Ibn Umer (radijAllahu anhu) rrëfen: “Kam patur një grua që e doja, por Umeri (babai) e urrente, prandaj më urdhëroi ta ndaja. Por unë refuzova. Atëherë, Umeri erdhi tek i Dërguari i Allahut (alejhi selam) dhe u ankua për këtë çështje. Pejgamberi (alejhi selam) më tha: “Ndaje!”.” [1] Shënon: Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Ibn Hibbani. Hadithi është i mirë.
[1] Ibn Umeri kishte dashuri të natyrshme për gruan e tij, ndërsa Umeri e urrente për arsye fetare, prandaj e urdhëroi të ndante. I Dërguari i Allahut i dha të drejtë Umerit dhe urdhëroi Abdullahin (Ibn Umer), djalin e Umerit, që të dëgjonte babain dhe ta ndante gruan. Pra, Pejgamberi (alejhi selam) urdhëroi Abdullahin t’i bindej të atit për ndarjen e gruan, sepse Umeri e kërkonte këtë gjë për arsye fetare, dhe sikur Umeri të mos kishte shkak fetar dhe të synonte dëmtimin e saj, Pejgamberi (alejhi selam) nuk do ta aprovonte kërkesën e tij.
Kështu, bazuar në këtë që sqaruam, nëse prindi të urdhëron për ndarjen e gruas, pasi ka arsye fetare, si psh; kur gruaja është e përdalë, ose e pabindur etj, në këtë rast është detyrë t’i bindesh dhe ta shkurorëzosh. E nëse nuk ka arsye fetare të pranueshme, nuk e ke detyrë t’i bindesh. Rrëfehet se një burrë e pyeti Imam Ahmedin: “Babai më urdhëron ta ndaj gruan, por unë e dua, si të bëj? Ai i tha: Mos e ndaj! Pyetësi i tha: A nuk e urdhëroi Pejgamberi (alejhi selam) Ibn Umerin që ta ndante gruan e tij, pasi që për këtë e kishte urdhëruar i ati !? Imam Ahmedi i tha: Mos vallë babai yt është si Umeri !?” Pra, qëllimi i Ahmedit është se Umeri ka patur arsye fetare, andaj kërkonte që djali i tij ta ndante gruan, ndërsa babai i pyetësit nuk ka patur arsye fetare.