Ndërkohë, kur dashuria ndaj Ismailit e kishte pushtuar zemrën e Ibrahimit, Allahu deshi ta sprovonte atë! Për të parë nëse do të ishte prej atyre që i japin përparësi dashurisë ndaj Zotit, dashuri e cila nuk pranon ortakëri e as konkurrencë. Për këtë arsye, e urdhëroi në ëndërr që ta flijonte Ismailin, ndërkohë që ëndrrat e pejgamberëve janë insiprim (shpallje) nga Allahu.
Hafidh Ibn Haxher (Allahun e mëshiroftë!) ka thënë: Ebu Nuajmi përcjell në librin “Ed-Delail” me sened të mirë nga Alkameh Ibn Kajs, shoqëruesi i Ibn Mes’udit, se ka thënë: E para gjë që u jepet profetëve janë ëndrrat, me qëllim që zemrat e tyre të udhëzohen, pastaj u vjen shpallja në gjendje normale (kur janë zgjuar). (Fet’hul Bari 1/9.)
Ibrahimi i tha Ismailit: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit.” D.m.th, u nënshtruan ndaj urdhrit të Allahut dhe e pranuan, duke e vënë veten në shërbim të këtij urdhëri jo të këndshëm, ku rrallë mund të gjesh njerëz që tregojnë durim, sa një e dhjeta e tij.
“(Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.” Ndihma dhe zgjidhja vjen nga i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” (Safat: 103-105)
U zgjidh problemi i kësaj sprove; këtij mundimi të lodhshëm dhe të pakëndshëm. Pasi që u parapri nga pohimi i sigurt dhe i vendosur (për të zbatuar urdhrin), që të dy merituan shpërblimim dhe mirësinë; arritën të fitonin nderimin dhe afrimin në piedestale të larta tek Allahu i Lartësuar.
Të gjitha këto mirësi nuk janë të pamundura për Zotin tonë Bujar! Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (Safat: 105-107)
E ku ka flijim më të madh, se ai me të cilin arrihet qëllimi i një adhurimi, që nuk i ngjan asnjë adhurimi tjetër?! Ky flijim do të mbetet traditë deri në Ditën e Gjykimit, përmes të cilit, njerëzit do të afrohen tek Allahu dhe do të arrijnë shpërblimet dhe kënaqësinë e Tij.
“Dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë tek brezat e mëvonshëm. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” (Safat: 108-109) Pas kësaj që ndodhi, Allahu ia plotësoi mirësitë Ibrahimit, e mëshiroi gruan e tij Sarën, edhe pse ishte e shtyrë në moshë dhe e përgëzoi me një djalë të vyer, i cili do të quhej Is’hak dhe ai (Is’haku), më vonë do të kishte djalë Jakubin.
Allahu e kishte dërguar Lutin tek populli i tij, por ata u ngritën kundër tij. Për këtë arsye, Allahu vendosi që t’i ndëshkonte. Luti ishte nxënës i Ibrahimit dhe ndaj tij kishte shumë detyrime. Engjëjt që u dërguan për të shkatërruar popullin e Lutit, kaluan fillimisht tek Ibrahimi, por në formë njeriu.
Kur hynë tek Ibrahimi, e përshëndetën me selam dhe ai ua ktheu selamin dhe menjëherë filloi t’i gostsite miqtë (e panjohur). Allahu i kishte dhënë furnizim të bollshëm dhe bujari të madhe. Shtëpia e tij (Ibrahimit) ishte pikë referimi për mysafirët. Në moment, ai vajti tek familja dhe pa u vënë re solli një viç të majmë e të pjekur mbi një tepsi të madhe.
“Pastaj ua afroi atyre e u tha: ‘A nuk po hani?’” (Dharijat: 27) “Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre.” (Hud: 70) “(Engjëjt) thanë: ‘Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit’”. (Hud: 70)
Ibn Kajjim thotë: Mendoi se ishin hajdutë, sepse kur i pa se duart e tyre nuk po i afrohen ushqimit, në vetvete mendoi se këta njerëz mund të mbanin diçka të keqe. Kjo sepse miku kur han nga ushqimi i të zotit të shtëpisë, kjo e qetëson dhe e bën të ndihet mirë. (“Risale et Tebukije”, fq 130)
Sarën, ndërkohë që po u shërbente, ata e përgëzuan me lajmin se do të bëhej me një fëmijë të ditur. Ajo qeshi nga habia dhe filloi të qëllonte fytyrën. Ishte e habitur dhe e shtangur. Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë.” (Hud: 72)
Para se t’më vinte ky lajm përgëzues, unë isha beronjë (nuk lindja) “ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!” Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!” (Hud: 72-73)
Engjëjt e përgëzuan me Is’hakun i cili do të jetonte, dhe të cilit do t’i lindte një fëmijë që do ta quanin Jakub dhe do ta arrinin (do ta shihnin). Ibrahimi, e falënderoi Allahun për mirësitë e plota, duke thënë: “Qoftë lavdëruar Allahu, i Cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!” (Ibrahim: 39)