Është për të ardhur keq kur sheh shumë shkrimtarë që shkruajnë sot në këto tema, kur flasin për teuhidin kufizohen vetëm në aspektin e njohjes së Zotit si Krijues. Ky është gabim dhe një mangësi e madhe. Ne duhet të mbjellim në zemrat e muslimanëve teuhidin e adhurimit më shumë, sepse Zotin si Krijues të vetëm askush nuk e ka mohuar me mohim të vërtetë. Kur ne pohojmë vetëm këtë gjë e cila ndodhet në natyrën e njeriut, është e pranuar nga logjika e shëndoshë dhe në anën tjetër heshtim ndaj asaj mbi të cilën ngadhënjen epshi, tregon një mangësi të madhe.
Adhurimi i dikujt tjetër veç Allahut ndodh kur brenda njeriut ngadhënjejnë dëshirat përkundër fitra-s (natyrshmërisë së pastër), derisa e shmangin atë nga adhurimi i Allahut të Vetëm duke e bërë të adhurojë eulija (njerëz të mirë) dhe egon e vet. Njerëzit që kanë shqetësim të tyrin kryesor dërhemin dhe dinarin Profeti (alejhi selam) i ka quajtur adhurues të tyre. Po ashtu Allahu (s.u.t.) thotë: “A e ke vënë re atë njeri që dëshirat e veta i mori për zot.” (Xhathijeh : 23)
Mëkatet në kuptimin e përgjithshëm mund t’i konsiderojmë si shirk, ndërsa në kuptim të posaçëm i ndajmë në disa lloje:
- shirk i madh,
- shirk i vogël,
- mëkat i madh,
- mëkat i vogël.
Ka mëkate që lidhen me të drejtën e Allahut, ka që lidhen me të drejtën e vetë njeriut dhe ka që lidhen me të drejtën e krijesave. Realizimi i dëshmisë ‘La ilahe il’Allah’ është një çështje mjaft e vështirë, ndaj disa selefë kanë thënë se “çdo mëkat është një lloj shirku”.
Disa nga selefët kanë thënë: “Nuk jam përpjekur për diçka tjetër siç kam bërë për sinqeritetin.” Këtë e njeh dhe e kupton vetëm besimtari, ndërsa jobesimtari nuk pyet për sinqeritetin. Lidhur me këtë i janë drejtuar Ibn Abassit: “Çifutët thonë se nuk kanë ngacmime në namaz.” Ai u përgjigj: “E ç’të bëjë shejtani me një zemër të prishur? Ai nuk vjen të shkatërrojë atë që është tashmë e prishur, por atë që është e rregullt.”
Profetit (alejhi selam) i kanë thënë se njeriu gjen në vetvete disa gjëra që kurrsesi nuk mund t’i shprehë. Ai u tha: “A gjendet vërtet te ju?” “Po”, iu përgjigjën. Ai tha: “Ky është imani më i fortë.” Pra, kjo është shenjë se imani është i fortë, sepse ai nuk e dëshiron këtë, e kjo gjë ndodh vetëm në zemrën e shëndoshë.
– “Kush dëshmon se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut …” – Fjalia këtu është kushtore, ndërsa veprimi që ndodh me plotësimin e kushtit është: “Allahu do ta fusë në Xhennet sido që të ketë punuar.”
Dëshmia e vërtetë është ta shprehësh me gjuhë, ta besosh me zemër dhe ta vërtetosh me punë, e në të kundërt ajo është gënjeshtër. Kur munafikët i thanë Profetit (alejhi selam): “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguar i Allahut”, – deklaratë e cila në gjuhën arabe vjen me tri fjalë përforcuese: “neshhedu” (dëshmojmë), “ine” (se pa dyshim) dhe shkronja “lam” (të sigurt) – Allahu i përgënjeshtroi me thënien e Tij: “Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, Allahu dëshmon se hipokritët janë me të vërtetë gënjeshtarë” (Munafikun : 1). Atyre nuk u bëri dobi pohimi me gjuhë, sepse ai ishte i zbrazur nga besimi me zemër dhe nga vërtetimi me punë. Përfundimisht, themi se dëshmia nuk realizohet pa besim me zemër, shprehje me gjuhë dhe pa vërtetim me punë.
– “S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut” – Kjo shprehje do të thotë se s’ka të adhuruar tjetër, në atë formë që meriton të adhurohet përveç Allahut. Idhujt të cilët adhurohen nuk e meritojnë adhurimin, sepse ata nuk kanë asgjë prej veçorive të Adhuruarit të Vërtetë.
– “… të vetëm e pa ortak …” – Pjesa e parë përmban pohim, ndërsa pjesa e dytë mohim. Pra, u mohohet të tjerëve gjithçka që është e posaçme për Allahun, qofshin këto veprat e Tij, qofshin emrat dhe cilësitë e Tij.
Profeti (alejhi selam) dhe besimtarët e tjerë mbështeteshin veç tek Allahu kur ishin në vështirësi. Njëherë, një beduin iu drejtua Profetit (alejhi selam), pranë të cilit ishin dhe disa shokë të tij. Beduini rrëmbeu shpatën, të cilën Profeti (alejhi selam) e kishte varur në pemë dhe i tha: “Kush të mbron tani prej meje?”, Profeti (alejhi selam) u përgjigj: “Më mbron Allahu”. [1] Ai nuk tha: “Shokët e mi”.
Ky është realizimi i teuhidit rrububije (veprimet e posaçme të Zotit të cilat nuk i kryen kush tjetër veç Tij), sepse Allahu është Ai që e zotëron dobinë, dëmin, krijimin, rregullimin e punëve të gjithësisë dhe trajtimin e saj si të dëshirojë Ai. Ai është pa ortak në gjithçka që i përket vetëm Atij, si në vepra, adhurime, në emra e cilësi. Themi që i përket vetëm Atij, me qëllim që të shpëtojmë nga dyshimet e shumta. Këto dyshime rrjedhin prej mohuesve të cilësive, të cilët pretendojnë se pohimi i cilësive është shirk, duke argumentuar se prej këtij pohimi rrjedh domosdoshmërish përngjasimi i tyre me cilësitë e krijesave. Ndërsa ne u themi se Krijuesi ka cilësi të vetat, të posaçme për Të, ashtu si krijesat kanë cilësi që u përshtaten atyre.
– “… se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. …” – “Muhamedi” këtu është Muhamedi i biri i Abdullahut, të birit të Abdul Mutalibit, prej popullit kurejsh, nga fisi Hashim, i cili ishte vula e Profetëve.
– “… robi i Tij …” – Do të thotë se Pejgamberi (alejhi selam) nuk është ortak me Allahun.
– “… dhe i Dërguari i Tij. …” – Do të thotë se ai u dërgua me shpallje prej Zotit dhe nuk ishte gënjeshtar.
Profeti (alejhi selam) ishte rob i krijuar dhe kishte të gjitha cilësitë e njerëzve, përveç moralit të ulët, prej të cilit ai ishte i mbrojtur. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu.” (Araf : 188). Po kështu: “Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi.” Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut, dhe nuk gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai.”” (Xhin : 21-22). Ai ishte njeri sikurse edhe ne, vetëm se atij i erdhi Shpallja hyjnore: “Thuaj (o Muhamed): “Në të vërtetë unë jam vetëm një njeri, si ju. Mua më është shpallur që Zoti juaj është Një.”” (Fusilet : 6).
Thënia të tilla si: Profeti (alejhi selam) nuk lëshonte hije kur ecte në diell, sepse hijen ia hiqte drita e tij, janë gënjeshtra krejt të pabaza. Për këtë, Aishja (radijAllahu anha) thoshte: “Kur i zgjasja këmbët përpara tij, i kërkoja ndjesë, se nuk kishim kandil në dhoma.” Sikur Profeti (alejhi selam) të kishte dritë personale, ajo nuk do të kërkonte ndjesë, prandaj themi se kjo është pjesë e teprimeve, të cilat prishin fenë dhe jetën e kësaj bote. Lusim Allahun të na mbrojë! Teprim janë edhe fjalët e Busirit në një nga poezitë e tij:
O krijesa më e nderuar,
Kur të zezat t’më kenë pushtuar,
Ndihmë veç ty kam për t’kërkuar!
Në s’më shpëton në t’Gjykimit Ditë,
Thuaj “mjerë” për mua, që kam rrëshqitë.
Dynja dhe ahiret – prej bujarisë që pate,
Prej dijes që ke ti, janë shkruar këto fate.
Në lidhje me këtë, Ibn Rexhebi dhe të tjerë kanë thënë se, në këtë mënyrë, ky autor nuk ka lënë asgjë për Allahun, përderisa dynjaja dhe ahireti qenkan “nga bujaria e të Dërguarit (alejhi selam)”! Ne dëshmojmë se ai që e thotë këtë, nuk ka dëshmuar se Muhamedi është rob i Allahut, përkundrazi, ka dëshmuar se Muhamedi është mbi Allahun. Si i ka çuar teprimi deri në këtë pikë?! Ky tejkalim kufijsh është edhe më i madh se ai i të krishterëve, që thonë se Mesihu është bir i Zotit dhe se Allahu është “njëri prej të Treve” (Trinia).
Ka njerëz që shprehen: Allahu thotë: “Atë që më përmend Mua në një grup, Unë e përmend atë në një grup më të mirë; Unë jam me robin Tim kur ai më përmend Mua”, kështu që Profeti (alejhi selam) është me ne, kur ne e përmendim atë. Për këtë arsye, gjatë mevludeve, [2] kur lexohet fjala e Mustafait (Muhamedit), ngrihen që të gjithë në këmbë, duke mëtuar se ngrihen për të respektuar Profetin, që ndodhet mes tyre.
Sahabët (radijAllahu anhum) kanë qenë ndaj Profetit (alejhi selam) shumë herë më të respektueshëm se këta e se ne, megjithatë, kur Pejgamberi (alejhi selam) hynte mes tyre e u fliste, ata nuk çoheshin, ndërsa këta ngrihen vetëm duke imagjinuar ose duke parë ndonjë fantazmë – nëse me të vërtetë shohin diçka. Shiko se deri ku ka arritur logjika e tyre! Këta nuk kanë dëshmuar se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, por janë njerëz me logjikë të dobët. Nëse i shohim nga këndi i kaderit (paracaktimit dhe krijimit), ata janë për të ardhur keq, por ne lusim Allahun t’i shpëtojë. E nëse i shohim nga aspekti i ligjeve fetare, ne duhet t’i kundërshtojmë, derisa të kthehen në rrugën e drejtë.
Profeti (alejhi selam) e adhuronte Allahun dhe i frikësohej Atij më shumë se çdokush tjetër. Ai ngrihej e falte namaz derisa i ënjteshin këmbët, edhe pse i ishin falur gjynahet e kaluara dhe ato të ardhshme. Kur e pyetën përse e bënte një gjë të tillë, ai u përgjigj: “A të mos jem rob falënderues?!” Ky është realizimi i adhurimit.
Në lidhje më Shpalljen ai ishte Pejgamberi të cilin Allahu e dërgoi me legjislacionin më të plotë te të gjitha krijesat. Ai ua përcolli mesazhin atyre në formën më të mirë, edhe pse ata i shkaktuan mundime, edhe pse u luftua, derisa i hodhën edhe shtratin e këlyshit të devesë mbi shpinë, kur ishte në sexhde, në Qabe. Të gjitha këto i bënë nga urrejtja ndaj tij dhe ndaj mesazhit që ai solli, megjithatë ai i duroi. Ata i hidhnin mbeturina e plehra në pragun e derës, dhe kjo ishte (alejhi selam) sprovë për të nga Allahu i Madhëruar, me qëllim që të dukej durimi dhe vlera e tij. Ai dilte dhe u thoshte: “E çfarë fqinjësie është kjo, o fisi i Abdul Menafit?!” Kjo vazhdoi derisa Allahu i dhuroi fitore. Ai ftoi në Islam banorët e Mekkës dhe rrethinat e saj. Më pas e mbartën këtë fe njerëzit që e ruanin më shumë amanetin dhe më të fortët në pasim, sahabët (radijAllahu anhum), të cilët, më pas, e përçuan tek umeti të pastër e pa mangësi. Allahut i takon falënderimi!
[1] Buhariu.
[2] Festimi i Mevludit është bidat.