Një ditë, kur idhujtarët dolën në një prej festave të tyre, Ibrahimi doli bashkë me ta. Hodhi një shikim nga yjet dhe tha: “Vërtetë unë jam i sëmurë.” (Safat: 89) Ai pati frikë, se nëse do të mbante qëndrim ndryshe, nuk do i’a arrinte qëllimit, sepse e dinin urrejtjen që ushqente Ibrahimi ndaj idhujve të tyre; e dinin se sa shumë i pengonte dhe luftonte ndaj adhurimit të atyre idhujve.
Kur idhujtarët mbërritën në shkretëtirë, Ibrahimi u kthye tek vendi ku qëndronin idhujt dhe i theu, i bëri copë-copë, që të gjithë, me përjashtim të idhullit më të madh. Atë e la qëllimisht, për t’i kushtëzuar para fakteve. Kur u kthyen nga festa, vajtën menjëherë tek idhujt në shenjë respekti, nënshtrimi dhe dashurie dhe I panë në gjendjen më të keqe të mundshme dhe thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!” Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte.” (Enbija: 59-60) Domethënë: që fliste për të metat e tyre, në mënyrë ofenduese.
“Atë e quajnë Ibrahim”. Kur u siguruan se Ibrahimi i kishte thyer në të vërtetë, thanë: “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë.” (Enbija: 61) Pra, silleni Ibrahimin para këtij grumbulli të madh njerëzish, qortojeni sa të mundeni, pastaj ndëshkojeni atë. Këtë synonte edhe Ibrahimi (alejhi selam), sepse donte që e vërteta të shfaqej dukshëm para syve të të gjithëve. Kur njerëzit u mblodhën, ata e sollën Ibrahimin dhe i thanë: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre.” (Enbija: 62-63) Kishte për qëllim idhullin që nuk ishte thyer.
Me këtë që u tha, ata ishin mes dy alternativave:
1– Të pranonin të vërtetën, nëse do të kishin një logjikë të shëndoshë, sepse dihet që një send i ngurtë, s’mund ta bëjë diçka të tillë.
2– Ose të thonin: Po, ai (idhulli) e ka bërë këtë dhe se ti (Ibrahim) je i pafajshëm dhe i pa ngarkuar me pasoja.
Ibrahimi (alejhi selam), e dinte shumë mirë se ata nuk mund ta pranonin opsionin e dytë. Ai u tha: “Pyetini ata, nëse flasin!” Ai u propozoi diçka, për të cilën ata ishin të bindur që ishte e pamundur. Aty u shfaq dukshëm e vërteta, ata u dorëzuan para saj dhe iu kthyen vetes me qortime duke thënë: “Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.”
Mohimi që u bënë idhujve nuk zgjati shumë, edhe pse i panë argumentet që nuk mund të kontestoheshin. Megjithatë, shumë shpejt iu kthyen besimeve dhe bindjeve të tyre të kota, që ishin gdhendur në zemrat e tyre dhe ishin kthyer në varësi ndaj tyre. Edhe nëse shihnin diçka që i hidhte poshtë, atë e quanin rastësi, e cila shumë shpejt do të zhdukej.
“Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!” (Enbija: 65) Në atë moment, pasiqë argumentet dolën në pah dhe qenë të pranuara para të gjithë njerëzve, Ibrahimi i nënçmoi: “Ai u tha: ‘Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!’” (Enbija: 66-67)
Nëse mendjet tuaja do të logjikonin, nuk do të qëndronit akoma në adhurimin e diçkaje, që nuk i sjell vetes asnjë dobi dhe që nuk largon diçka që mund ta dëmtojë. Kur e panë veten të mundur para argumenteve, kaluan në përdorimin e forces dhe kryeneçësisë, vetëm e vetëm për të ndëshkuar Ibrahimin (alejhi selam).
“Ata thirrën: ‘Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!’” (Enbija: 68) Ata ndezën një zjarr të madh dhe e hodhën Ibrahimin brenda. I gjendur në këtë vështirësi, Ibrahimi tha: “Hasbija Allahu ue Niamel Uekil.” (Më mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i Mirë).
Ibn Abassi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Fjala “HasbijAllahu ue niamel Uekil” është fjala që ka përmendur Ibrahimi kur e hodhën në zjarr. Është fjala që ka përmendur Muhmedi (alejhi selam) atëherë kur i thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” (Al imran: 173) (Buhariu, 4563.)
“Ne thamë: ‘O zjarr! Bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!’” (Enbija: 69) Zjarri nuk e dëmtoi aspak. “Ata deshën ta lëndonin.” Me qëllim që t’u dalin në krah idhujve dhe t’i mbanin zemrat e tyre dhe zemrat e ndjekësve, të nënshtruara dhe të përgjëruara, ndaj këtyre idhujve. Por kurthi që përgatitën, u kthye në makth për ta, sepse Ibrahimi ishte ai që triumfoi kundrejt të gjithëve.