Hadith kudsij është ai që i Dërguari (alejhi selam) e ka përcjellë nga Allahu. Dijetarët e hadithit e kanë renditur ndër hadithet profetike, sepse është komunikim i të Dërguarit (alejhi selam). Dijetarët janë të një mendimi që hadithi kudsij nuk është pjesë e Kuranit, edhe pse i Dërguari (alejhi selam) ia ka përcjellë umetit të tij këtë kumt nga Allahu (s.u.t.). Dijetarët (Allahu i mëshiroftë!) janë ndarë në dy mendime për sa i përket tekstit të hadithit kudsij: a citohen aty fjalë të Allahut (s.u.t.), apo Allahu i ka shpallur të Dërguarit të Tij kuptimin, ndërsa shprehja është prej të Dërguarit (alejhi selam).
Mendimi i parë: Hadithi kudsij ka ardhur nga Allahu (s.u.t.) si në shprehje ashtu edhe në përmbajtje, sepse Profeti (alejhi selam) ia ka atribuuar thëniet Allahut (s.u.t.). Dihet se fjala e atribuar dikujt përmban shprehjen e thënësit e jo të përcjellësit, sidomos në rastin e Profetit (alejhi selam), i cili ka qenë njeriu më besnik në përmbushjen e amanetit dhe më i sakti në përcjellje.
Mendimi i dytë: Hadithi kudsij është nga Allahu (s.u.t.) vetëm në përmbajtjen e tij, ndërsa shprehja është prej të Dërguarit (alejhi selam); dhe kjo për dy arsye:
E para, sikur shprehja dhe kuptimi i hadithit kudsij të ishte nga Allahu (s.u.t.), vargu i përcjelljes së tij do të ishte më i lartë se i Kuranit, sepse i Dërguari (alejhi selam) e përcjell atë nga Zoti i tij pa ndërmjetës, siç del nga konteksti, ndërkohë që Kurani ka zbritur tek i Dërguari (alejhi selam) me anë të Xhibrilit: “Thuaj (O Muhamed): ‘Shpirti i Shenjtërisë (Xhibrili) e ka zbritur atë (Kuranin) prej Zotit tënd.” (Nahl : 102) Po kështu Allahu (s.u.t.) thotë: “Të cilin Shpirti(meleku Xhibril) i besueshëm e ka zbritur në zemrën tënde (O Muhamed), që të mund të jesh prej këshilluesve; (i zbritur) në gjuhën e qartë arabe.” (Shuara : 193-195)
E dyta, sikur shprehja tok me përmbajtjen të ishin nga Allahut (s.u.t.), atëherë nuk do të kishte ndryshim ndërmjet hadithit kudsij dhe Kuranit, e që të dy, sipas këtij supozimi, do të ishin fjalë të Allahut (s.u.t.). Urtësia i gjykon si të barabarta kur ato përputhen në zanafillë, por ndërmjet Kuranit dhe hadithit kudsij ka ndryshime të shumta:
- Leximi i hadithit kudsij nuk shërben si adhurim, që do të thotë se njeriu nuk mund ta adhurojë Allahun duke e lexuar atë dhe nuk shpërblehet për çdo shkronjë me dhjetë sevape. Nga ana tjetër, leximi i Kuranit është adhurim, pasi për çdo shkronjë të tij shpërblehet me dhjetë sevape.
- Allahu (s.u.t.) i ka sfiduar njerëzit që të sjellin një të ngjashëm me Kuranin ose me një ajet prej tij, [1] ndërkohë që kjo sfidë nuk është edhe për hadithet kudsij.
- Kurani është i ruajtur nga ana e Allahu (s.u.t.): “Vërtet, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe padyshim që Ne do të jemi Gjithëruajtës të tij.” (Hixhër : 9) Ndërsa hadithet kudsij janë të ndarë në: sahih (të saktë) dhe hasen (të mirë), madje ka të dobët dhe të trilluar. Këta të fundit, edhe pse nuk janë nga Profeti (alejhi selam), i atribuohen atij. Po kështu, në to ka shtojca në fillim apo në fund të hadithit, ka shtesa dhe mangësi.
- Kurani nuk lejohet të lexohet me kuptim dhe jo tekstualisht, me pajtimin e plotë të të gjithë muslimanëve, ndërsa për hadithet kudsij, ka kundërshtim mes dijetarëve, dhe kjo si pasojë e mosmarrëveshjes së tyre lidhur me përcjelljen e haditheve të Profetit (alejhi selam) me kuptim (jo tekstualisht). Mendimi i shumicës është që lejohet.
- Kurani është përcaktuar të lexohet në namaz, ndryshe nga hadithet kudsij.
- Kuranin mund ta prekin vetëm të pastrit, sipas mendimit më të saktë, ndryshe nga hadithet kudsij.
- Kuranin nuk lejohet ta lexojë ai që është xhunub, derisa të lahet, sipas mendimit më të saktë, ndryshe nga hadithet kudsij.
- Kurani ka ardhur me rrugë të shumta, nga të cilat përfitohet dije e sigurt, dhe sikur të mohosh prej tij një shkronjë, – për të cilën janë pajtuar të gjithë lexuesit, – bëhesh kafir, ndryshe nga hadithet kudsij: nëse mohon diçka prej tyre, duke pretenduar se ajo nuk është pjesë e hadithit, nuk bën kufër; megjithatë, nëse e mohon duke e ditur se i Dërguari (alejhi selam) e ka thënë atë, bëhesh kafir për shkak të mohimit që i bën Profetit (alejhi selam).
Këto shtjellojnë çështjen se i Dërguari (alejhi selam) i ka cituar këto fjalë nga Allahu (s.u.t.), dhe fjala e cituar i përket burimit të saj. Megjithatë, ka raste kur një thënie citohet me përmbajtje e jo me shprehje, siç ndodh edhe në Kuran. Allahu (s.u.t.) citon fjalë të ndryshme, dhe ne e dimë se, në fakt, është cituar përmbajtja e tyre, siç është rasti i historive të Profetëve e të tjerë. Gjithashtu, fjalët e Hud’hudit [2] dhe milingonës, nuk janë cituar fjalë për fjalë, ashtu si ne i lexojmë. Të gjitha këto pika tregojnë qartë saktësinë e mendimit të dytë.
Mospajtimi në këtë çështje nuk është si ai ndërmjet esharive dhe ehli sunetit në lidhje me fjalën e Allahut (s.u.t.), sepse mospajtimi ndërmjet tyre, është për natyrën e fjalës së Tij. Ehlu suneti thotë se fjala e Allahut është e vërtetë dhe e dëgjueshme, se Allahu (s.u.t.) flet me zë dhe tinguj. Esharitë nuk e pohojnë këtë, por thonë se fjala e Allahut është e mëvetësishme, ajo nuk është as zë, as tingull, mirëpo kur shpallte Allahu (s.u.t.) krijonte zë me anë të tij, duke shprehur atë kuptim të cilin Xhibrili e përcillte te Muhamedi. Pasaktësia e këtij mendimi nuk ka kurrfarë dyshimi.
Në realitet, ky është mendimi i mutezilëve, sepse ata thonë se Kurani është i krijuar dhe është fjalë e Allahut, ndërsa esharitë thonë se Kurani është i krijuar dhe është i njëvlershëm me fjalën e Allahut (s.u.t.). Nëse thuhet se për çështjen në fjalë (dallimin mes Kuranit dhe hadithit kudsij) është më mirë të mos thellohemi, për t’u ruajtur nga teprimi, ndoshta nuk do të ishte gabim apo do të ishte e mjaftueshme të themi se hadith kudsij quhet kumti të cilin Profeti (alejhi selam) e përcolli nga Allahu. Megjithatë, Allahu e di më së miri.
Shtojcë: Kur vargu i përcjelljes së hadithit mbaron tek Allahu, quhet kudsij për shkak të shenjtërisë së tij, ndërsa kur përfundon tek i Dërguari (alejhi selam), quhet merfu. Kur zinxhiri i përcjelljes mbaron te një sahab, quhet meukuf, ndërsa kur mbaron te një tabi’in ose të tjerë pas tij, quhet mektu’un.
[1] Zogu që ka folur me Sulejmanin, gjë e cila përmendet në suren Neml.
[2] Buhariu.