: 82)
Allahu e lartësoi të dashurin e Tij, Ibrahimin, duke i dhënë dije dhe argument, ndërsa ata (idhujtarët) e patën të pamundur t’i dilnin në mbrojtje të kotës. Përtej këshillave dhe argumenteve të qarta, prapë se prapë mbetën të paluhatur në atë që ishin. Atyre nuk u bëri dobi këshilla, përmendja dhe paraqitja e argumenteve.