Ibrahimi, bashkë me Haxheren dhe djalin e tyre Ismailin u nisën për në Mekke. Asaj kohe, në Mekke nuk kishte njeri, nuk kishte ujë dhe as bimësi. Ibrahimi i la familjes një enë të mbushur me ujë, një shportë me hurma dhe i vendosi diku pranë pusit të Zemzemit, pastaj u largua.
Kur mbërriti në kodrën Eth-Thenije, prej nga mund t’i shihte që të dy, Ibrahimi u lut me këto fjalë: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë. (Ibrahim: 37)
Haxherja iu nënshtrua urdhrit të Zotit, filloi të ushqehej me ato hurma dhe të pinte nga ai ujë, derisa mbaruan hurmat dhe uji. Ajo kishte etje, po ashtu edhe fëmija i saj përpëlitej nga etja. Në atë gjendje, ajo shkoi për të parë mos shihte dikë për ta ndihmuar. U ngjit në kodrën e Safasë, hodhi një shikim, por nuk pa asgjë. Pastaj shkoi për në kodrën e Mervas, u ngjit lart, hodhi një shikim, por nuk pa askënd.
Kështu vazhdoi të ecte mes dy kodrave, edhe pse ndihej e pikëlluar, kërkonte pa ndaluar ndihmën e Allahut për veten dhe fëmijën e saj. Ajo ecte dhe kthente kokën prapa tek fëmija, nga frika se mos i afrohej ndonjë egërsirë. Kur zbriste në luginë nxitonte me qëllim që të ngjitej në anën tjetër dhe të mos i ikte nga sytë, fëmija i saj. Por zgjidhja vjen bashkë me pikëllimin dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.
Pas shtatë vajtje-ardhjesh midis dy kodrave, ajo dëgjoi një zë engjëlli dhe kërkoi në vendin ku ndodhej zemzemi dhe aty filloi të buronte ujë. Gëzimi i saj ishte i madh. Pinte ujë për vete dhe i jepte qumësht djalit të saj. Falënderoi Allahun për këtë mirësi të madhe dhe gërmoi në tokë në formë rrethi me qëllim që uji të mos humbiste (e të shterohej).
I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit. Sikur ta linte Zemzemin, (pa i bërë pritë), ai do të ishte një burim i bollshëm, i rrjedhshëm dhe i dukshëm. E përcjell Buhariu me nr 3364 nga Ibn Abassi (radijAllahu anhu).
Ibn Xheuzi Allahu e mëshiroftë ka thënë: Burimi i Zemzemit ishte mirësi e plotë nga Allahu, pa ndërhyrjen e askujt. Kur ai u shoqërua me ndërhyrjen e Haxheres, sepse nuk e la të rridhte lirshëm, kjo u konsiderua ndërhyrje e njeriut dhe ashtu mbeti. (Fet’hul Bari 6/463)
Atë e gjetën ca njerëz të një fisi arab që quhej Xhurhum! Ata qëndruan aty dhe mirësia u shtua edhe më shumë. Ismaili u rrit. Ai ishte djalosh i pashëm dhe i mirë dhe fisit i pëlqenin vlerat morale dhe ambicia e lartë e tij. Kur arriti moshën e pjekurisë, u martua me një vajzë të këtij fisi dhe gjatë asaj kohe, nëna e tij (Haxherja) ndërroi jetë.
Në kohën kur Islamili nuk ishte në shtëpi, babai i tij Ibrahimi, erdhi dhe pyeti gruan e tij për burrin e saj (Islamilin) dhe për jetesën që bënin. Ajo e njoftoi se burri i saj kishte vajtur për gjueti dhe se jetesa e tyre ishte shumë e vështirë. Ibrahimi i tha: “Kur të vijë burri yt, jepi selam nga ana ime dhe thuaji: Ndërroje pragun e derës së shtëpisë.” Ibrahimi u largua shpejt, për ndonjë urtësi që e deshi Allahu i Lartësuar.
Kur u kthye Islamili, ndjeu se kishte ngjarë diçka dhe pyeti gruan dhe ajo i tregoi se kishte adhur një i moshuar, me këto tipare dhe kishte pyetur për të dhe ajo i kishte treguar. “Ai pyeti për jetesën tonë dhe unë i tregova për vështirësitë! Ai të dërgon selam dhe më tha të të porosit që ta ndërrosh pragun e derës së shtëpisë!” Ismaili i tha: “Ai ishte babai im, ndërsa ti je pragu i derës, prandaj shko tek familja jote.”
Dhe kështu Ismaili u martua me një grua tjetër. Pas një farë kohe, Ibrahimi erdhi përsëri, ndërkohë që Ismaili kishte dalë për gjueti. Ai hyri tek shtëpia ku qëndronte gruaja e Ismailit dhe e pyeti për Ismailin dhe ajo i tregoi! Ibrahimi e pyeti për jetesën që bënin dhe ajo i tha se jetonin në mirësi dhe begati. Ajo ishte grua e mirë dhe falënderuese ndaj Zotit dhe burrit të saj.
Ai i tha: “Kur të kthehet burri, jepi selam nga ana ime dhe thuaji ta përforcoje pragun e derës së shtëpisë!” Pastaj u largua menjëherë, para se të takohej me Ismailin, për ndonjë urtësi që e deshi Zoti i Lartësuar. Kur u kthye Ismaili nga gjuetia tha: “A ju ka ardhur dikush?” Ajo i tha: “Erdhi një i moshuar me këto tipare!” Ai i tha: “A ju tha diçka?”
Ajo tha: “Na pyeti për ty dhe unë i tregova; na pyeti për jetesën tonë dhe unë e lajmërova, se jemi në mirësi dhe falënderova Allahun.” “Çfarë tha pastaj?” – pyeti Ismaili. Gruaja i tha: “Ai të dërgon selam dhe të urdhëron të përforcosh pragun e derës së shtëpisë!” Ismaili i tha: “Ai ishte babai im, ndërsa ti je pragu i derës së shtëpisë dhe më urdhëroi të të mbaj.”
Ibrahimi, erdhi për herë të tretë dhe e gjeti Ismailin duke mprehur ca shtiza pranë pusit të Zemzemit. Kur e pa Ibrahimin, ai u ngrit dhe veproi siç vepron fëmija i dashur për babain e dashur. Ai i tha: “O Ismail! Allahu më ka urdhëruar që të ndërtoj këtu në këtë vend një shtëpi, që të jetë faltore për njerëzit, deri në Ditën e Gjykimit.” Ismaili i tha: “Unë do të të ndihmoj për këtë!”
Ata filluan t’i ngrinin themelet e kësaj shtëpie. Ibrahimi ndërtonte, ndërsa Ismaili i afronte gurët dhe të dy luteshin duke thënë: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (El-Bekare: 127-129)
Kur mbaroi ndërtimi i Shtëpisë së Shenjtë (Qabes) dhe kur Ibrahimit i mbeti kjo gjurmë e vlefshme, Allahu e urdhëroi atë, t’i ftonte njerëzit dhe t’i thërriste me zë të lartë, që të vinin për të kryer haxhin. Ai thërriste, ndërsa njerëzit vinin tek Shtëpia e Shenjtë nga çdo cep i largët. Vinin dhe dëshmonin krahas dobive të kësaj bote (shit-blerje), edhe dobitë e Ahiretit. Kështu, gjenin lumturinë dhe largonin prej vetes mjerimin.