Ibn Umeri (radijAllahu anhu) përcjell se i Dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Kur të vijë nata që këndej (nga ana e lindjes) dhe të largohet dita që andej (nga ana e perëndimit) dhe të perëndojë dielli, hyn koha e çeljes së agjëruesit”. Këtë hadith e sjell Buhariu e Muslimi. [1] Në një variant tek Tirmidhiu thuhet kështu: “…dhe kur zhduket dielli (perëndon disku i tij), hyn koha e çeljes”. [2] Kurse në variantin e Ebu Daudit thuhet: “Kur vjen dita këndej (nga ana e lindjes) dhe kur largohet dita që andej (nga ana e perëndimit), dhe humb dielli, hyn koha e çeljes së agjëruesit”. [3]
Abdullah Ibn Ebu Eufa tregon: “Ishim me Pejgamberin (alejhi selam) në një udhëtim. Sapo perëndoi dielli, Pejgamberi i tha një burri: “Zbrit dhe më trazo çorbën me ujë!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të prisje derisa të binte plotësisht mbrëmja!” Pejgamberi sërish i tha: “Zbrit dhe trazo çorbën (për të çelur)”. Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të prisje derisa të binte plotësisht mbrëmja! Ke akoma ditë!” – “Zbrit dhe trazo çorbën!”, – i dha urdhër për herë të tretë Pejgamberi (alejhi selam). Kështu, pas herës së tretë, burri zbriti dhe trazoi çorbën”.
Pejgamberi (alejhi selam), pasi piu, bëri shenjë me dorë nga lindja, duke thënë: “Kur të shikoni natën duke ardhur që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit!” [4] Në një variant tek Muslimi thuhet se: “Bëri me shenjë nga lindja”. Kurse në variantin e Ahmedit thuhet: “…ka ardhur koha e çeljes së agjërimit”. Ndërsa tek varianti i Ebu Daudit përmendet se: Këtë ia ka thënë Bilalit (radijAllahu anhu). [5]
Dobi dhe Rregulla: [6]
E para: Kur dielli perëndon, agjëruesit i lejohet të çelë. Shprehja ‘…kur të vijë nata që këndej (nga ana e lindjes) dhe të largohet dita që andej (nga ana e perëndimit)..’ nënkupton fshehjen e diskut të diellit në perëndim edhe pse në horizont e nëpër rrugica vazhdon të ketë akoma ndriçim. [7]
E dyta: Profeti (alejhi selam) ishte i interesuar që të sqaronte dispozitat e Sheriatit me hollësi. Shohim që ai ka treguar tre shenja që tregojnë kohën e iftarit: ardhja e natës, ikja e ditës, perëndimi i diellit. Në fakt, kur shfaqet njëra shenjë, patjetër që shfaqen edhe të tjerat. Profeti (alejhi selam) i ka përmendur të gjitha, – dhe Allahu e di më së miri, – për faktin se ndoshta agjëruesi nuk e sheh perëndimin e diskut të diellit për shkak të ndonjë pengese, mirëpo shikon nga ana e lindjes që ka rënë errësira e natës, dhe në këtë rast i lejohet të çelë iftarin. [8]
E treta: Kur perëndon i tërë disku i diellit, agjëruesi çel, pa u ndikuar nga ndriçimi i kuqërremtë që ka mbetur në horizont. Në fakt, kur fshihet i tërë disku, shfaqet errësira nga ana e lindjes.
E katërta: Kurrë nuk është detyrë me agjëruar ndonjë pjesë të natës. Për këtë janë pajtuar të gjithë dijetarët. [9] Gjithashtu, nuk pëlqehet vonimi i çeljes, përkundrazi pëlqehet shpejtimi i saj, siç tregojnë edhe hadithet.
E pesta: Njerëzit nxitojnë të kundërshtojnë për çështje që nuk i dinë. Kështu ndodhi me Bilalin (radijAllahu anhu), kur nuk nxitoi të zbatonte urdhrin e Profetit (alejhi selam), pasi nuk e dinte se lejohej çelja e iftarit në atë kohë.
E gjashta: Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ndonjëherë i kërkonin shpjegim Profetit (alejhi selam), për të qenë më të sigurt ose për të marrë njohuri më të hollësishme për gjykimin ose për më shumë dituri, dhe pastaj menjëherë e vinin në zbatim. Bilali i kërkoi sqarim disa herë Profetit lidhur me çeljen, kur pa shkëlqimin e rrezeve të kuqe pas perëndimit të diellit. Ai mendoi se çelja e iftarit lejohej veçse mbas zhdukjes së kësaj drite. Ai pandehu se Profeti (alejhi selam) nuk e kishte parë atë ndriçim, ndaj donte ta kujtonte për një gjë të tillë.
E shtata: Dijetarit ose imamit mund t’ia kujtosh gjërat që ti mendon se ai i ka harruar ose nuk i ka vënë re. Mirëpo nuk duhet të përsëritësh të njëjtën gjë më tepër se tri herë.
E teta: Ai që nuk e di gjykimin e një veprimi lejohet të pyesë përsëri, të kërkojë sqarim e të diskutojë, derisa ta mësojë.
E nënta: Hadithi aludon për kundërshtimin e çifutëve dhe krishterëve, të cilët e vononin çeljen mbas perëndimit të diellit. Gjithashtu, ai është kundërpërgjigje edhe ndaj rafidive, të cilët e vonojnë iftarin gjersa të dalin yjet.
E dhjeta: Lejohet agjërimi në udhëtim për atë që nuk e dëmton.
E njëmbëdhjeta: Agjëruesi gjatë kohës që çel iftarin mund të përsërisë fjalët e muezinit dhe të lutjet mbas ezanit. Argumentet në tërësi tregojnë që pëlqehet një gjë e tillë. Ato nuk përjashtojnë rastin e angazhimit me ngrënien e iftarit. [10]
E dymbëdhjeta: Për çdo person, çasti i fillimit të agjërimit, i çeljes së iftarit dhe i kohëve të namazit, përcaktohen sipas vendit ku ndodhet ose hapësirës ajrore në të cilën udhëton. Kështu, nëse perëndon dielli kur je në aeroport ose nëse ke falur akshamin, dhe më pas, kur niset avioni në drejtim të perëndimit, ti shikon diellin, nuk e ke detyrë më të vazhdosh agjërimin ose të falësh sërish akshamin. Agjërimi dhe namazi janë të saktë, sepse koha e iftarit dhe e namazit përcaktohen sipas tokës mbi të cilën gjendet personi.
Mirëpo, nëse avioni niset disa minuta para perëndimit të diellit dhe vazhdon të jetë ditë, nuk të lejohet të çelësh iftar e as të falesh pa perënduar dielli i hapësirës ajrore mbi të cilin udhëton. Edhe nëse udhëton në hapësirat ajrore të një vendi ku banorët e tij e kanë çelur iftarin dhe e kanë falur akshamin, ty nuk të lejohet të çelësh iftar as të falesh për sa kohë shikon diellin. [11]
[1] Buhariu (1853) dhe Muslimi (1100).
[2] Xhamiu Tirmidhij (698) dhe thotë: Hadithi është i mirë i saktë. Shënon dhe Ahmedi (1\35) e Daremiu (1700).
[3] Sunen Ebi Daud (2351), Ahmedi (1\54) dhe Ibn Ebi Shejbe (2\277).
[4] Buharu dhe Muslimi.
[5] Buhariu (1854), Muslimi (1101), Ebu Daudi (2352) dhe Ahmedi ( 4\382).
[6] Sherhu Ibn Betal ala el Buhari (4\103), Sherhu i Neveviut 7\209-211), Mufhim (3\158-159), ElFet’h (4\196-198) dhe Aunu el Maëbudë (6\343).
[7] Kurtubiu thotë: ” Bilali ia tha një gjë të tillë, sepse ai shikonte rrezet e diellit të shkëlqenin, edhe pse ishte zhdukur disku i tij. I Dërguari (alejhi selam) nuk e mori parasyshë shkëlqimin e rrezeve, por perëndimin e diskut të diellit. Pas kësaj, Pejgamberi sqaroi shenjën që duhet të marrë parasyshë ai që nuk shikon dot diskun e diellit: e kjo shenjë është errësira që shafaqet nga ana e lindjes”. Marrë nga libri Mufhim (3\159).
Nëse njeriu ndodhet në një vend ku shikohet perëndimi i diellit, si në shkretëtirë, fushë, rrafshnaltë, lartësi malore, kodrinore, detë, bregdet, ku nuk e pengon nga shikimi i perëndimit ndonjë mal apo kodër, koha e akshamit dhe e çeljes për të hynë me tu fshehur diksu i diellit, edhe pse mbeten akoma rrezet dhe shkëlqimi i tij në horizont apo tek retë. Në këtë rast nuk është e nevojshme të shihen shenjat e tjera, si ardhja e errësirës nga lindja, edhe pse perëndimi i diellit në fakt shoqërohet me humbjen e rrezeve të tij dhe shfaqjen e errësirës në lindje.
Sipas versionit të Abdurrezakut, Abdullah Ibn Ebi Eufa thotë: “Ishim me Pejgamberin (alejhi selam) në një udhëtim. Pejgamberi, ngaqë ishte agjërues, i tha një burri: “Zbrit dhe më trazo një pije!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Ja, rrezet e diellit!” Pejgamberi sërish i tha: “Zbrit dhe trazo pijen (për të çelur)”. Kështu, ai zbriti, trazoi pijen dhe Pejgamberi piu”. Sikur në këtë moment të përpiqej ndonjëri që ishte hipur në deve për të shikuar diellin, kishte për ta parë! Mbasi piu, Pejgamberi (alejhi selam) bëri shenjë me dorë nga lindja, duke thënë: “Kur të shikoni natën duke ardhur që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit.”
[8] Kur njeriu ndodhet në një luginë, pas një kodre apo pas një mali, ku nuk shihet perëndimi i diellit, duhet të presë derisa të mos duken më rrezet e diellit në majat e kodrave e të maleve apo të fillojë errësira në anën e lindjes, sikurse kanë përmendur dijetarët në shpjegimin e haditheve të mësipërme të Ibn Ebi Eufas dhe të Umer Ibn Hattabit. Ashtu sikurse shfaqet agimi për hyrjen e kohës së sabahut në anën e lindjes, ndërkohë që gjithandej ka errësirë, po ashtu shfaqet errësira në anën e lindjes kur hynë koha e akshamit, kur perëndon dielli, ndërkohë që gjithandej ka ditë.
Neveviu thotë: “Dijetarët kanë thënë se Pejgamberi (alejhi selam) e ka përmendur perëndimin e diellit, shfaqjen e errësirës (në anën e lindjes) dhe largimin e ditës (në anën e perëndimit), për të qartësuar se perëndimi i dielllit nga sytë (jo gjithmonë) është i mjaftueshëm, pasi ka mundësi që në disa vende dielli të zhduket nga sytë, edhe pse nuk ka perënduar realisht, kështu që (në vende të tilla) pajtetër duhet të merret parasyshë rënia e errësirës së natës (nga ana e lindjes) dhe largimi i ditës.” (El Mexhmu)
Ky sqarim përmendet dhe në librat: Sherh Sahih Muslim, Mevahibul Xhelil, Hashijetul reudil murbi etj. Rasti kur disku i diellit fshihet pas kodrës, pas malit apo pas një ndërtese të madhe, por nga ana tjetër duken rrezet e tij në anën nga lind dielli dhe në majat e maleve e të kodrave, ky rast pra nuk quhet perëndim dielli as fetarisht, as logjikisht dhe as konkretisht. Këtë gjë e ka përmendur edhe shejkh Albani në një prej kasetave të serisë “el Huda ven Nur”.
[9] Për këtë çështje ka sjell ixhma Ibn Betal në shpjegimin e tij të Buhariut.
[10] Fetava Ibn Uthejmin (1\531- 532).
[11] Fetava lexhnetu daimeti (2254) shih Mexhmuë Fetava Ibn Baz.
Ndryshimi i hyrjes së kohës së namazit nga një vend në tjetrin dhe nga një zonë në tjetrën në varësi të perëndimit të diellit në secilin vend a zonë është krejt i natyrshëm dhe në përputhje me sunetin e Pejgamberit, kurse njësimi i kohës për këto vende a zona të ndryshme është në kundërshtim me sunetin. Prandaj, themi se në çdo vend e në çdo zonë duhet të thirret ezani dhe të çilet agjërimi atëherë kur perëndon dielli, pa marrë parasyshë vendet dhe zonat e tjera.