Ibrahimi (alejhi selam) vazhdoi t’i ftonte tek Allahu dhe t’i ndalonte nga adhurimi i idhujve. Thirrja e tij ishte e përgjithshme dhe e përveçme. Një ndër ta, që i kushtoi thirrje të veçantë, ishte babai i tij Azeri, të cilin e ftoi në disa mënyra të dobishme por: “Vërtet, ata që e merituan Fjalën (zemërimin dhe dënimin) e Zotit tënd, nuk besojnë, edhe sikur t’u vijnë të gjitha shenjat, derisa të shohin dënimin e dhembshëm. (Junus: 96-97)
Prej fjalëve që Ibrahimi i tha babait: “…O babai im! Përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im! Mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! (Merjem: 42-43)
Shiko sa fjalë të bukura këto që tërheqin zemrat. Ai nuk i tha babait se ti je injorant! Por iu drejtua me urtësi e butësi: “O babai im! Mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im! mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im! Unë kam frikë se mos të vjen ndonjë denim nga I Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm I djallit”! (Merjem: 43-45)
Me thirrjen e tij, ai (Ibrahimi) kaloi nga një metodë në një tjetër, me qëllim që të kishte sukses dhe të bënte dobi, e megjithatë babai i tha: “…O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! (Merjem: 46)
Ibrahimi nuk u zemërua me të dhe nuk ia ktheu me të njëjtat fjalë, përkundrazi, ia ktheu me mirësi duke i thënë: “ Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem: 47) Që do të thotë: Unë nuk do të flas me ty veçse me fjalë të mira, jo me fjalë të vrazhda. Unë nuk e humb shpresën nga udhëzimi i Zotit për ty: “Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem: 47)
Domethënë: i Butë dhe i Mëshirshëm! Butësia e Tij më ka mësuar për mirësitë dhe bukuritë që ajo (butësia me të tjerët) sjell. Gjithashtu, Ai gjithmonë është përgjigjur ndaj lutjeve të mia. Ibrahimi (alejhi selam), e vazhdoi thirrjen dhe dialogun me popullin e tij. Ai i sfidoi (idhujtarët) dhe i hodhi poshtë të gjitha argumentet dhe dyshimet e tyre. Ai deshi të përballej me fakte edhe më të forta, e të qëndronte i palëkundur, përballë kryeneçësisë, forcës dhe fuqisë së idhujtarëve, pa u ndrojtur dhe pa u frikësuar aspak prej tyre.