Te Buhariu e Muslimi, Enesi tregon se Zejd Ibn Thabiti i tha: “Hëngrëm syfyr bashkë me Pejgamberin, dhe pastaj ai u çua për faljen e namazit.” Enesi i tha: “Sa ishte koha ndërmjet ezanit dhe syfyrit?” Ai tha: “Aq sa për të lexuar pesëdhjetë ajete”. [1] Sipas një varianti tjetër të Buhariut në kapitullin e agjërimit, Enesi tregon se Zejd Ibn Thabiti kishte ngrënë syfyr bashkë me Pejgamberin dhe pastaj janë çuar për faljen e namazit të sabahut. Transmetuesi nga Enesi tregon: “Pyetëm Enesin: “Sa ishte koha ndërmjet përfundimit të syfyrit dhe hyrjes në namaz)?” Ai u përgjigj: “Aq sa koha e leximit të pesëdhjetë ajeteve”.” [2]
Dobitë dhe rregullat
E para: Është sunet të vonohet syfyri, se kështu ushqimi i syfyrit e mban më shumë agjëruesin dhe kështu realizohet më mirë kundërshtimi i ithtarëve të Librit.
E dyta: Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – kohët i kishin të mbushura me adhurim, prandaj Zejdi (radijAllahu anhu) e përcaktoi kohën me periudhën e leximit të ajeteve.
E treta: Lejohet matja e kohës me punë të ndryshme. Arabët e kishin zakon një gjë të tillë: si për shembull, sa koha e mjeljes së një dhije, sa koha e therjes së një deveje etj.
E katërta: Koha ndërmjet ezanit dhe syfyrit në këtë hadith është sa koha që merr leximi i pesëdhjetë ajeteve mesatare, as të gjata dhe as të shkurtra, me një lexim mesatar, jo i shpejtë dhe jo të ngadaltë. [3]
E pesta: Vonimi i syfyrit është i pëlqyeshëm. Këtu bën përjashtim vonimi i kontaktit me bashkëshorten, sepse nuk është prej gjërave që të jep fuqi gjatë ditës dhe bart rrezikshmërinë e tejkalimit të kohës së syfyrit, për shkak të dëshirës seksuale që, ndoshta mund ta ketë të vështirë ta braktisë, e kështu agjëruesi rrezikon të prishë agjërimin dhe t’i bëhet detyrë kefar-ja (shryerja) e prishjes së agjërimit me marrëdhënie intime.
E gjashta: Interesimi për kërkimin e dijes, shqyrtimin e çështjeve, gjurmimin e suneteve, njohja e kohëve të tyre dhe përkujdesja pë to. Kjo mësohet prej pyetjes së Enesit dhe përgjigjes së Zejdit (radijAllahu anhu).
E shtata: Dhembshuria e Profetit (alejhi selam) për umetin, që duket në lejimin e ngrënies së syfyrit, me qëllim që besimtarët të jenë më të fortë gjatë agjërimit. Gjithashtu, Profeti (alejhi selam) e vonoi ngrënien e syfyrit qëllimisht, në mënyrë që umeti ta merrte për shembull. Nëse ai nuk do të hante syfyr, shokët e tij do ta merrnin për shembull dhe kjo do t’i çonte në vështirësi. Por edhe nëse do ta caktonte kohën e syfyrit në pjesën e parë të natës apo në mesin e saj, përsëri syfyri nuk do ta jepte aq shumë efektin e tij për mbajtjen e agjëruesit.
E teta: Edukata me të Dërguarin (alejhi selam) dhe mënyra e bukur e të shprehurit, sipas fjalës së Zejdit (radijAllahu anhu): “Hëngrëm syfyr bashkë me Pejgamberin (alejhi selam)”, e jo: “Hëngrëm ne dhe Pejgamberi (alejhi selam)”.
[1] Buhariu (1821), Muslimi (1097), Tirmidhiu(703), Nesai (4\134) e Ibn Maxhe (1694). [Në shumicën e transmetimeve, siç tregon Ibn Rexhebi, përmendet se kjo diferencë kohore ka qenë ndërmjet syfyrit dhe namazit të sabahut, ndërsa në transmetimin që sjell Buhariu në kapitullin e agjërimit përmendet se kjo kohë ka qenë ndërmjet syfyrit dhe ezanit. Porse fjala “ezan” përdoret dhe për ikametin, kështu që dhe në hadithin e fundit flitet për intervalin kohorë ndërmjet syfyrit dhe ikametit. Atëherë, qëllimi është koha nga përfundimi i syfyrit deri në fillimin e namazit (Fet’hul Bari). Ibn Rexhebi ka përmendur se sipas transmetimit të Muamerit thuhet se ndërmjet syfyrit të Pejgamberit dhe namazit të sabahut kishte kohë vetëm për faljen e dy rekateve sunnet të sabahut dhe daljes për në xhami (Fet’hul Bari).
[2] Ky është varianti i Buhariut (551).
[3] Shih: Fet’h (4/138) dhe Tuhfetu el Ahvedhi (3/317). [Ibn Haxheri sqaron se koha e leximit të pesëdhjetë ajeteve është katër minuta. Mbase kjo kohë, vazhdon ai, është aq sa koha e marrjes avdes. Në një vend tjetër në Fet’hul Bari, Ibn Haxheri, thotë se kjo kohë është sa një gradë. Një gradë është e barabartë me katër minuta. E bëra provë vetë (fjala është e redaktorit fetar) me suren “El Hakka”, dhe arrita ta lexoja për gjashtë minuta. Dijetarët kanë shpjeguar se ky hadith tregon për disa gjëra, dhe përveç atyre që përmenden më lart janë dhe dy të tjera: a- për faktin se koha e namazit të sabahut hynë sapo del agimi. b- se Pejgamberi (alejhi selam) e fillonte namazin e sabahut në muzgun e agimit (Shiko Fet’hul Bari)].